Motra e të vrarës në Amsterdam: Pse dyshoj te bashkëshorti dhe kunati

Mar 29, 2016 | 12:19

Zyra Hida do të festonte 50-vjetorin në 21 korrik të këtij viti, nëse do të ishte gjallë. Nëna e 3 fëmijëve të rritur tashmë u identifikua si viktima e gjetur pa jetë në një lagje të Amsterdamit, në Holandë, në vitin 1997.

Xhuljeta Hida, motra e viktimës
Xhuljeta Hida, motra e viktimës

Motra e Zyrasë, e cila ka një diferencë të vogël moshe me të, Xhuljeta, rrëfen se nga frika e trafikantëve nuk mundën që të vazhdonin më tej kërkimet për motrën e tyre të zhdukur.

Ajo jeton në një banesë të vogël në lagjen “11 Nëntori” të qytetit të Elbasanit, bashkë me vëllanë më të vogël, si edhe dy djemtë e Zyrasë, tashmë të rritur. Ka qenë një gjendje me të vërtetë shoku për ta kur kanë parë fotografinë e viktimës në televizor, e cila dukej e shtrirë, e pajetë.

Menjëherë pas kësaj, djemtë e viktimës, bashkë me motrën e saj, Xhuljetën, kanë shkuar dhe kanë identifikuar motrën dhe nënën e tyre nëpërmjet një fotoje ku edhe shfaqej trupi i pajetë i Zyrasë.

Mes dhimbjes, ankthit, Xhuljeta, pasi ka identifikuar motrën e saj, rrëfen edhe për vuajtjet e saj që në moshë të vogël e deri në momentin që ajo u largua nga Shqipëria për të mos u kthyer më kurrë.

Kur është larguar Zyraja nga Shqipëria?

Në vitin 1995, Zyraja vendosi të largohej nga Elbasani dhe për herë të parë ishte muaji nëntor ku edhe më telefonoi e më tha se ndodhej në Romë të Italisë dhe se për të kujdesej një djalë me emrin Titi.

Cila është historia e jetës së Zyrasë?

Ne jemi gjashtë fëmijë dhe për shkak edhe të gjendjes ekonomike, Zyraja u martua që në moshën 14 vjeçe në fshatin Muriqan të Cërrikut me Petrit Banushin, i cili ishte disa vite më i madh se motra.

Si shkonte Zyraja me bashkëshortin?

Që pas martesës, Zyraja kaloi me të vërtetë një jetë shumë të dhimbshme dhe me plot vuajtje. Bashkëshorti i saj ishte shumë i keq, dhe e dhunonte atë. Zyraja vendosi që të divorcohej me Petritin, dhe bashkë me tre fëmijët e vegjël erdhën te mamaja ime. Por mamaja dhe vëllai i vogël nuk ishin dakord me këtë ndarje dhe pas rreth katër vitesh, motra ime vendosi të ribashkohej me Petritin.

Si vazhdoi lidhja e tyre më pas?

Edhe pse nuk u martuan sërish me letra, ata vendosën të jetonin bashkë. Lanë fshatin dhe vendosën që të jetonin te motra e Petritit në periferi të Elbasanit, e cila ishte e martuar. Këtu nisin edhe vuajtjet më të mëdha të motrës sime.

Çfarë ndodhi më pas?

Motra erdhi tek unë në Tiranë, qëndroi një javë atje dhe më tha se jetesa në atë familje ishte thuajse e pamundur. Ajo nisi të vuante sepse kunati i saj, burri i motrës së Petritit, trafikonte vajza në Itali dhe në Greqi. Madje edhe Petriti nisi të kryente këtë punë të pistë.

Si e priti motra juaj këtë fakt?

Zyraja më tha se Petriti i çonte femrat në shtëpi dhe më pas i trafikonte. Kunata i thoshte Zyrasë që një natë Petriti duhej të flinte me të dhe një natë tjetër me vajza të ndryshme që më pas i trafikonin.

Si u largua Zyraja drejt Italisë?

Pasi nuk gjeti mbështetjen e familjes, Zyraja ra në marrëveshje me bashkëshortin e saj që të shkonin bashkë në Itali, ndoshta për një jetë më të mirë. Por më pas ne mësuam se Zyraja ishte shitur për 1 milion lekë të vjetra, dhe ende nuk jemi të qartë se atë e shiti bashkëshorti i saj, apo si ka ndodhur ndryshe.

Kur nisët të kontaktonit me Zyranë?

Atë kohë Zyraja ishte 30 vjeçe dhe disa muaj pasi ishte larguar, në muajin nëntor të vitit 1996, Zyraja telefonon në spital, aty ku punonte babai, dhe i tregon se është në Romë të Italisë. Më pas ne folëm me të dhe na tha se për të kujdesej një djalë me emrin Titi. Po atë vit, në Vit të Ri, Zyraja solli 600 mijë lekë të vjetra dhe na premtoi se do të dërgonte sërish para për fëmijët që tashmë ndodheshin te nëna ime. Pasi me bashkëshortin e saj Zyraja solli në jetë tre djem.

Kur i humbët kontaktet me të?

Ajo mori edhe tri herë të tjera në telefon, dhe biseda e fundit që kemi pasur me të ka qenë data 10 mars e vitit 1997. Ajo tregonte se ishte mirë, ishte e paktë në fjalë dhe kur pritëm që ajo të merrte sërish dhe ajo nuk telefonoi, ne i binim vetë numrit që ajo na kishte lënë, por asnjëherë pas asaj dite nuk ia dëgjuam zërin.

Si vepruat më pas?

Pasi pritëm shumë kohë dhe nuk morëm asnjë haber nga Zyraja, vendosëm që ta denonconim në Polici si të humbur. Pas denoncimit, pritëm gjatë që të merrnim një përgjigje të mirë nga Policia, por nuk u mësua asgjë deri ditën e sotme, kur gazetarët holandezë kërkuan ndihmën e një televizioni për të gjetur identitetin e saj.

Kërkuat në vende të tjera për Zyranë?

Kërkuam nga bashkëshorti, por ai asnjëherë nuk e ka pranuar që është larguar me të. Madje, ai tashmë ka nisur një jetë të re dhe bashkë me të jeton një nga tre djemtë. Kishim frikë të kërkonim pasi ishte koha që trafikantët të vrisnin apo të rrëmbenin, dhe kështu ia lamë në dorë Policisë që ta gjente.

Pse fajësoni nënën dhe vëllain për zhdukjen e Zyrasë?

Po, dhe nuk do t’ua fal kurrë. Ishin ata që e detyruan motrën të marrë këtë rrugë, pasi asnjëherë nuk e pranuan në banesë, edhe pse e dinin që ajo vuante te bashkëshorti.

Po tashmë që mësuat për vdekjen e saj?

Tashmë nga një anë jemi të qetë, pasi deri më tani e kemi qarë motrën dhe kishim në shtëpi një varr të hapur. Tani i lutemi shtetit që të bëjë të mundur që eshtrat e saj të vijnë në Elbasan, me qëllim që edhe ne të kemi një varr për motrën tonë dhe të kemi mundësi që t’i çojmë një tufë lule. Më vjen keq se ka vuajtur edhe duke vdekur.

Miranda Sadiku 

© Panorama.al

Te lidhura