Kryengritja e Postribës, të mbijetuarit: Të zbardhet e vërteta

Sep 9, 2011 | 11:26
SHPËRNDAJE
Hamza Kazazi

“E vërteta është një… Nuk mund të ketë dy të vërteta”, kështu thotë Hamza Kazazi, djali i Jup Kastratit, njërit prej organizatorëve të kryengritjes antikomuniste të Postribës, i vetëvrarë për të mos rënë në duar të komunistëve.Pasi kanë kaluar plot 65 vjet nga ajo ngjarje, që u kushtoi jetën dhjetëra shqiptarëve, Kazazi e të gjithë të afërmit e atyre që u vranë, burgosën e internuan, kanë të drejtë të kërkojnë të zbardhet e vërteta. Pjesë e kësaj përpjekjeje për të thënë të vërtetën ishte edhe konferenca shkencore, që u zhvillua dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, organizuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Historianë, akademikë dhe dëshmitarë të vetë ngjarjes morën pjesë në këtë konferencë, për të përkujtuar përpjekjen më të madhe të shqiptarëve në rrëzimin e komunizmit, më 9 shtator të vitit 1946, por edhe për të ndarë ca kujtime të hidhura, të cilat duhet t’i njohin edhe brezat e rinj. Sami Repishti, Kolec Topalli, Uran Butka, Pjetur Pepa etj. na kthyen 65 vjet pas, kur një grup nacionalistësh, me në krye emra të njohur nacionalistësh të kohës, po përgatiteshin për një kryengritje të përgjithshme, e cila shpërtheu në Postribë, pa mundur të shtrihet nëpër Shqipëri. Diktatura komuniste e shtypi këtë përpjekje me gjak, pa arritur që të marrë përmasat e parashikuara, duke vrarë, pushkatuar e dënuar nëpër burgje. Gjatë viteve të komunizmit, historia mbi këtë ngjarje, u deformua, dhe sot ka ende për t’u zbardhur mbi të vërtetën e saj.
Pse Shkodra
Për akademikun Kolec Topalli, nuk ishte e rastësishme që kryengritja u zhvillua pikërisht në Shkodër, në qytetin e njohur për kulturën dhe hapjen e tij ndaj perëndimit. “Gjithçka që solli komunizmi, binte ndesh me zhvillimin dhe mentalitetin e këtij qyteti”, u shpreh Topalli, teksa u shpreh se ishte pikërisht kjo arsyeja pse Shkodra u bë mbështetja e kësaj kryengritjeje antikomuniste në vitin 1946 dhe do të ishte sërish e para në vitin 1990, që do të ngrihej për të rrezuar diktaturën, një mision që nuk e përmbushi dot 45 vjet më parë. Kjo ishte edhe arsyeja pse diktatura u tregua aq e ashpër me Shkodrën. “Zalli i Kirit u bë dëshmitar i vrasjeve të njëpasnjëshme të njerëzve të pafajshëm”, tha Topalli, teksa shtoi se pushtetarët komunistë dëshironin me këtë rast të zhduknin edhe elitën e intelektualëve shqiptarë. “Shkodra u bë qyteti i 11 burgjeve. Qyteti i më shumë zyrave të hetuesive, më shumë të vrarëve e të burgosurve”, tha akademiku.
Bilanci
Në pamundësi të vinte në këtë konferencë, një nga dëshmitarët e ngjarjes, Sami Repishti, dërgoi nga Amerika një videomesazh, ku denoncoi edhe një herë krimet e komunizmit dhe terrorin që u ushtrua, jo vetëm ndaj pjesëmarrësve në kryengritje, por edhe ndaj njerëzve të pafajshëm. Jo pa dhimbje ai përmendi torturat çnjerëzore të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, që nga djegiet me hekur të nxehtë, varrosjet për së gjalli, futja në gropat septike, varje e rrahje, për të cilat, sipas Repishtit, ishte i interesuar të zbatoheshin deri në fund vetë Enver Hoxha e Koçi Xoxe. Teksa rikujtoi edhe një herë këtë përpjekje për rrëzimin e komunizmit, Repishti shprehu indinjatën e tij se askush nuk është dënuar për krimet ndaj njerëzimit. Pa llogaritur të pushkatuarit dhe të burgosurit gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste, mjafton të përmendësh bilancin e kësaj ngjarjeje: pas kryengritjes u vranë dhe u pushkatuan pa gjyq nga regjimi komunist, 78 burra, fëmijë e të afërm të familjeve të tyre; U burgosën e u internuan mbi 1200 persona, u dogjën dhe u sekuestruan shumë shtëpi e pasuri të tyre.
Dëshmia e Hamza Kazazit
“Qysh në ’45-ën filloi organizimi i një kryengritjeje të përgjithshme. Qysh kur koloneli Nil i misionit anglez për veriun në Shqipëri, i premtoi Jup Kazazit ndihmën e anglezëve nëse do të ngriheshin e do të organizonin diçka në Shqipëri”, thotë i biri i Jup Kazazit. Sipas tij, është e dokumentuar se Koçi Xoxe e Enver Hoxha kërkonin kapjen me çdo kusht të Jup Kazazit, sepse po organizonte një kryengritje të armatosur. Ai dhe 4 vëllezërit e tij ishin dënuar me vdekje nga Enver Hoxha, edhe pse vetëm 2 prej tyre ishin marrë me politikë. Dhe mes largimit nga Shqipëria e rezistencës, ata zgjodhën këtë të dytën. “Terrori ishte i tmerrshëm. Janë pushkatuar katundarë që u kanë dhënë vetëm një gotë qumësht kryengritësve. Megjithatë, është bërë i mundur komunikimi dhe ishte vendosur që kryengritja të zhvillohet në Shkodër, Mirditë. Madje, krerët e Dibrës po përgatisnin kryengritjen në Dibër e Kosovë. Ishin lidhur edhe me Pukën, madje pjesërisht dhe në Jug. Për fat të keq, prej terrorit të madh ishte jashtëzakonisht i vështirë komunikimi dhe nuk u arrit të organizohej një kryengritje e përgjithshme dhe Postriba, me në krye bajraktarin dhe patriotë të tjerë, pa dallim principesh politike u bënë të gjithë bashkë. Njerëz të thjeshtë të Postribës e Shkodrës u çuan me armë për të luftuar”, tregon Hamza Kazazi, i cili numëron mes njerëzve të tij 9 të vrarë dhe 9 të burgosur, me nga 5-22 vite burg. “Persekutimi ishte i tmerrshëm. Nëna ime, grua e re me dy fëmijë, punoi punëtore krahu nëpër ferma e ndërtim. Gjithë rrethi im, gjithë Kazazët, vajzat e reja kanë punuar në punët më të rënda. Kurse unë kam punuar vetëm në fermë. Time më erdhën ta merrnin teksa dergjej me ethe në shtrat. Do ta merrnin me gjithë dyshek, por i shpëtoi internimit me një raport të doktor Shirokës”, thotë ai, teksa kërkon që të gjitha këto të vërteta të thuhen. “Faktet dhe dokumentet nuk na mungojnë”, thotë ai.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura