“Je i dënuar me vdekje”, dokumenti si e kërcënuan Koço Devolen se u tall me Enverin e Sulo Gradecin

Nov 10, 2020 | 11:11
SHPËRNDAJE

“Je i dënuar me vdekje!”. Me një shkrim prej filloreje, një burrë, nëse mund të quhet i tillë kur fshihet pas pseudonimesh, e aq më tepër pas nofkës “Merimanga”, guxonte të kërcënonte të madhin Koço Devole.

pjimage

Teksa ende trupi i Koço Devoles nuk është përcjellë për në banesën e fundit, një kartolinë e publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi na ka kthyer pas në kohë, kur artistët kërcënoheshin me vdekje për artin e tyre. Dhe nuk ishte i vetmi. Telefilmi i jashtëzakonshëm “Gjuetia e fundit”, ku interpretonin aktorët e Varietesë së Tiranës, me në krye Devolën, si Vasillaq Vangjeli, Agim Bajko, Vegim Xhani, Xhevahir Zeneli, Mariana Kondi, Mehdi Malkaj etj., kishte ngjallur shumë zemërata te një shumicë që nuk e besonin se ndërrimi i sistemeve, përmbysja e diktaturës nuk ishte një shaka, kishte ndodhur vërtet e tanimë askush nuk të ndalonte të thoshe i lirë atë që mendoje. Por ‘plaga’ ishte ende e hapur dhe ‘të përmbysurit’ prisnin të ktheheshin sërish e ndërkohë përdornin të njëjtat metoda shtrënguese, ashtu si atëherë kur mbanin të shtypur një shtet të tërë. Në numrin e shkuar të gazetës “Panorama”, aktori Agim Bajko tregoi ndër të tjera edhe për periudhën kur u krijua “Gjuetia e fundit”, e cila trazoi shumë shpirtra, sipas tij të “bunkerizuar”.

Bajko foli për kërcënime deri në vdekje për trupën e aktorëve që guxuan të tallen me figurën e ‘udhëheqësit të lavdishëm’. Kërcënimet ishin më të forta, sigurisht për aktorin Vasillaq Vangjeli, që interpretonte rolin e Enver Hoxhës dhe Koço Devoles, që luante rolin e Sillos, që në fakt ishte portretizimi humoristik i ish-kryerojës së diktatorit, Sulo Gradeci.

Ky rrëfim i Bajkos u vijua nga një publikim i studiuesit, Kastriot Dervishi, që vërteton sa më sipër. Bëhet fjalë për një kartolinë drejtuar Koço Devoles, pranë Estradës, Tiranë. Në ato pak radhë të kartolinës është vjellë një vrer i vërtetë. Devoles i vishen gjithfarë epitetesh të ulëta e në fund mbyllet me një kërcënim me jetë.

Më poshtë po sjellim të plotë postimin në rrjetet sociale të Kastriot Dervishit:

KUR KOÇO DEVOLE KËRCËNOHEJ ME VDEKJE

Veçantia e enveristëve dhe të indoktrinuarve është se preken sa herë publikohen krime të regjimit të Enver Hoxhës në masën sikur t’i kishin kryer vetë ato. Edhe kur u shfaq telekomedia “Gjuetia e fundit” me protagonistë kryesorë aktorët e mirënjohur Vasillaq Vangjeli dhe Koço Devole, kategoria injorante enveriste dhe persekutorët u ndjenë keq dhe filluan kërcënimet. Forma më e njohur e kohës ishin letrat anonime, të barabarta me profilet false që hasim sot në blogje apo rrjete sociale. Letra kundër Koço Devoles i takon datës 6.1.1993.

Pasi cilësohej “hipokrit”, “dallkauk”, “maskara i pacipë”, kërcënuesi që pa dashje paraqitet me emër fals e pseudonim, pra, edhe “Th. Laboviti” dhe “Merimanga”, shkruan: “Ju dërgoj këngën të quajtur ‘Gjirokastër, shkëmb e gurë, lindje djalë e bërë burrë, sa ishje gjallë të hëngrën mjunë, Gjirokastër nxore burra, sa ishte gjallë s’ua mbante suma, të hash mjutin, belget atje ku ka rënë. V.O: je i dënuar me vdekje. Merimanga”.

Në vitin 1997, kur profilet false morën pushtetin, hakmarrjen ia zbrazën Koço Devoles, duke e hequr nga puna nga Televizioni Shqiptar, si i “paaftë”. Janë këto profile, gjoja në emër të artit që shfaqin pa fund filma propagandistikë pro diktaturës komuniste.

Bajko: Kërcënimet pas “Gjuetisë së fundit”

Në një rrëfim për “Panoramën”, aktori i humorit Agim Bajko tregon si lindi telefilmi “Gjuetia e fundit” dhe kërcënimet ndaj aktorëve

“Gjuetia e fundit” është një perlë e humorit shqiptar, që ne e kemi realizuar në një kohë të vështirë. Ishte viti 1992 dhe duhet thënë që nuk ka qenë e thjeshtë. Në fillim ne e përgatitëm për në skenë. Ishte një pjesë prej 10 minutash, të cilën ai e pasuroi dhe e shndërroi në një telefilm, edhe në bashkëpunim me Pali Kuken. Por nuk mund të thuash se e kaluam pa problem. Kemi marrë kërcënime deri edhe me vdekje, nga njerëz me një mentalitet të bunkerizuar. Sidomos Vasillaq Vangjeli, që luante rolin e udhëheqësit, ka pasur një presion të jashtëzakonshëm e po kështu edhe Koço, që luante Sillon. Një herë u ndodhi që gjatë një darke miqësore, hyjnë brenda në dhomë njerëz të maskuar me automatikë me plumba manovre, që shtinin në ajër. Ishte një shaka nga ana e organizatorëve të darkës, por tmerri kishte qenë aq i madh, saqë qe e pamundur të vijonin darkën… Frika ishte aq e pranishme saqë edhe një shaka përjetohej si e vërtetë.

“Gjuetia e fundit”, një satirë për diktatorin

“Gjuetia e fundit” është një telekomedi shqiptare e prodhuar në vitin 1992 nga Radio Televizioni Publik Shqiptar, me skenar të Koço Devoles dhe regji nga Pali Kuke e Koço Devole. Me një humor të shkëlqyer, larg çdo banaliteti, satirizohej figura e ishdiktatorit Enver Hoxha, i shoqëruar kudo nga kryeroja e tij, Sulo Gradeci.

Skenaristi kishte qëmtuar episode nga më të ndryshmet, të ndodhura gjatë viteve të diktaturës, rrëfime e anekdota njerëzish të ndryshëm, të cilat jo detyrimisht kishin lidhje me diktatorin, por edhe me anëtarë të tjerë të ish-Byrosë Politike.

Siç ka treguar për “Panoramën” aktori Xhevahir Zeneli, episodi i gjuetisë së derrave është rrëfyer nga një ish-ushtar, që ishte çuar për të trembur derrat gjatë gjuetisë së Kryeministrit të kohës, Mehmet Shehu, ndërsa dybeku i famshëm i Nafijes lidhej me një byroist tjetër dhe ngjarja kishte ndodhur në Kolonjë. Telefilmi vjen nën interpretimin e shkëlqyer të aktorëve Koço Devole, Vasillaq Vangjeli, Agim Bajko, Sejfulla Myftari, Marjana Kondi, Skënder Sallaku, Xhevair Zeneli, Mehdi Malkaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura