Nga Dosena te De Biazi, Kombëtarja pa trajner shqiptar për 15 vite

Nov 11, 2016 | 21:27
SHPËRNDAJE

Këtu nuk e kam fjalën për Shqipërinë mirëfilli si shtet dhe as për Shqipërinë e kampionatit kombëtar të futbollit. E kam fjalën për Shqipërinë e Kombëtares së futbollit. Dhe arkivi më ftoi që të përkujtoj një jubile disi të çuditshëm, teksa e pashë se ai sapo mbërrin. Pra, sapo kemi hyrë në 15-vjetorin e Kombëtares së Shqipërisë pa trajner shqiptar. Më duhet të hulumtoj fort gjatë për të mësuar saktësisht, jo me hamendje siç shkruajnë shpesh disa pseudotregues të ashtuquajtur “dossier”-istë episodesh a personazhesh, pra nëse ky 15-vjetor përbën të paktën një rekord europian.

de biazi tifoz

Në vështrimin pra, nëse ka apo jo ndonjë kombëtare në Europë që për 15 vjet me radhë nuk “pranon” asnjë vendës të bëhet trajner i Kombëtares së shtetit të tij. Ndoshta ka, por kjo për ta zbuluar kërkon disa orë, ose ditë madje. Sidoqoftë, Shqipëria është shteti i cili ka plot 15 vjet që ia ka besuar skuadrën e saj kombëtare të futbollit vetëm trajnerëve të huaj. Dhe iu deshën plot 15 vjet për ta kurorëzuar suksesin falë drejtimit të trajnerëve po të huaj.

I kurorëzuari është italiani Gianni De Biasi, njeriu i cili ia mbërriti ta çonte Shqipërinë për herë të parë në fundoret (finalet) e një Kampionati Europian. Buja e tij duket se i vuri vulën filozofisë së drejtimit “përfundimtar” të Shqipërisë me trajnerë të huaj. Të jetë kështu?…

Një gjë është e vërtetë: Gianni De Biasi, duan apo s’duan, në njëfarë vështrimi është disi i pakritikueshëm për sa i përket anësisë së një arritjeje kësisoj, duke justifikuar me bindje praninë e tij. Kjo është historike në gjithçka. I kemi përimtuar (analizuar) arritjet e tij këtij trajneri i cili, simbas referendumit tim, botuar kohët e fundit edhe këtu në “Panarama Sport”, ai është trajneri më rezultativ që ka pasë ndonjëherë Shqipëria në të gjitha kohërat. Por le të kthehemi te 15 vjet mbrapa. Më saktë le të kthehemi te muaji maj i vitit 2002.

1. 2002- Dy emra të rinj: Armand Duka dhe Giuseppe Dossena.

Çudia ka ndodhur thuajse afër mesnatës të ditës së hënë të 20 majit 2002, gati 10 orë mbasi unë kisha intervistuar presidentin e ri të FSHF-së me emrin Armand Duka, pa dyshim ndër emrat më të panjohur në gjithë historinë e kryesuesve drejtues të mëparshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në atë natë apo mesnatë të 20 majit 2002, Armand Duka kishte njoftuar se kishte marrë miratimin nga Giuseppe Dossena për të qenë ky trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë.

Mbas përfundimit të finaleve të Botërorit 2002, Kore-Japoni, italiani Dossena, 38 herë lojtar i Italisë dhe 1 gol i shënuar me të, i cili ishte trajner i dytë i finalistes së Kupës së Botës 2002, Paraguai, ku i parë ishte Cesare Maldini, do të firmosë në Tiranë në fillim të korrikut një kontratë 16-mujore deri në fund të 2003-shit, kur përfundonin edhe eliminatoret e KE 2004 të Portugalisë. Ai do të kishte një ndihmës që do ta binte me vete, por me sa dukej edhe një trajner shqiptar. Po kjo e fundit më mbas u përgënjeshtrua.

beppe-dossena-interna-nuova

Giuseppe Dossena, një milanez 44-vjeçar, futbollist i shquar titullar për gati 10 vjet i Torinos-s, por dhe i Pistoiese, Cesena, Bologna, mesfushor mbrojtës i Kombëtares së Italisë në 38 ndeshje të saj (1981-87), me licencën e trajnerit profesionist të Italisë, bëhej kështu trajner i Kombëtares së Shqipërisë. Me një rrogë mujore siç u tha prej rreth 11.000 dollarësh, aq sa ndoshta sot i merr vetëm një trajner i huaj në Kampionatin e Shqipërisë, se me rrogën që merr De Biasi s’ka assesi krahasim, Dossena do të ishte pra, përveç të tjerave, edhe si një drejtues teknik i të gjithë ekipeve kombëtare të Shqipërisë.

Një përvojë e re që mbeti vetëm teorike, sepse as sot, asnjeri, pra as De Biasi dhe as paraardhësit e tij nuk e realizuan dhe nuk e kryen për asnjë orë të vetme këtë punë! Trajneri Dossena ishte italiani i parë për Kombëtaren e Shqipërisë, por në vitet ’30 me klubet shqiptare kishin punuar trajnerët italianë: Pasquale Lissoni (Skenderbeu), Bruno Ratti e Giovanni Zanicchi (Vllaznia), Eugenio Vitali (SK Tirana) si dhe Tiziano Gori (Erzeni dhe Partizani) në stinën 2001-02.

Giuseppe (Beppe) Dossena ishte trajneri i 18-të i Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa si i huaj ai ishte i treti. Ndonëse me Kombëtaren e Shqipërisë kishin punuar dhe drejtuar, po jo në ndeshje “Kombëtare-Kombëtare e një vendi tjetër”, edhe 6 trajnerë të tjerë: Singer (Hungaria 1936), Jeftic (Jugoslllavia 1947), Apuhtin (BRSS 1949), Ljukshinov (BRSS, 1957) dhe Klinger (RD Gjermane, 1990). Giuseppe Dossena vinte mbas gjithë këtyre, por me statusin e trajnerit të Kombëtares ndaj Kombëtares së një shteti tjetër, çka do të thoshte se ai vinte mbas hungarezit Miklos Vadas (Polonia – Shqipëria 2-0, në 1952). Çka gjithashtu do të thoshte se Shqipëria vendoste në krye të Kombëtares një trajner të huaj mbas plot 50 vjetëve! Edhe ky një jubile i rrallë. Nuk ishte faji i askujt për këtë ndalim historik. Ishte punë regjimi e izolimi.

beppe-dossena-11

E vërteta është se nga një opinion regresiv, ardhja e tij u kundërshtua pa asnjë argument teknik, shkencor, apo të politikës sportive kontemporane. Duhej të prisnim ndeshjet për të folur më qartë. Autori i këtyre radhëve ishte një ndër të parët që kishte propozuar qysh në mesin e viteve ‘90 se tashmë Shqipëria duhej t’i kthehej trajnerit të huaj, kur dihej se me gjithë përparimet, trajnerët shqiptarë nuk kishin sjellë ngjitje në renditjen e Kombëtares. E mira e Dossena-s ishte se ai kishte një përvojë të shkëlqyer si futbollist me Italinë 3 herë kampione e Botës, ishte ga Italia fqinje futbolli i së cilës ishte mjaft popullor në Shqipëri.

Kështu, më në fund për herë të parë do të forcoheshin edhe lidhjet me futbollin e Italisë mike, aq të dobëta asokohe, ndonëse 4 shqiptarë luanin në kampionatet italiane. Dossena ishte një trajner i ri por i shkolluar, madje universitar i Shkencave Politike, më parë i përfshirë edhe në politikën e Partisë Socialiste të Italisë, deri kandidat për deputet, çka tregonte se kishim të bënim me një trajner që dilte mbi vlerat e teknicienit të futbollit.

Ai kishte qenë për 10 ndeshje trajner i Ganës në Afrikë (mbas holandezit Rinus Izrael), një nga skuadrat më popullore të këtij kontinenti për dy vjet (1998-2000). Ai kishte kaluar me te turin e parë kualifikues për Kupën e Botës 2002, por kontrata e tij ishte prishur në korrik 2000, për shkak të diskutimeve për rrogën mujore të tij prej 12.000 dollarësh, e kundërshtuar nga vetë ministri i Sporteve të Ganës. Bilanci i tij dukej i shkëlqyer: 17 ndeshje, 10 fitore, 3 barazime, 4 humbje!

A do të ishte Giuseppe Dossena një trajner fitimtar edhe me Shqipërinë, teksa çudia ishte se të dy trajnerët e huaj që e kishin drejtuar deri atë periudhë Kombëtaren e Shqipërisë kishin bilanc pozitiv: Brocic dhe Vadas? Dy emra kishin pushtuar Shqipërinë e futbollit ato dit: italiani Giuseppe Dossena dhe shqiptari Armand Duka. Këta ishin kombinuesit e hapjes së një periudhe të re të Kombëtares së Shqipërisë. Ishte 15 vjet më parë.

2. Dossena – Shqipërinë në Kosovë dhe i shkëlqyeshëm me Zvicrën.

E kam fjalën që ai çon Kombëtaren e Shqipërisë për herë të parë në Kosovë. 6 shtator 2002. Po më parë kemi një prolog italianizimi të tij. Ai sjell në Shqipëri skuadrën e Brescia-s së trajnerit Carlo Mazzone, me në krye yllin Roberto Baggio. Por duke “i rrëmbyer” një lojtar: shqiptarin Igli Tare. Fiton Shqipëria 1-0 me gol të një “vogëlushi” me emrin Altin Lala. Ka qenë 21 gusht 2002. Të duket si një prehistori e zhvilluar para nja 10.000 shikuesve të të ashtuquajturit Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” që nuk është më. Edhe në këtë rast ishte një jubile: 65 vjet më parë, më 8 janar 1937, në Shqipëri kishte ardhur skuadra e parë italiane, Zardi i Imolas 5-1 e 2-0 për Sportklub Tiranën. Ishin Lushta e Kryeziu!

Ndërsa djemtë e Giuseppe Dossena-s ishin Strakosha, Beqaj, Fakaj, Xhumba, Gallo, E.Beqiri, D.Muka, Sina, F.Vata, K.Duro, Lala, Skela, Hasi, Bellai, Bushi, Haxhi, Tare, Bogdani. Siç pata shkruar, Beppe erdhi në Konferencën e shtypit, elegant (mbase hera e parë në histori, që pashë trajnerin e Shqipërisë “in borghése”, me kostumin divizë të Kombëtares), tejet modest e i matur mbi të gjitha, fjalëpakë, pa kréni shqiptare. Beppe Dossena kishte përuruar kësisoj, Shqipërinë “e tij”, me një fitore kundër italianëve të tij, në një miqësore të një klubi të vendit të tij. Dhe të dukej si një “i panjohur” që niste një aventurë “italiane” me Shqipërinë.

Mbrapa buzëqeshjes së tij të sinqertë, megjithatë m’u duk se kuptova që ai nuk do të qëndronte në mëshirën e këshilltarëve shqiptarë. Në ate ditë të 21 gushtit 2002 pata përshtypjen se ai papritmas ishte shkëputur përfundimisht prej tyre. Ndihmësit e tij quheshin Pileggi dhe Batiston. Dossena kishte thënë: “Ai që rrezikon jam vetëm unë!” Dhe kalon “nga fitorja në fitore”.

Për herë të parë në histori Shqipëria shkon në Kosovë. Është 6 shtator 2002. 1-0 për Shqipërinë e Beppe Dossena-s përballë një Kosove me në krye bronzin e Kupës së Botës nën Kroacinë, Ardian Koznikun e famshëm, këtu me shiritin e kapitenit. Në stadiumin e Prishtinës, ku nën Jugosllavi ishin mposhtur një Hajduk e Dinamo e Zagrebit, një Crvena Zvezdë e një Partizan të Beogradit, festa është e përmasave të papërshkrueshme.

Ende një Kosovë joshtetformuese, madje as e pavarun, por një Kosovë që sapo kishte fituar çlirimin. Është 15 vjet më parë dhe sigurisht edhe më optimisti nuk do të besonte atë ditë se mbas 15 vjetëve, kjo Kosovë do të merrte pjesë në Kupën e Botës dhe që bijtë e saj do të përbënin shumicën e 11-shit të Shqipërisë!

Dhe Dossena që nuk fal. Do fitoren edhe këtu. E merr dhe të duket më serioz se kurrë dhe ne që mendonim se ai do të ishte për një kohë të gjatë trajner i Shqipërisë. Do të gaboheshim keqas. Ai do të ishte vetëm edhe për 180 minuta lojë. Tradicionalisht Shqipëria kishte qenë një skuadër e padisiplinuar. Beppe Dossena kërkonte ta disiplinonte. Kjo ishte pa qysh në dy ndeshjet përgatitore, atë me Brescian 1-0 dhe ate me Kosovën po 1-0.

E pra, a do të shkonte më tej kjo në ndeshjen zyrtare të Kampionatit Europian, këtë me Zvicrën? Në një vështrim, dihej që ndeshja ishte historike: për herë të parë mbas 55 vjetëve, qysh nga 20 gushti 1947, Hungaria–Shqipëria 3-0 për Kampionatin Ballkanik, Shqipëria nuk ishte drejtuar nga një trajner i huaj për ndeshje zyrtare kampionatesh ndërkombëtare. Kishte qenë Shqipëria e Ljubisa Brocicit, jugosllavit, i cili mbasi e kishte bërë ate kampione të Ballkanit në 1946, u thirr për herë të dytë për ta shpëtuar nga rrënimi.

Mu në këtë 55-vjetor mbërrinte italiani i mirënjohur Beppe Dossena, madje i pari i huaj që drejtonte Shqipërinë në një Kampionat Europian apo Botëror. Kësisoj, ajo ishte dyfish historike. Dhe duam apo s’duam, Dossena është trajneri i parë i huaj për Shqipërinë në ndeshjet kualifikuese eurobotërore. Tjetër De Biasi. Ky është i pari i finaleve eurobotërore për Shqipërinë. Sidoqoftë janë dy kufij italianë nga skaji në skaj. Shqipëria – Zvicra e 12 tetorit 2002 ka qenë një ndeshje e mrekullueshme. Papritmas kishte mbërritur disiplina taktike krijuese e Shqipërisë, e prurë brenda pak javësh prej Dossena-s dhe e shfaqur deri në spektakël, sidomos në 30 minutat e fundit prej vetë lojtarëve.

hqdefault

Ndërrimet qenë të bujshme: Haxhi me Bushin, Tare me Myrtajn. Shndërrim i plotë. Dhe sa dukeshin të lirë aq dhe të disiplinuar. E midis krijimit dhe disiplinës, ata gjetën një rezultante të pagabueshme. Kjo risi i dha Shqipërisë së Beppe Dossena-s një pamje tjetër nga ajo që ia shihnim asaj mbas gati 45 vjetëve. Beppe kishte shfaqur risinë e kthesës. E pata ndjekë me vëmendje në mbarim të pjesës së parë, teksa hynte në gardërobat. Mendueshëm, me një qetësi që asnjë trajner i Shqipërisë nuk e kishte pasur. Ai hyri poshtë tribunave me një shikim të ftohtë akull, por në fund të fundit meditativ. Kishte pasë besim deri në minutën e 60-të.

Mandej kishte “zbritë” në fushë, kishte hequr kapelën dhe kishte zgjatur dorën drejt një horizonti të sulmit… Dhe dihet se çka ngjau. Shqipëria në një sulm të papërmbajtshëm për plot 20 minuta! Pa frikë, pa ngushtim, pa statizëm. Përkundrazi, me larmi, me pasion, me epërsi madje. E vërteta është se goli nuk dukej fryt i kësaj furie. Ishte thjesht një goditje dënimi, por veçse që erdhi shì për shkak të këtij sulmi.

Edvin Murati, i ka të gjitha: zgjuarsinë, mendimin taktik, saktësinë dhe forcën e goditjes dhe dinakërinë për të gjetur shtegun e fshehtë. Gjuajtja është krejt e rreptë, tokazi, mjeshtërore deri në një profesionizëm të lakmueshëm. Është 1-1- në të 78’. Shqipëria kthente një ndeshje kampionale europiane për herë të parë mbas 7 vjetëve dhe për herë të pestë në gjithë historinë. Kishte triumfuar risia e kthesës së rezultatit. Çka ishte realizuar nën këtë paraqitje:

ZVICRA-SHQIPERIA 1-1

12.10.2002. Tiranë.

GOLAT: M.Yakin 37’, Murati 78’ .

Strakosha, Çipi, Xhumba, Fakaj (Sina 89), Murati, K.Duro, Hasi, Lala, F.Vata, Tare (Myrtaj 71), Haxhi (Bushi 60). TRAJNER: G.Dossena. Ndërsa unë isha guxuar të shkruaja këto fjalë: “Nuk jam i sigurt ndërkaq, nëse dikush i ka thënë se mund të shohë edhe te futbolli i Kosovës. Kishte pasur vetëm një, ate me emrin Besnik Hasi. I duhej të priste edhe fatin që do t’i përcaktonte mbas tri ditëve “Beteja e Stalingradit”, ajo që nuk më linte as mua ta çoja deri në fund mendimin për këtë Kombëtare 2002 me një trajner të huaj për herë të parë mbas 55 vjetëve…

3. Dhe … “Beteja e Stalingradit”.

Në të vërtetë, nuk ishte as Stalingradi dhe as Bashkimi Sovjetik. Ishte Rusia e Vollgogradit. Dhe? Humbja e thellë, 4-1 e Shqipërisë prej Rusisë në një premierë ruso-shqiptare, në një stadium-premierë për të dyja skuadrat në një rezultat-premierë. Rusia luante për herë të parë jashtë Moskës. Rusia e Shqipëria luanin për herë parë së bashku. Rusia luante për herë të parë në Vollgograd. Unë dhe gjithë kolegët e mi ishim për herë të parë në Rusi. Gjithë këto herë të para, njëra më “dëfryese” se tjetra! Pamja kishte qenë kjo:

RUSIA-SHQIPERIA 4-1

16.10.2002. Vollgograd.

GOLAT: Kerzhakov 3’, K.Duro 13’, Semak 42’, Onopka 52’, Semak 55’.

Strakosha, Çipi, Xhumba, Fakaj, Murati, K.Duro, Hasi, Lala, F.Vata (Sina 60), Tare (Myrtaj 69), Haxhi (Bushi 56).

TRAJNER: G.Dossena. …

Në çastin që Klodian Duro me gjuajtjen e tij spektakolare nga dënimi barazoi 1-1 rezultatin e ndeshjes Rusia–Shqipëria, telekomentatori kryesor i Rusisë për futbollin tha se “e gjithë kjo punë nuk është kaq e lehtë, sepse shqiptarët po luajnë mjaft mirë”. Por 4 minuta para mbarimit, Semak e shndërron gjithçka: 2-1! Qysh nga ky çast u vendos fati tjetër, ai i shkatërrimit të Shqipërisë në pjesën e dytë, çka dihet tashmâ prej të gjithëve: 4-1 për Rusinë. mbas një 45-minutëshi të shkëlqyeshëm të shqiptarëve dhe një dorëzimi të plotë, shkatërrues në pjesën e dytë, përballë një Rusie të papërmbajtshme, e cila para një muaji kishte shkatërruar Irlandën 4-2, që dihet se hynte në 20-shen e Botës.

Shqiperi_Rusi_3_1_Tare_ne_aksion_LSA

Ndërkaq, kur ka nisur kthimi i Kombëtares, Beppe Dossena-n e kam gjetur paksa të lodhur, të ulur në ndenjëset e sallës së aeroportit disi të mërzitur dhe të mendueshëm. Kishte fituar Zvicra një natë më parë në Irlandë dhe unë i them si me të qeshur: – Ne jemi mundur 4-1, por për çudi “jemi ngjitur” në vendin e tretë të Grupit 10, duke lënë mbas Irlandën dhe Gjeorgjinë. E kjo na kujton situatën mbas fitores 2-0 me Greqinë më 2000. Papritmas Dossena u gjallërua, jo i bindur për vërtetësinë “e fortë” të kësaj renditjeje që kur deri Shqipëria nuk e kishte arritur në përfundim të një gare të saj për kampionatet europiane e botërore në një grup me 5-6 skuadra, por më tepër prej një llogarie gjithmonë racionale që bëjnë sidomos trajnerët italianë në ecurinë e skuadrave që drejtojnë në turne.

– Le ta shohim ndeshjen më konkretisht,- më thotë Dossena.- Ne e kemi analizuar menjëherë ate në hotel. Unë ndihem krenar për mënyrën se si u impostua në fushë skuadra jonë përballë një gjiganti siç është dhe ishte kjo Rusi e shkëlqyer. Pjesa e parë e patë besoj, se ç’qe në shpejtësi, në lëvizjet, në golat. Dhe mandej gabimet, gabime që të gjitha individuale, jo shkak loje. Kujtojini me radhë se si i pësuam golat. Pothuajse të gjithë në gjendje statike të lojës, pra nga goditjet e lira prej gabimeve të individëve, që dihet futbolli i ka pjesë të tij edhe këto.

Kishte shkruar gazeta sportive e Rusisë pa pikë mëshire: “Sot në Stadiumin ‘Rotor’ të Vollgogradit, Kombëtarja e Rusisë takon skuadrën e Shqipërisë. 60 vjet më parë në këtë Stalingrad vendosej fati i atdheut. Sot në vend të tij vendoset nderi i futbollit”.

Beppe Dossena sapo ishte paraqitur në skenën e futbollit të Kombëtares së Shqipërisë, duke iu dorëzuar “betejës së Stalingradit”. Ai ende nuk e kishte marrë krejtësisht ndër duar rolin e tij të madh. Shqipëria ishte megjithatë e treta në grup! Nuk parashikohej nëse ky paradoks i bukur mund të shndërrohej në logjikën e një realiteti të shpejtë të së ardhmes. Ndoshta duhej pritur edhe pak… E, ai dukej i qetë megjithatë, ndonëse në sy sikur i vihej re një mëdyshje…

dosena

4. NJË DORËHEQJE E RRUFESHME DHE NJË INTERVISTË E QETË.

Krejt papritmas, më 11 nëntor 2002, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Giuseppe Dossena, nëpërmjet një letre drejtuar Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, do të njoftonte dorëheqjen nga Kombëtarja e Shqipërisë me motivacionin e mospërshtatjes me mjedisin shqiptar përreth Kombëtares. Presidenti Duka deklaronte se ai nuk ia kishte pranuar dorëheqjen trajnerit Dossena, duke e bërë shkaktar të njëanshëm të prishjes së planeve në vazhdimësi të synimeve të Kombëtares së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Presidenti i FSHF-së, Duka, shtoi se Dossena ia kishte kërkuar largimin menjëherë mbas ndeshjes me Rusinë, fakt që e bënte edhe më të ndërlikuar gjithë këtë ngjarje të rrallë për historinë e Kombëtares së Shqipërisë. Dihej që trajneri Dossena kishte nënshkruar një kontratë 18-mujore me FSHF-në për shumën e 200.000 dollarëve, prej të cilave ai kishte marrë 90.000 dhe njoftohej ndërkaq se nga shifra e marrë ai do të kthente një pjesë të tyre. Sot e kësaj dite nuk mund nuk mund të kuptohet deri në imtësi ajo dorëheqje e rrufeshme e tij.

Ndërkaq, Dossena nuk gjindej ku ishte. Më në fund arrita të lidhesha me te. I kërkova një intervistë. Si të thuash, një intervistë lamtumire. Me mirësjellje ai qe i gatshëm, teksa pranoi pyetjet. Sot mbas 15 vjetëve po e ribotoj këtë intervistë, edhe sepse ajo bën pjesë në historinë e Kombëtares së Shqipërisë e përkujtuar sot në kulmin e saj sa shqiptar aq dhe italian. Është dyshja në largësi 15-vjeçare, kjo Beppe Dossena– Gianni De Biasi. Në njëfarë mënyre, “i dështuari” dhe fitimtari. Italiani i parë dhe italiani “i fundit”?…

E tash le të rikujtojmë së bashku se si fliste dhe gjykonte 15 vjet më parë, trajneri i parë i huaj i Shqipërisë në ndeshjet kualifikuese eurobotërore:

Z.Dossena, pse kjo dorëheqje e papritur nga Kombëtarja e Shqipërisë?

Zgjedhja për të dhënë dorëheqjen është pjekur tek unë qysh mbas ndeshjes me Rusinë, por në përgjithësi, për shkak të presioneve të vazhdueshme të ardhura nga një pjesë e shtypit lokal. Presione që më kanë hequr qetësinë e domosdoshme për të zhvilluar punën time. Nuk e gjej të drejtë ndërkaq, këtë dorëheqje, për pasojat që i kam shkaktuar një njeriu të mirë dhe tejet të ekuilibruar, siç është presidenti Armand Duka.

Mos është një shkak financiar?

Gjithë këto konkluzione të dëmshme për sa i përket natyrës së kontratës ekonomike, e përcaktuar si “e një miliarderi të padenjë”, së bashku me kërkesën e një pranie të vazhdueshme në tokën shqiptare, nuk më lejonin një ushtrim të qetë të profesionit tim. Kuptoja ndërkaq se presidenti kishte filluar të ndihej në vështirësi dhe e gjithë kjo natyrisht po më çonte në prishjen e lidhjeve me një njeri, që e dua thellësisht dhe ndaj të cilit ushqej një respekt të jashtëzakonshëm.

A është normale dorëheqja juaj kështu larg, pa një konferencë shtypi në Tiranë?

Kam takuar në Tiranë shumë njerëz të një kulture dhe civilizimi të madh. Ju kërkoj të falura për mënyrën me të cilën i kam lënë, por edhe po të kisha ardhur në Tiranë për një konferencë shtypi, jam i sigurt se fjalët e mia në njëfarë mënyre do të ishin instrumentalizuar. Kam pritur që presidenti të kthehej nga SHBA-të për ta informuar për mendimin tim që kisha, për të dorëzuar detyrën, dhe kam dërguar një letër përmes së cilës formulova dorëheqjen time. Edhe koha e dorëheqjes mua më duket e përshtatshme, sepse në të vërtetë, si kohë, janë të gjitha mundësitë për të përgatitur ndeshjet e ardhshme të Kombëtares së futbollit.

Në Shqipëri ju quajnë një “tradhtar”, sepse gjithçka ju e keni bërë për hir të ofertës së klubit libian “Ittihad”…

Shkaqe të tjera, përveç atyre që thashë më sipër, nuk ka. Për sa u përket kontakteve të mia të mundshme me klube të tjera, apo dhe me kombëtare të tjera, të gjitha këto bëjnë pjesë në lojën e profesionit dhe të lidhjeve normale që një trajner është i detyruar të mbajë me botën e futbollit. Gjithmonë mendoj se një njeri duhet të shtyhet nga motive për të zhvilluar çfarëdolloj veprimtarie. Nuk e kam zgjedhur Shqipërinë thjesht për një çështje ekonomike. Ajo çka më bindi të vi, kanë qenë fjalët dhe sjellja e z.Armand Duka dhe kam qenë i bindur se mund ta ushtroja profesionin tim me gjithë kthjelltësinë e duhur.

Sa ka ndikuar në këtë vendim ndeshja me Rusinë?

E vërteta është se, mbas ndeshjes me Rusinë, filloi të ndihej një atmosferë tjetër, asgjë e veçantë mbase, por nga përvoja fillova të ndiej tingëllimën e parë të kambanës së alarmit. Mendova se ishte më mirë të ndalesha më parë, dhe le të zemërohej presidenti për këtë vendim timin, në vend që më vonë ta shihja atë po në këto kushte, por tashmë për shkak të mënyrës së gabuar të ushtrimit të detyrës profesionale. Për të gjykuar duhet të nisemi nga rezultatet, jo nga sjelljet apo gjendjet shpirtërore personale të trajnerëve. Mendoj megjithatë, se në Rusi rrallë mund të ndodhë që të shohësh një skuadër si Shqipëria që të luajë me aq personalitet.

Dhe pra, çfarë mendoni për futbollin shqiptar dhe Kombëtaren e tij?

Jam i bindur se futbolli shqiptar mund të rezistojë bukur në garat e mëdha europiane po të vazhdojë të ruajë këtë ide programimi. Veçse për ta realizuar një gjë të tillë, nuk është i mjaftueshëm impenjimi i presidentit federal, por që pranë tij duhet të ketë persona të cilët ta mbështesin atë dhe që ta shndërrojnë në konkrete gjithë vështrimin strategjik. Dhe, ashtu siç po shkonin punët, mendova se duke qëndruar do t’i bëja një shërbim të keq presidenti të Federatës dhe vendit. Por më mirë dëmi i dorëheqjes sesa pesha e madhe e humbjeve të panderuara. Besueshmëria e futbollit shqiptar në gjithë Europën është ngritur mjaft, por për çudi, kjo ndihet pak në vetë Shqipërinë, për shkak të xhelozive infantile dhe interesave personale aspak bindëse.

Me ç’ndjenjë largoheni nga Shqipëria?

Vendi është pranë ndryshimeve të mëdha dhe kam mundur të konstatoj se ka njerëz të cilët janë të gatshëm ta ndërmarrin këtë sfidë, njerëz kurajozë dhe shumë të motivuar, të cilëve unë iu blatoj respektin dhe mirënjohjen time. Kam gjetur në popull një dinjitet kryelartë dhe një krenari të pashkëputshme. Duke më munguar motivet e nevojshme për të qenë në lartësinë e të gjithëve, largohem duke marrë me vete respektin dhe mirënjohjen e pakufishme për çka ata po bëjnë drejt zhvillimit. Shpresoj që Zoti do t’u japë kthjelltësinë e nevojshme për të mbërritur gjithë synimet drejt të cilave jeni orientuar.

12 nëntor 2002

5. SUNDIMI I TRAJNERËVE TË HUAJ DHE MPAKJA E TRAJNERËVE SHQIPTARË.

Një intervistë e rrallë, elegante, por edhe tronditëse, e ndoshta me jo pak probleme që mund të qëndrojnë aty këtu edhe për sot! Dhe mbërrita kështu te ky kapitull i pestë i kësaj retrospektive dhe “zbuloj” në të aktualitetin e saj me risinë e “zbulimit” se në 15 vjet të tana për herë të parë në historinë e saj skuadra Kombëtare e Shqipërisë nuk drejtohet nga asnjë trajner shqiptar. Dhe e vërteta e pamohueshme: ky drejtim ka justifikuar plotësisht. Me trajnerët e huaj, Kombëtarja bëri shndërrimin e saj të bukur që për një vend të vogël si Shqipëria vërtet përbën një arritje historike.

Nëse kujton ardhjen e të parit, që është Beppe Dossena, i një fillimi kontrastues midis bukurisë së ndeshjes me Zvicrën dhe rënies së Vollgogradit me Rusinë, e mandej sundimin e italianit të dytë, që është Gianni De Biasi, sot i njohur në gjithë botën për ngjitjen e Shqipërisë së vogël në finalet (fundore) e një Kampionati Europian, edhe më fort kupton se ky sundim “i huaj” në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë është i përligjur. Pa harruar ndërkaq se një histori italiane kapricioze, por e bukur, sillet rreth nesh.

Starti italian (Dossena). Arritja italiane (De Biasi) dhe një fakt “i vogël” i këtyre ditëve që aspak nuk është i vogël, që na thotë se për herë të parë historisë sonë, plot 10 lojtarë shqiptarë vijnë nga kampionatet e Italisë për një ndeshje kualifikuese eurobotërore, flet shumë nën këtë ide.

Janë Berisha, Th.Strakosha, Djimsiti, Hysaj, Ajeti, Veseli, Basha, Memushaj, Çani, Manaj! Ndonëse me një të metë të madhe: asnjeri i dalë prej farishtes së futbollit të Republikës së Shqipërisë! Kjo është dhe do të jetë tema në vazhdim e jona, natyrisht. Por që ky Dossier që vjen prej thellësive të një arkivi, nuk e ka këtë synim. Ka synimin e tregimit të një historie për mos harresë. Dhe po e mbyllim me renditjen tonë të trajnerëve të huaj në këtë 15-vjetor, vetëm për ndeshjet e kualifikuese eurobotërore:

tabela dizdari

Nuk është gjithçka kjo statistikë kryefortë, por tregon shumë. Dhe më bindësja është epërsia rezultative apo e suksesit e trajnerit Gianni De Biasi. Por edhe ajo e Hans Peter Briegel-it. Mua për vete, tash për tash, nuk më shkon mendja se trajnerët e huaj mund t’u dalin rivalë nga Shqipëria. Ndonëse as kjo nuk mund të jetë absolute. E vërteta është se trajnerët shqiptarë në rrugëtimin e formimit ndërkombëtar të tyre janë disi të mënjanuar.

Dhe për shumë arsye, për paraqitjen e të cilave nuk është synimi i këtij shkrimi. Dhe arsyet janë sa teknike, po aq dhe shoqërore, sa etike të ndërhyrjeve të tipit “shqiptar”, aq dhe të atij financiar, sa të një përvoje po aq dhe të një autoriteti të zbehur të trajnerit shqiptar. Dhe e fundit: sa për faj të tyre vetjak, po aq dhe për faj të mbështetjes federaliste. Për fat, kemi shumë trajnerë shqiptarë analistë të Kombëtares, por nuk kemi trajnerë shqiptarë të Kombëtares. Një problem i madh që u përpoq ta shtjellonte edhe ky Dossier i 15 vjetëve rresht të Shqipërisë pa një trajner Kombëtares nga Shqipëria.

Nga BESNIK DIZDARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura