Kursimet 1 mln USD të Pezës/ Ish-kolegët: Gazetaria s’të bën të pasur

Jan 15, 2017 | 8:04
SHPËRNDAJE

Disa prej gazetarëve kryesorë të medias shqiptare kanë reaguar sot lidhur me pasurinë e deklaruar si kursime prej rreth 1 milion dollarë të ish-kolegut të tyre, Alfred Peza, e cila u përdor për blerje aksionesh në një bankë private nga bashkëshortja e tij.

Blendi Fevziu i “Opinion” në TV Klan, një prej gazetarëve më të paguar në vend dhe që ndryshe nga të tjerët, zotëron një pasuri të trashëguar, të cilën e menaxhon prej shumë vitesh; Andi Bejtja, një nga drejtuesit e disa mediave kryesore në vend; Saimir Kodra, drejtuesi i emisionit “STOP” në TV Klan si edhe gazetari i kronikës, drejtuesi i emisionit “Xhungël” në “News 24”, Artan Hoxha janë shprehur sot se profesioni i gazetarit nuk mund të të bëjë të pasur.

Në reagimin e tij, deputeti Peza ka pranuar faktin e blerjes nga ana e bashkëshortes së tij së aksioneve të një banke me vlerë rreth 1 milionë dollarë, por ka theksuar se këto para janë kursimet e tyre dhe se kjo pasuri nuk ka të bëjë me pozicionin e tij si deputeti i Parlamentit të Shqipërisë.

Reagimet e ish-kolegëve të Alfred Pezës

BLENDI-fevziu-14
BLENDI FEVZIU
Unë kam shumë prona që administroj, por nuk mund të kem cash 1 milion dollarë.

bej
ANDI BEJTJA
Nëqoftëse do flas për vete jo vetëm nuk bëhet fjalë që ta kem këtë shifer, po kam dhe borxhe dhe kredira. Vërtet mund të jem paguar mirë në këto vite, por nga ana tjetër kam pasur dhe shumë momente pa punë fikse, ashtu sikurse dhe shumë probleme shëndetësore që kanë ndikuar në ekonominë time. Për njerëzit nuk ka shumë rëndësi sa lekë mund të kem unë personalisht, ti apo tjetri. Njoh dhe gazetarë që kanë marrë 20 mijë euro në muaj dhe nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë 1 milionë USD, sikurse njoh dhe gazetarë me prona të mëdha që edhe mund t’i kenë bërë kaq lekë, edhe mund të mos i kenë bërë. Këto nuk kanë rëndësi për publikun dhe për shoqërinë, rëndësi ka të funksionojë shteti ligjor, ç’ka do të thotë që në momentin kur ti depoziton kaq miliarda lekë në një bankë, banka të kërkojë verifikimin e origjinës së lekëve, e kështu çdo hallkë të bëjë punën e vet konform ligjit.
Nuk dua të paragjykoj askënd për pasurinë që mund të ketë vënë, nëqoftëse shteti në rastin që keni ngritur ju ka bërë punën e duhur atëherë nuk kemi çfarë flasim. Nëqoftëse nuk e ka bërë është një histori ku duhen penalizuar shumë aktorë, jo vetëm një. Ka shumë njerëz të thjeshtë që e kanë të vështirë të depozitojnë mbi 10 mijë euro në një banke, ka me dhjetra njerez të thjeshtë që kanë ikur nga administrata shtetërore se nuk kanë deklaruar 1000 euro në formularin e deklarimit të pasurisë e shumë raste si këto. Kështu që sa të rrimë e të tregojmë sa lekë ka njëri, sa lekë ka tjetri, është më korrekte të kërkojmë zbatimin e ligjit. Nëqoftëse kjo nuk është bërë, kjo është skandaloze!

maxresdefault-8
SAIMIR KODRA
Prej gati 20 vjetësh jam ndoshta një nga njerëzit më të paguar në media, për shkak të punës në sektorin privat. Kam librezën e punës dhe kam paguar taksat, kontributet në shtet, edhe pse kam qenë i mirëpaguar nuk mund të kem kurrë mundësinë që të kem 1 milionë dollarë, disa shtëpi, disa makina, fëmijët jashtë shtetit, apo të tjera përfitime që kanë ministrat dhe deputetët. Prandaj të lutem mos bëni shaka.

artan-hoxha-420x220
ARTAN HOXHA
Në të vërtetë unë nuk kam asnjë llogari bankare përveç asaj ku marr rrogën si gazetar i “News 24”. Dhe aty sapo kalon rroga e tërheq të gjithën, pasi më nevojitet për shpenzimet e përditshme të familjes dhe shkollën e djalit. Kështu praktikisht unë kam 0 lekë kursime në bankë edhe pse kam hyrë në vitin e 21-të në karrieren time si gazetar. Për fat të mire media ku punoj prej 19 vitesh ka qenë gjithnjë korrekte me pagesat dhe kjo më ka shpëtuar nga një siklet më i madh.
Që në fillim kur kam nisur këtë profesion, kolegët më të vjetër më kanë thënë se: Ky profesion mund të të bëjë të famshëm, por jo të pasur. Ndërsa kolosi i gazetarisë italiane, Indro Montaneli ka një shprehje brilante. Ai thotë: Nëse takon një gazetar të pasur mos i zer kurrë besë. /citynews.al/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura