Ligji i ri për turizmin, si do vendosen yjet e hoteleve

Jul 25, 2015 | 11:45
SHPËRNDAJE

Të gjitha subjektet që operojnë në sipërmarrjet turistike, resorte, hotele e motele, duhet t’i nënshtrohen procesit të klasifikimit të akomodimit, ose siç njihet ndryshe procesi i vendosjes së “yjeve”. Ky proces do të nisë pas miratimit të projektligjit të ri “Për turizmin”, që do të miratohet në seancën e posaçme të ditës së hënë. Projektligji i shumëdebatuar i “Turizmit”, do t’i japë të drejtë qeverisë që të miratojë certifikata klasifikimi për cilësinë e subjekteve për një afat kohor 4-vjeçar.

veprimtari prodhuese
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese

Në variantin e parë të Qeverisë, të drejtën për të dhënë certifikimin e cilësisë së hoteleve dhe resorteve e kishte ministri i Ekonomisë dhe Turizmit, por komisionet parlamentare, ai i Ligjeve dhe i Veprimtarisë Prodhuese, ia kanë hequr këtë të drejtë ministrit, duke ia kaluar Këshillit të Ministrave. Kostot për procesin e certifikimit të cilësisë do të hiqen nga operatorët turistikë në çdo rast.

“Certifikata e klasifikimit është e vlefshme për një periudhë 4- vjeçare, me të drejtë rinovimi brenda 30 ditëve nga afati i mbarimit të vlefshmërisë së saj. Pika 5 të riformulohet si vijon: “5. Kushtet, kriteret, afatet, tarifat, si dhe procedura për klasifikimin e strukturave akomoduese, përcaktohen me rregulloren përkatëse, që miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Turizmin”, thuhet në projektligjin e turizmit.

PRONAT TURISTIKE
Me ligjin e ri, qeverisë i lind e drejta që të marrë në administrim dhe pasuritë e paluajtshme me përparësi turizmin dhe ato që klasifikohen me përparësi kombëtare, që ndodhën në varësi të pushtetit vendor.

“Këshilli i Ministrave, rast pas rasti, miraton me vendim të veçantë transferimin, në favor të shtetit, të pasurive të paluajtshme në pronë- si të njësive të qeverisjes vendore. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Turizmin, miraton dhënien në përdorim të pasurive të paluajtshme shtetërore për projekte investuese në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Kohëzgjatja e dhënies në përdorim është deri në 99 vjet. Dhënia në përdorim e pasurive të paluajtshme shtetërore mund të bëhet edhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 euro. Rregullat, procedurat dhe mënyrat e dhënies në përdorim të pasurive të paluajtshme shtetërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin e ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura