Kaos në Sarandë nga shpërthimi i ujërave të zeza. Flet kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve: Pse ndodhi

Aug 15, 2017 | 10:58
SHPËRNDAJE

Ujërat e zeza të qytetit të Sarandës janë zbrazur në det duke bërë që pushuesit të largohen për shkak të ndotjes së ujit.

Shkak është bërë shpërthimi i kanalizimeve që ka ardhur nga mbingarkesa gjatë sezonit të pushimeve. Gjithçka ka ndodhur paraditen e së hënës në rrugën “Turizëm-Kanali i Çukës”, në segmentin përballë hotel “Butrintit”.

Situata e krijuar ka bërë që të largohen pushuesit nga plazhi. Ndërkohë, nisja e punimeve për riparimin e çarjes së kanalit të ujërave të zeza krijoi një situatë të rënduar trafiku dhe u desh ndërhyrja e shërbimeve të Policisë Rrugore për mbarëvajtjen e punimeve dhe rregullimin e lëvizjes së automjeteve.

Por, pavarësisht kësaj, për shumë orë situata në këtë aks rrugor ka qenë tepër e rënduar. Lëvizja e mjeteve, tepër të shtuara në numër në këtë sezon veror, në këtë rrugë ku janë edhe hotelet më të shumta të qytetit, e madje edhe rrugë ku pushuesit përdorin plazhet e kësaj rruge deri në Ksamil, ka qenë shumë e ngarkuar dhe ka krijuar radhë të gjata.

Qytetarë të ndryshëm, por edhe pushues, shprehen se është e pafalshme një situatë e tillë, ndërsa kanë bërë fajtore Bashkinë e Sarandës.

“Nuk pranohet kjo situatë, aq më tepër tani në sezonin veror. Ky është imazh i keq për qytetin. Nuk dimë se kujt i intereson imazhi i keq për Sarandën. Drejtuesit e Bashkisë duhet të qëndrojnë seriozisht përpara situatave të tilla, e madje të merren edhe masa”, shprehet një prej qytetarëve të Sarandës.

Ndërsa Sheme Lulo, drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës- Kanalizimeve, duke folur për gazetën “Panorama” tregon shkakun që çoi në këtë situatë. “Tubacioni i presionit të ujërave të zeza, që çon mbetjet te ligatina, ka pësuar një defekt, është çarë në rrugën Turizëm- Kanali i Çukës, në segmentin përballë hotel “Butrintit” dhe po punojmë për të meremetuar dhe për ta sjellë në gjendje normale”, shprehet ai. Kreu i Ujësjellësit të Sarandës shton më tej se ky është investim i kryer rreth 15 vite më parë, ndaj edhe nuk përballon dot presionin e lartë.

“Problemi është që nga presioni nëpër pompa herë-herë pësohet defekt. Kryesisht vjet dhe parvjet ka pasur derdhje ujërash të zeza edhe tek aksi rrugor mbi kampin e punëtorëve, në dy-tri segmente. Janë problematika të ezauruara nga ana jonë. Në vazhdimësi kemi marrë masa për ta mbajtur në kontroll dhe në gjendje pune”, përfundoi Lulo.

Derdhja e ujërave të zeza në det ka ndodhur edhe në një nga plazhet e Ksamilit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin korrik. Për situatën në Ksamil u tha ato ditë se do të bëhet testimi, por ende nuk ka asnjë informacion zyrtar ku të jetë përcaktuar shkaku real që solli derdhjen e ujërave të zeza pranë “Tre ishujve”, në zonën e Ksamilit.

SARANDE / SHPRESA DINE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura