Kapitalizmi feudal i Shqipërisë së sotme

Oct 11, 2016 | 11:22
SHPËRNDAJE

elinor-bajraktariELINOR BAJRAKTARI

Me rrëzimin e komu nizmit, shqiptarët nisën një rrugëtim të mundimshëm drejt një destinacioni shumë të qartë – krijimin e një shoqërie të bazuar në një sistem kapitalist e demokratik sipas modelit të vendeve perëndimore. Pas 25 vjetësh tranzicion, është koha të pyesim veten: ku kemi mbërritur dhe çfarë sistemi kemi ndërtuar? Ky sistem që kemi ngritur gjatë këtyre viteve mund të quhet “kapitalizëm feudal”. Përpara se të sqaroj se çfarë është “kapitalizmi feudal”, mendoj se është e udhës të bëj një përshkrim të shkurtër të feudalizmit dhe kapitalizmit.

Feudalizmi është një rend shoqëror hierarkik që konsiston në tri shtresa – monarku (mbreti, sulltani, padishahu), vasalët (bejlerët, çifligarët) dhe bujkrobërit (argatët). Baza e këtij sistemi është toka. Monarku i delegon vasalit pronësinë mbi tokën në këmbim të haraçit dhe mobilizimit të ushtarëve (nizamëve) kur e kërkon nevoja. Vasali e administron tokën, duke përdorur krahun e punës së bujkrobit dhe i siguron këtij të fundit mbrojte dhe një pjesë minimale të prodhimit, sa për të mbajtur frymën gjallë. Nuk duhet harruar këtu edhe roli thelbësor që ka luajtur kleri në mbrojtjen dhe legjitimimin e sistemit feudal, duke u predikuar masave prejardhjen hyjnore të regjimit të monarkut. Kapitalizmi, nga ana tjetër, është rendi shoqëror i bazuar mbi pronën private dhe tregun e lirë. Çmimin e krahut të punës, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve nuk e cakton një dorë e vetme, por shkëmbimi i lirë i tyre në treg.

Çdo njeri ka të drejtë të zotërojë pronë dhe është i lirë të punojë aq sa do, të prodhojë atë që do dhe të tregtojë atë që zotëron. Shteti në kapitalizëm luan rolin e arbitrit të paanshëm që rregullon tregun, duke vendosur rregulla të barabarta për të gjithë. Tani, le të kthehemi te çështja e sistemit tonë dhe të krahasojmë atë që kemi sot me dy sistemet e përshkruara më lart. Për sa i përket aspektit ekomomik, nuk është e vështirë të biem dakord që bazat e sistemit tonë janë të tipit kapitalist, madje një kapitalizmi të egër ku shteti nuk e luan rolin e tij të arbitrit të paanshëm.

Megjithatë, rrogat dhe çmimet e mallrave, shërbimeve e kapitaleve në përgjithësi i përcakton tregu. Me gjithë pengesat burokratike dhe ngërçin e problemit të tokës dhe legalizimeve, shqiptarët në parim kanë të drejtë të zotërojnë prona, të investojnë, të ngrenë biznese, të tregtojnë e të fitojnë. Nga ky këndvështrim, Shqipëria duket si një vend ku kapitalizmi është konsoliduar në ekonomi. Mirëpo, nëse hidhemi në aspektin politik, sistemi ynë më tepër ngjan me atë feudal, sesa me rendin demokratik dhe të së drejtës që ne aspirojmë.

Për shembull, figurat autoritare që na kanë shoqëruar gjatë këtij çerekshekulli dhe pushteti i tyre i personalizuar më tepër ngjasojnë me sunduesit mesjetarë, sesa me liderët demokratikë. Nëse në Mesjetë pushteti personal i mbretit merrte fund me vdekjen e tij, në Shqipëri pushteti personal i liderit në përgjithësi ka marrë fund vetëm me vdekjen politike të tij – me fjalë të tjera, duke tërhequr këmbët zvarrë e mbytur në korrupsion. Një tjetër tregues i feudalizmit tonë modern është edhe mënyra se si është menaxhuar pushteti me anë të bejlerëve.

Ndërsa në Mesjetë bejlerët sundonin për llogari të padishahut sipas rajoneve, te ne ata funksionojnë në baza rajonale dhe sektoriale. Për shembull, nuk besoj që ka rajon e komunitet te ne që nuk e ka të paktën një bej të tijin të komanduar nga lart dhe që ndan frytet e pushtetit me padishahun. Madje, tradicionalisht kemi pasur edhe krye-bejlerë (kajmekamë) që kanë sunduar zona më të gjëra – për shembull, të gjithë Jugun apo Veriun. Bejlerët rajonalë administrojnë pushtetin sipas çifligjeve zgjedhore. Ata mbajnë kostum deputeti, kryebashkiaku, partiaku, burokrati, biznesmeni ose janë edhe pa kostum fare dhe quhen “të fortë”.

Këta janë mekanizmat e pushtetit që mbajnë nën kontroll situatën në nivel rajonal, menaxhojnë burimet ekonomike dhe vjelin për llogari të padishahut frytet e punës së argatëve – punëtorë, fermerë, biznesmenë, mësues, mjekë etj. Në kohë zgjedhjesh, ata mbledhin ushtarë dhe me furgonë e autobusë i dërgojnë nizam atje ku ia kërkon nevoja padishahut. Bejlerët sektorialë, nga ana tjetër, kontrollojnë sektorët e ekonomisë. Këta janë shpikja e kohëve moderne. Toka nuk është më faktori më thelbësor në ekonomi. Përfitimet janë te sektorët – karburantet, hekuri, ndërtimet, bananet etj. Bejlerët sektorialë kontrollojnë doganat, tatimet, tenderët, administratën etj.

Roli i tyre është të menaxhojnë burimet ekonomike të vendit dhe të ndajnë haraçin me padishahun. Bejlerët modernë ndajnë me paraardhësit e tyre të njëjtën mani për të treguar luksin e pasurinë e tyre. Kjo i bën ata të duken më të largët me argatët dhe largësia ua rrit pushtetin. Ata e konsiderojnë veten aristokraci dhe veshin Armani, lëvizin me Jaguar dhe madje edhe dasmat i bëjnë në kështjella. Kur nuk merren vesh me padishahun për pagesën e haraçit, ata zhvishen nga pushteti. Me fjalë të tjera, hiqen nga listat e deputetëve, nxirren nga Parlamenti për krime që nuk “diheshin” më parë, demaskohen përpara bazës, e madje degdisen edhe në ekzil, diku në Perëndim, ku shtyjnë vitet duke shpenzuar pasurinë e mbledhur.

Edhe argatët modernë nuk kanë shumë ndryshim nga ata të Mesjetës. Ata punojnë, emigrojnë, prodhojnë, e paguajnë taksa, por marrin vetëm thërrime nga pasuria kombëtare, krahasuar me atë që marrin bejlerët. Ata duket se i janë dorëzuar fatit dhe e pranojnë realitetin si normalitet. Punën ideologjike të klerit, nga ana tjetër, e bëjnë një pjesë e mirë e shoqërisë civile – media, analistë, opinionistë dhe turli-ekspertologë që kanë si detyrë të mbajnë argatët në errësirë, duke ua shpëlarë trutë. Metoda kësaj here nuk është dogma, por hedhja e aq shumë balte majtas e djathtas, sa që nuk ka sypetrit që të dallojë të mirën nga e keqja.

Efekti është i njëjtë – kokulur e gojëmbyllur, argatët çohen çdo mëngjes, i falen Zotit për bukën e përditshme, dhe vazhdojnë rutinën e punës deri sa kthehen në darkë për të parë duelin e radhës në televizor. Nëse ti që i lexon këto radhë mendon se ky përshkrim ngjason me realitetin tonë të këtyre 25 vjetëve, atëherë është e vështirë të mos e pranosh që shoqëria jonë jeton në një sistem të tipit kapitalisto-feudal. Sigurisht që në këto vite ka pasur përmirësime të nivelit të jetesës dhe njerëzit janë të lirë të lëvizin gjithandej.

Por objektivin që vendosëm në fillim të viteve ’90, për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe demokratike, jo vetëm që nuk e kemi arritur, por e kemi ende shumë larg. Dhe kjo nuk është një çështje e këtij viti apo e një viti më parë. Përgjatë gjithë këtyre 25 vjetëve, të gjithë ne në rolet tona përkatëse, disa më shumë e disa më pak, disa nga dija e disa nga mosdija, disa nga ç’kanë bërë e disa nga ç’nuk kanë bërë, e kemi vendosur nga një gur në themelet e këtij sistemi që kemi sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura