Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare piktori i njohur Sali Shijaku, i biri jep lajmin e hidhur

Sep 24, 2022 | 8:57
SHPËRNDAJE

Piktori i njohur Sali Shijaku ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Lajmin e ka bërë me dije në një postim në rrjetet sociale djali i rij, Orges Shijaku.

“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për humbjen nga kjo jetë të babait tonë piktorit te Popullit, Nderit te Kombit Shqiptar Sali Shijaku”, shkruan ai.

salo shijaku

Sali Shijaku lindi në Tiranë, më 12 mars 1933. Ai ishte piktor i nderuar me titujt “Artist i Merituar”, “Piktor i Popullit”.

Foto e publikuar nga djali i Sali Shijakut, ne rrjetet sociale
Foto e publikuar nga djali i Sali Shijakut, ne rrjetet sociale

Sali Shijaku u lind në një familje tregtari të vogël. Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, të cilin e mbaroi më 1952-shin, me pedagogët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç Joganson, një piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë “Tretjakov” në Moskë.

Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë.

E filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.

Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: “Portret vajze” (1953, GKA), “Kostum tiranseje” (1952, GKA), duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj.

Vepra e “Piktorit të Popullit”, Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura.

Kështu, tabloja “Partizanët e batalionit – Hakmarrja” (1966), kishte prirje të fuqishme për thellimin psikologjik të personazheve, të cilat, edhe pse me qëndrim statik, evidentonin forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës.

E veçanta në këtë tablo ishte paraqitja jo e plotë e personazheve të saj, një hap ky mjaft i guximshëm për kohën kur u krijua vepra.

Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja “Mic Sokoli” 1969, e “shkëputi” artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh njëfigurëshe.

Figurat e pikturuara të përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969), të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, “Nora e Kelmendit” 1981), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983).

Ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo-ekspresive.

Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare.

Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”.

Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi.

Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura