Mbrojtësi i Dinamos rrëfen tmerrin: Si e theva hundën në Peqin dhe mjeku pinte raki

Dec 16, 2015 | 21:14
SHPËRNDAJE

Një histori e çuditshme dhe e dhimbshme njëkohësisht. Është nga ato ngjarje që nxjerr në pah problemet e shumta të institucioneve shqiptare kur e gjitha nis nga një ndeshje futbolli.

Buzi12Historia e mbrojtësit të Dinamos, Orgest Buzi, është e rëndë, në një kohë që lojtari tregon gjithçka i ndodhi në ndeshjen e kaluar në Peqin. Ai rrëfen skandalin me mjekun në Spitalin e Peqinit dhe mungesën e një autoambulance për ta transportuar në Tiranë, në një kohë që kishte thyer hundën.

Përplasja

Në minutën e 17-të të sfidës Shkumbini-Dinamo, ka një dyluftim për topin dhe Buzi ndërhyn me kokë, në një kohë që mbrojtësi vendës Ervis Kafazi ngre këmbën dhe e godet rëndë kundërshtarin në fytyrë.

Mbrojtësi dinamovit përfundon i shtrirë në fushë i shpërfytyruar dhe me dëmtime të rënda.

Thyerje hunde është pasoja për mbrojtësin Buzi. Ndërhyn menjëherë mjeku i skuadrës dhe e transportojnë lojtarin në spitalin rajonal të Peqinit. Ndërsa arbitri kryesor Olsi Sokoli u mjaftua vetëm me një karton të verdhë për këtë ndërhyrje shumë të rëndë.

Rrëfimi

Pikërisht këtu nis edhe skandali që Buzi rrëfen për gazetën “Panorama Sport”. “Pas goditjes që mora në fytyrë nga lojtari kundërshtar, rashë në tokë. Ndërhyrja ishte aq e rëndë sa m’u thye hunda dhe gati sa nuk kam humbur ndjenjat. Më transportojnë me ambulancë për në spital.

Sapo shkuam aty, isha përmendur, por hemorragjia dhe dhimbjet nuk pushonin. Mjeku përkatës nuk ndodhej në spital dhe shkuan e thirrën dhe pritëm derisa ai erdhi.

Mora një mjekim minimal ku zotëria me bluzë të bardhë vinte era raki dhe bënte kompetentin vetëm me fjalë. Më rekomanduan të nisesha për në Tiranë me urgjencë, por spitali i Peqinit kishte vetëm një ambulancë në dispozicion, atë që më transportoi mua nga stadiumi.

Por, mjeti duhej të rikthehej sërish në stadium, pasi në të kundërt ndërpritej ndeshja. Ishte një moment shumë i vështirë, ku mua m’u desh të kthehesha sërish në stadium për të gjetur mënyrën që të udhë- toja drejt Tiranës.

Nuk kishte as taksi. I kërkuam policisë ndihmë për transport, por nuk na ndihmuan, për shkaqe që nuk i di. Fat që një tifoz i yni doli vullnetar dhe më shoqëroi me makinën e tij nga Peqini drejt spitalit në Tiranë”, tregon fillimisht Buzi atë që përjetoi në Peqin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura