Në prag të ndeshjes me Armeninë, lojtarët e kombëtares shqiptare falen në xhami

Mar 27, 2015 | 14:17
SHPËRNDAJE

Në prag të ndeshjes kundër ekipit kombëtar të Armenisë, lojtarët e skuadrës shqiptare të futbollit, janë falur këtë të premte në xhami.

“Në Xhuma më bashkëlojtarët e Kombetares”, shkruan futbollisti Ermir Lenjani në Facebook, ku ka postuar edhe fotografinë e mëposhtme:

Kombëtarja shqiptare e futbollit falet në xhami para ndeshjes me Armeninë

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha e ka cilësuar përballjen me armenët si një ndeshje tejet deçisive për vazhdimësinë e ekipit dhe gjithashtu pranon se ndjen përgjegjësi mbi supe për të mbajtur të mbyllur portën dhe për të mos pësuar gol në këtë sfidë.

“Luajmë përballë një kundërshtari mjaft të rrezikshëm dhe që pikën më të fortë ka kundërsulmet. Prandaj duhet të tregohemi sa më të vëmendshëm dhe të bëjmë sa më pak gabime. Personalisht ndjej përgjegjesi dhe kam punuar shumë psikologjikisht për të mos pësuar gol në këtë përballje. Kam besim se duke dhënë maksimumin do të dalim me 3 pikë të plota nga kjo sfidë”, u shpreh Berisha pak ditë më parë në një konferencë shtypi.

Mbrojtësi Ansi Agolli ka deklaruar se skuadra nuk ndjen aspak presion para kësaj ndeshje dhe theksoi gjithashtu se i gjithë Azerbajzhani do të bëjë tifo për Shqipërinë kjo për shkak të konfliktit që ka me Armeninë.

Ndeshja do të luhet ditën e dielë, datë 29 mars 2015, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 18:00. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura