Ministrja Balluku firmos shtesën e kontratës me koncesionarin e kolaudimit të automjeteve. Ja çfarë u vendos

Sep 4, 2019 | 15:37
SHPËRNDAJE

belinda balluku, ministrjaMinistria e Infrastrukturës dhe Energjetikes ka firmosur shtimin me një vit të kontratës me kompaninë që kryen kolaudimin e automjeteve në Shqipëri. Kontrata me “SGS Automotive Albania” do të jetë e vlefshme deri në 31 dhjetor të vitit 2020.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e autoritetit kontraktues, ka nënshkruar një shtesë afati të kontratës me shoqërinë “SGS Automotive Albania”, si pjesë përbërëse e Kontratës së Koncensionit “Për dhënien me koncension të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë”.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, parashikimet e Kontratës bazë të Koncensionit si dhe kërkesën e shoqërisë “SGS Automotive Albania”, përfaqësuesit e MIE kanë zhvilluar disa takime negociuese me përfaqësuesit e kompanisë koncensionare, në lidhje me shtyrjen e afatit të kontratës.

Në përfundim të këtyre takimeve u vendos të nënshkruhej kontrata shtesë e Koncensionit, në të cilët palët kanë rënë dakord për ndryshimin e përfundimit të kontratës duke vendosur afatin e ri deri më datën 31.12 2020.
Në kontratën shtesë përcaktohet se përgjatë periudhës koncensionare Autoriteti Kontraktues, në kuadër të liberalizimit të tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, mund të kryejë procedurat për lidhjen e një kontratë/marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, e cila do të nënshkruhet pasi të zgjidhet kontrata koncensionare.

Në këtë rast Autoriteti Kontraktues duhet të njoftojë koncensionarin 3 muaj para nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik. Me përfundimin e afatit 3 mujor të njoftimit, kjo kontratë koncensionare konsiderohet e zgjidhur dhe koncensionari heq dorë nga çdo pretendim për këtë zgjidhje të kontratës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

maki

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura