Kurbneshi e Kaçinari drejt izolimit, dy orë për 20 km

SHPËRNDAJE

Fshatrat e Mirditës rrezikojnë të izolohen plotësisht, për shkak të amortizimit të rrugëve që i lidh ato me qendrën e Rrëshenit.

Mungesa e investimeve në këto segmente ka bërë që ato të shkatërrohen plotësisht e për rrjedhojë kalimi me mjete të vogla është i pamundur. Banorët lëvizin vetëm me mjete të rënda, furgonë apo fuoristrada.

Edhe për këto mjete kalimi kryhet mjaft me vështirësi, pasi rrugët pësojnë shembje pas çdo reshjeje, dhe jeta e pasagjerëve është gjithnjë në rrezik. Rrugët plot gropa janë kthyer në tmerr të banorëve, të cilët vetëm për rast sëmundjesh apo emergjencash mund të zbresin në Rrëshen.

Rruga Rrëshen-Kaçinar
Rruga Rrëshen-Kaçinar

Mjaft akse janë të shkatërruara deri në atë pikë sa vetëm për të përshkuar rreth 20 kilometra, duhen plot dy orë.

AKSI PËR KURBNESH Në Kurbnesh, i njohur dikur si qyteti i minatorëve për shkak të minierës së bakrit, nuk mund të shkosh me mjet të vogël. Veç një fuoristradë apo mjete të mëdha mund ta përshkojnë këtë aks të shkatërruar tashmë, në të cilin nuk është vënë dorë prej më shumë se dy dekadash.

Edhe për të shkuar në Lurë duhet përshkuar ky aks. Mjaft vizitorë të liqeneve të Lurës, por edhe qytetarë që shkojnë për “derman” te Kroi i Bardhë, pak kilometra larg Kurbneshit, thonë se rruga është skandaloze. “Shteti duhet të kishte vënë dorë në këtë rrugë me kohë. Po kufizohet ardhja e turistëve për të shkuar te liqenet e Lurës. Gjithashtu, mjaft qytetarë nga e gjithë Shqipëria kalojën këtu për të shkuar te Kroi i Bardhë.

Rruga Rrëshen-Kurbnesh
Rruga Rrëshen-Kurbnesh

Për këtë shkak, rruga duhej të ishte asfaltuar, pasi do t’i jepte zhvillim edhe kësaj zone që ka mbetur tejet e varfër edhe për shkak të mungesës së rrugëve”, shprehet një banor i Kurbneshit. Sipas tij, në stinën e dimrit rruga është mjaft e rrezikshme dhe mjaft fshatra të Selitës apo Kthellës thuajse janë të izoluara. Më e vështirë situata paraqitet për të sëmurët, të cilët për të marrë shërbimin mjekësor u duhet të ecin me orë të tëra.

AKSI PËR KAÇINAR Banorët e zonës së Kaçinarit po vuajnë çdo ditë mungesën e rrugëve. Askush nuk kujdeset as për mirëmbajtjen e tyre e për rrjedhojë gropat e shkarjet e dherave i bëjnë ato në mjaft vende thuajse të pakalueshme. E njëjta situatë paraqitet edhe në mjaft fshatra në Fan, aksi Rrëshen- Malaj etj.

“Rruga që të çon drejt fshatit tonë ka degraduar thuajse plotësisht. Lëvizja mund të kryhet vetëm me mjete të rënda, pasi nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Këtu nuk është investuar prej dekadash, por prej disa muajsh mungon edhe mirëmbajtja.

Rruga bllokohet disa herë, pasi ka rrëshqitje të dherave dhe askush nuk ndërhyn. Kemi qenë vetë në banorët që kemi ndërhyrë me forcat tona, pasi bashkia na ka harruar plotësisht. Këtu ka dhe persona të sëmurë që u duhet që të ikin për të marrë ndihmë mjekësore në Rrëshen.

Por që të përshkojmë 15 km rrugë, ne na duhet që të lëvizim dy orë me mjete të rënda. Kjo nuk është aspak normale që pushtetarët të vijnë këtu vetëm për të marrë votat dhe më pas të mos kujtohen për ne”, u shpreh Bardhok Lleshi, banor i Kaçinarit.

MIRDITE/ ELVIS HILA

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.