Ka paqartësi, por ja pse Partizani është në Europë

May 25, 2018 | 22:48
SHPËRNDAJE

Kategoria Superiore të mërkurën e ka ulur siparin e sezonit 2017-2018. Partizani e mbylli këtë edicion plot luhatje në vendin e pestë me 53 pikë. Praktikisht, me këtë renditje, i bie që të kuqtë të mos marrin pjesë në Kupat e Europës. Por, me Skënderbeun të pezulluar nga pjesëmarrja në Europës, i bie që Partizani ta ketë siguruar biletën europiane edhe për këtë sezon, edhe pse është renditur i pesti.

partizanii

Kjo gjë është publike në çdo faqe apo media europiane, ndaj pjesëmarrja e “demave” merret e mirëqenë, ndonëse paqartësitë mbeten akoma derisa vetë UEFA nuk i ka publikuar zyrtarisht ekipet pjesëmarrëse. Pas derbit me Kamzën, të kuqtë kanë nisur pushimet, por pas përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë, Partizani do t’i drejtohet me një letër UEFA-s për të ditur pozicionin e tij.

Të kuqtë i druhen precedentit të para dy viteve me Tiranën, që nisi përgatitjet për Europë dhe nuk u lejua. Momentalisht, Partizani nuk ka asnjë konfirmim nga FSHF, ndaj për të mos mbetur pezull, do t’i drejtohen me një kërkesë UEFA-s, nëse duhet të nisin punë për pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Përgjigjja lidhet me qëndrimin që do të mbajë UEFA ndaj Skënderbeun, ku korçarët shpresojnë që pezullimi të mos ketë efekt derisa të vendosë KAS-i për çështjen në fjalë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura