“Kuçedra” që po shterr lumenjtë e Shqipërisë

Aug 10, 2016 | 12:01
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Të gjithë shpresojnë se Shqipëria e nesërme do të jetë më e mirë dhe më e arrirë. Pjetër Budi e krahasonte me parajsën, Naim Frashëri donte të rronte e ta shihte zonjë. Por, siç po venë punët e më çka po na shohin sytë, nesër vendi ynë do të ketë humbur dhe të vetmen pasuri natyrore të mbetur deri tash pa u shkatërruar plotë- sisht nga tranzicioni, lumenjtë malorë, nga Jugu në Veri, se sa për ata fushorë ka kohë që u kanë dalë brinjët e shprishur, shtretërit, nga gllabërimi i inerteve.

Nuk do të ketë më rrjedhë të kaltër si “sy”, ujëvara, kanione, hurdha, hepe, zallnaje, peshq, por vetëm tuba të mëdhenj të çeliktë që përcjellin ujin “nëndheshëm” nga digat te turbinat e hidrocentraleve të panumërta. Nuk është vetëm Valbona, për të cilën po reagohet fatmirësisht fort, por edhe Vjosa, Mati, teksa Fani tashmë e ka humbur kuptimin, qoftë dhe për faktin se Fani i Vogël është devijuar me anë të një tuneli dhe rrjedh në gojën e hidrocentraleve të rinj mbi Fanin e Madh, siç nuk ka mbetur pa u prekur as Devolli.

Çfarë nuk e kanë bërë periudhat e lashta gjeologjike, mijëvjeçarët e trazuar, tërmetet nëntë ballësh, po e bën njeriu në dukje paqësor i shekullit XXI, ditën për diell, me firmën e qeverive të fundit, kinse po e nxjerrim vendin nga prapambetja ekonomike. Dikur në legjenda ishte kuçedra me shtatë krerë që i shterte krojet dhe burimet e kulluara të bjeshkëve, tani hajde e gjeja emrin, është “strategjia” e pompuar e superfuqisë energjetike, është korrupsioni me metastazat e tij kudo, është qeveria e pazonja për t’u përballur me interesat e sipërmarrjeve – apo ka dhe ajo pjesën e saj të dhjamosur?…

Ndryshe nuk ka si shpjegohet që publiku është gjithkund në këmbë për të mos i zaptuar lumenjtë betoni, kurse qeveria bën shurdhmemecin e madh për publikun, dhe pse është ajo që i hedh firmat e digave të reja.

Diktaturat dikur, dhe më pas ekonomia e tregut, më saktë “tregu i korrupsionit”, kanë qenë gjithnjë kundër lumenjve. Nëse regjimi komunist te ne i thau kënetat, duke krijuar një fytyrë të begatë të fushave bregdetare, por ndokund dhe dëmtoi në regjimin e lumenjve, Çaushesku pati planifikuar që ta thante deltën marramendëse të Danubit, rreth 150 mijë haishuj, laguna, lumenj, për ta kthyer në tokë prodhuese, por ose e kuptoi vetë aventurën apokaliptike që donte të ndërmerrte, ose nuk u lejua nga “bashkëpronarët” e tjerë të lumit paneuropian, pasi zhdukte një habitat të jashtëzakonshëm ekologjik flore, faune etj.

Mirëpo, natyrës së “virgjër” ballkanike nuk po i ndahen kërcënuesit “institucionalë” të tryezave ovale, ata që në të vërtetë duhet të jenë shpëtimtarët e saj. Sipas të dhënave të bëra publike nga organizma të specializuar europianë, parashihen 630 projekte hidrocentralesh nga Sllovenia në Shqipëri, mbi lumenj ende të pavënë dorë. Nëse kjo nuk do të shmanget, vërejnë ekspertët e shoqatave të mbrojtjes së lumenjve, atëherë do të kemi një “cunam digash”, çka nuk i shërben prodhimit të energjisë, por pasurimit të kompanive që i ndërtojnë dhe bankave europiane që u japin hua.

Kuptohet që do të ketë ndërtim hidrocentralesh, problemi është se deri tani nuk ka një “master-plan unik për të gjitha vendet e Ballkanit”, që të ruhet natyra, biodiversiteti etj., ngulmojnë specialistët e mjedisit dhe ata të politikave të zhvillimit. Në këtë kontekst, hidrocentralizimi i lumenjve shqiptarë është si një rrebesh në rajon. Ai ka prekur dhe Kosovën, në zonën përkufi me Kukësin, në Zhuri, Dragash etj.

Ashtu si një vit më parë iu kërkua llogari qeverisë së Maqedonisë për lumin e Radikës në Dibër të Madhe. Si të ketë rënë ndonjë mallkim, sepse neve po na shteren dhe liqenet alpine, si ata të Lurës, nga prerja e pyjeve, po na i mbërthen balta e barishtet liqenet e Shkodrës dhe të Prespës, po na shqyen deti lagunat e Kunës dhe Vainit në Lezhë, ndërsa Patoku në Kurbin, një nga perlat e Adriatikut, nuk është më, pasi derdhja e lumit Mat në det e ka zhbërë mizorisht peizazhin dhe plazhin e dikurshëm, që frekuentohej dhe nga kryeqyteti. Rrallëkund në brigjet tona detare është vënë dorë me anë të pritave të gurta apo të betonta, për të ndaluar shtyrjen e detit mbi tokë. Sikur është “kombinuar” ekspansioni i natyrës dhe dora e mbrapshtë e njeriut në kurriz të sipërfaqeve ujore dhe lumenjve.

Nuk mund të tolerohet, në mënyrë të veçantë, aksioni qeveritar për hidrocentralizimin e lumenjve. Ku vemë kështu, pa krye? A ka shpjegim se çfarë po bëhet me futjen në sahatin e energjisë të çdo kilometri lumor? Duket sikur ky vend do të mbushet pëllëmbë e hidrocentrale. Në fillim të korrikut 2016, mediat raportuan se në mbledhjen e saj të radhës qeveria kishte miratuar kontratat shtesë të koncesioneve për ndërtimin e 8 hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Mat: “Gjoni”, “Blishta”, “Klosi”, “Domi”, “Luci”, “Shoshaj, “Zenishti” dhe “Burreli”, koncesione të dhëna që në tetor të vitit 2012 nga qeveria e më- parshme. I bie që mesatarisht në çdo 5-6 kilometra rrjedhë të këtij lumi të ketë një hidrocentral.

Por nuk ka kaluar pa reagim qytetar, problemi është ngritur në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Mat, pasi ky varg hidrocentralesh ndryshon ekosistemin e zonës, përmbys monumentet, gjeografinë, klimën etj. Për ata që e njohin terrenin, lumi i Matit, nga Shkopeti në Urakë, për rreth tridhjetë kilometra, është i gjithi liqen i dy hidrocentraleve 60- vjeçare (“Karl Marks” e “Frederik Engëls”), tash i bie që të zihet deri atje ku buron, në Kaptinë të Martaneshit.

Si mund ta bësh lesheli një rajon, një lumë 115 kilometra të gjatë, një pyll mijëra ha, një “copë” Shqipëri të Budit, për interesa të sipërmarrjeve të mëdha, në emër të politikave të zhvillimit etj. Protestat kanë zbritur nga Valbona në Vjosë, i konsideruar lumi i fundit i madh në Europë, që ka mbetur përgjithësisht i paprekur në 272 km e gjatësisë së tij, po ku, për paradoks, Tirana qeveritare ka planifikuar ndërtimin e 27 hidrocentraleve mbi këtë lumë dhe degët e tij, nga të cilët dy tanimë kanë filluar.

Por kambana, që në institucionet tona mungon, për fat bie diku, atje ku nuk na e kanë kthyer shpinën – është Parlamenti Europian që para një viti i drejton një thirrje Kryeministrit Rama që ta ndalë katrahurën mbi Vjosë, duke e quajtur këtë lumë një thesar për të gjithë Europën. Ndërkohë që organizata shqiptare dhe të huaja të mjedisit e ekologjisë po punojnë që Vjosa të shpallet i pari Park Kombëtar i një lumi europian, për ujëvarat, kanionet, pyjet dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm, mjaft të përmendësh 69 lloje peshqish, mes të cilëve edhe salmoni i Danubit, specie në zhdukje, që gjendet vetëm në lumin Vjosa dhe askund në botë etj. E megjithatë, a do t’ia dalim me Vjosën?

Apo do t’ia dorë- zojmë dhe atë “kuçedrës” njëmijëkrerëshe të tranzicionit? Kështu i kemi humbur prej motesh lumenjtë. Dihet që Buna ka qenë një lumë i lundrueshëm. Sot nuk e kemi më atë luks, që anijet “veneciane” të vijnë dhe dyzet kilometra nëpër lumë deri në Shkodër. Përkundrazi, kemi “luksin” e përmbytjes së përvitshme të qytetit dhe zonës së ulët nga Baçalleku deri në Velipojë.

Poetët u thurin himne lumenjve, por shpesh u mbetet të shkruajnë elegjinë e tyre. Na ka qëlluar dhe neve t’i vëzhgojmë ujërat e përbashkëta me Malin e Zi, por këtu po sjellim një shënim që Flutura Açka postonte nga grykëderdhja e Bunës: “Bregu nga Mali i Zi vlon nga njerëzia, kurse këtej, anës sonë, e trazojnë bregun veç ca pulëbardha, që ankorojnë ranishtes…”, pa e fshehur dëshirën e “kthimit të lavdisë së dikurshme, si një portë ujore për në Shkodër”.

Askush nuk do ta dëshironte një fat të tillë, braktisës, të asnjë lumi të vendit të tij, le pastaj të Bunës, pa të cilën nuk mund të kuptohet as balada e murimit e Rozafës, as anijet e mesjetës që sillnin mallra perëndimore, bile as terminologjia detare që Çabej e shihte si dëshmi të vjetërsisë së shqipes. Por ndoshta këndej nga ne qenka e thënë, që lumenjtë të “vdesin” në vendimet e qeverive, për t’u ringjallur në kumtet e poetëve e idealistëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura