Kunati i Lul Berishës, në 26 shkurt nis gjyqi në Apel. Plaurent Dervishaj i shpëtoi burgut përjetë

Feb 22, 2015 | 21:24
SHPËRNDAJE

Plaurent Dervishaj

Mbërrin në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda dosja gjyqësore ndaj Plaurent Dervishajt, një prej personave më të kërkuar nga Drejtësia shqiptare, i akuzuar si një nga pjesëtarët e “bandës së Durrësit”.

Dervishaj, i njohur dhe si kunati i Lulëzim Berishës, do të rigjykohet në këtë Gjykatë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 16 korrik 2014, që prishi dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

“Prishjen e vendimit nr.45, datë 02.07.2012, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, për të gjykuarin Plaurent Dervishaj dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë Gjykatë me tjetër trup gjykues”, shprehej Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.

Mbërritja e dosjes së Dervishajt në Apelin e Krimeve u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës. Bëhet e ditur se seanca e parë e këtij procesi në Apel është caktuar më 26 shkurt në orën 09:30.

Dervishaj akuzohet për “vrasje me paramendim” në tri raste, “vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë në një rast, “vrasje me dashje” në katër raste, dy prej të cilave mbetur në tentativë. Arrestimi i anëtarëve të bandës në vitet 2005-2006 nuk e cenoi Dervishajn. Policia nuk ra asnjëherë në gjurmët e tij, për të ekzekutuar vendimin e masës së sigurisë “arrest në burg” caktuar në mungesë të tij. Gjykimi i tij te Krimet e Rënda u zhvillua po ashtu në mungesë të tij, në praninë e një avokati mbrojtës të zgjedhur nga familjarët, në të njëjtën dosje me të akuzuarit e tjerë si pjesë e bandës. Aktualisht, Dervishaj është i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Emri i tij radhitet në listën e të kërkuarve “wanted” në faqen e Interpolit. Në profilin e tij në web-sitin e Interpolit paraqiten dy foto të Dervishajt, gjeneralitetet e tij, si dhe karakteristikat fizike e trupore. Gjatë viteve të arratisë së tij janë hedhur dyshime se ai mund të fshihet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vendimin e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, i lënë më vonë i pandryshuar nga Apeli, Dervishaj fajësohej për vrasjen me paramendim të Dritan Sallakut më 17 tetor 1998 dhe të Marsel Sotirës më 22 gusht 1999. Ai u deklarua i fajshëm edhe për vrasjen me dashje të Viron Currit dhe Arjan Pajës, ndodhur më 29 tetor 1998 dhe tentativën e vrasjes së Ilir Nelajt dhe Agim Rexhepit më 17 tetor 1998. Në të njëjtin vendim ai fitoi parajësi për akuzat e tentativës së vrasjes së Eduart Ongarit dhe “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për “bandën”

Më 16 korrik 2014, Gjykata e Lartë shpalli vendimin përfundimtar të procesit gjyqësor ndaj “bandës së Durrësit”, duke rrëzuar tri burgime të përjetshme. Të pandehurit që i shpëtuan burgimit përjetë ishin Lulëzim Berisha, i cilësuar si kreu i “bandës”, Indrit Taullai dhe Plaurent Dervishaj. Për dy të parët, Kolegji Penal vendosi dënime me nga 25 vjet heqje lirie, ndërsa për Dervishajn rigjykim në Apel. I vetmi dënim me burgim të përjetshëm i mbetur i pandryshuar nga Gjykata e Lartë ishte ai ndaj të pandehurit Endrit Dokle. Gjykata e Lartë argumentonte se shkallët më të ulëta kishin gabuar, duke mos cilësuar dhe kualifikuar veprat penale për të cilat akuzoheshin të pandehurit, sipas ligjit të kohës së kryerjes së këtyre veprave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura