
Kostaq Xoxa tregon bisedat me deputetin Uran Butka dhe ish-presidentin e Republikës, Sali Berisha
Këto ditë u rihap në gazetën “Panorama” debati mbi Kishën Autoqefale Shqiptare dhe rolin e kryepeshkopit Janullatos. Për të kuptuar rolin e tij në këta 23 vjet, duhet të ndalemi te fakti domethënës sesi Janullatosi u vendos në krye të Kishës Shqiptare. Pikërisht, për këtë fakt të panjohur mirë, do të flas unë dëshmitari i kësaj ngjarjeje të paprecedentë në historinë e Kishës, jo vetëm shqiptare. Unë jam ortodoks, e theksoj këtë gjë, për të hequr çdo dyshim, por edhe përgojim të vetë Janullatosit për ndonjë shqiptar atdhetar mysliman, që ka shkruar apo folur me të drejtë për problemet e Kishës Autoqefale, por është akuzuar nga ai për “myslimanizëm”. Theksoj se Kisha Autoqefale Shqiptare, pjesë e rëndësishme e Pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë dhe mbetët një vepër e pasuri kombëtare e të gjithë shqiptarëve, siç shprehet edhe Fan S.Noli.
Më 1 gusht të vitit 1992, nuk shkova në redaksinë e gazetës “Liria”, ku punoja si redaktor, se isha me temperaturë. Në mbrëmje, ra zilja e telefonit dhe folësi, një besimtar i mirë ortodoks, më tha: “Nesër është mirë të jesh në Kishën Ortodokse, se do të kurorëzohet Anastas Janullatosi në krye të saj”. E pyeta: “Çfarë do të kurorëzohet, eksark apo kryepeshkop”. M’u përgjigj: “Nuk e di mirë, por nga sa kuptohet, kryepeshkop”. Do të vij patjetër, i thashë. Fjeta copa-copa atë natë, se më kujtoheshin mjaft gjëra të sëkëlldisura…
* * *
Pas kësaj ngjarjeje, unë shkova në redaksinë e gazetës “Liria” dhe shkrova një kronikë, ndërsa natën e datës 1 gusht, ora 00:00, z.Butka, bashkë me pjesëtarë të Këshillit të Kishës Ortodokse dhe disa intelektualë ortodoksë, mori takim me Presidentin e Republikës. E njoftuan për përpjekjen që bëhej për shugurimin e Janullatosit si kryepeshkop dhe pasojat e rënda që mund të rridhnin më vonë. Butka i tha se kjo ishte një përpjekje e qarqeve shoviniste greke antishqiptare për të ngulur Janullatosin në Shqipëri për synime politike e fetare greke. Presidenti Berisha u tha në takim se Janullatosi ishte pranuar si eksark, domethënë me detyrë të përkohshme, dhe në këtë mënyrë ky nuk do të kishte mundësinë e emërimit të sinodit të peshkopëve, që zgjidhte kryepeshkopin. Sa të përgatisim kuadrot kishtare shqiptare, që tashmë mungonin. Më datën 2 gusht 1992, në mbrëmje, ndonëse i sëmurë, por mjaft i merakosur, shkova në Kishën Ortodokse, ku do të organizohej ceremonia e kurorëzimit të Janullatosit. Pa hyrë ende brenda portës së madhe të kishës, dëgjova thirrjet në kor: “Anaksos, anaksos, anaksos!”(Jo, jo, jo!) Hyra brenda në kishë dhe u bashkova me grupin e besimtarëve ortodoksë, pranë të cilëve ndodhej edhe deputeti Uran Butka. Në mes të ikonostatit, qëndronte Hirësia e Tij, Ptolemeu II, kreu i Patrikanës së Stambollit dhe në krah të tij, peshkopi Janullatos. Rreth tyre një tufë klerikësh të ardhur nga Greqia. Salla ishte e mbushur plot e përplot me besimtarë ortodoksë. Kishin ardhur edhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri dhe personalitete të huaja. Një grup grash e vajzash ortodokse i kishin thënë “Jo” pyetjes së hirësisë së tij, Ptolemeut, kur kishte nisur shugurimin: “A e pranoni hirësinë e tij, Janullatos, si kryepeshkop të Shqipërisë?”. Sipas kanunores ortodokse, edhe sikur një zë të thotë “Jo”, nuk pranohej shugurimi. Mirëpo, Hirësia e Tij, Ptolemeu, i vendosur në misionin e tij, e përsëriti edhe një herë pyetjen: “E pranoni Hirësinë e Tij, Janullatosin, si kryepeshkop të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë?”. Atëherë grupi i grave sërish thirri: “Anaksos!”. E dija se “anaksos” donte të thoshte “votë kundra”. Saktësisht: “I padenjë”. Zgjedhja kërkonte votim tërësor, 100 për qind me unanimitet. Sipas rregullit kishtar, nuk duhet ta pranonte detyrën as vetë Janullatosi. Por edhe ai ishte i vendosur në misionin e tij. E paimagjinueshmja ishte kur Ptolemeu II e përsëriti për herë të tretë pyetjen, e cila mori si përgjigje edhe “Jo” edhe “Po” nga të pranishmit. U bë një katrahurë. Një prift i ri me mikrofon kërkoi që të vendosej qetësia: “Ju lutemi, qetësi! Qetësi, ju lutemi! Jemi në shtëpinë e Zotit”. Atëherë Hirësia e Tij, Ptolemeu II, filloi ritin e shugurimit, por në atë çast shpërthyen këngët: “Për Mëmëdhenë”. “Ejani këtu, këtu, këtu!” Pastaj: “Noli! Noli! Noli!” “Rroftë Kisha Autoqefale!” “Jashtë Janullatosi nga Shqipëria!” e të tjera. Sa merrte Ptolemeu të fliste, rifillonin protestat e besimtarëve dhe këngët patriotike. Mbi pupitër, në një jastëk mëndafshi, ndriçonte një kurorë. Ishte parashikuar edhe epilogu triumfal! Por hesapet, – themi ne shqiptarët, – ishin bërë pa hanxhiun! Kështu që Hirësia e Tij, Ptolemeu II, i cili nuk mund të vazhdonte më, e ndërpreu shugurimin dhe ceremoninë përkatëse.
Ai, Janullatosi dhe disa priftërinj grekë dolën nga dera e ajodhimës dhe u zhvendosën në hollet e hotel “Tirana”. Kaloi njëfarë kohe hutimi dhe u ndjenë lëvizje e kërcitje dyersh të ajodhimës. U panë veladonë të zinj në lëvizje, por jo nga porta e madhe e kishës. Ata të radhëve të para ndjenë lëvizjet gjer në derën e pasme të ajodhimës. Pastaj zëri përçoi zërin dhe u dëgjua në të gjithë sallën e kishës: – Po ikin! Po ikin! Në oborrin e madh u prish heshtja nga uturimat e veturave që dolën në Rrugën e Kavajës. Sytë u drejtuan te jastëku mbi të cilin ishte vendosur kurora. Ajo nuk ishte aty! Kisha u zbraz për punë sekondash nga besimtarët. Ata donin të dinin ku po shkonin, ku do të vinin, me kurorën që e mbante me kujdes dhjaku i ri, si një gjë që mund të thyhej! Dëgjoheshin pëshpëritjet: Te hotel “Tirana”. Te Pesëmbëdhjetëkatëshi! Kurorëzimi do të bëhet në hotel “Tirana”. Atje Janullatosi u shpall kryepeshkop në mënyrë të paligjshme dhe jashtë kanonike, sepse edhe ceremonia u bë jashtë kishës, në ambiente publike.
* * *
Të gjitha këto veprime skandaloze, së pari, binin ndesh në mënyrë flagrante me nenin 16 të statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për cilësitë e kryepeshkopit, të peshkopëve dhe zëvendësve të tyre lokalë, për sekretarin e Përgjithshëm të Sinodit: të jenë prej gjaku shqiptar, nënshtetësie shqiptare, kombësie shqiptare dhe prej gjuhe shqiptare. Së dyti, shkelte në mënyrë flagrante statusin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, të miratuar edhe nga Patrikana edhe nga Mbretnia Shqiptare. Dy antagonistë të mëdhenj Noli dhe Zogu, u bënë solidarë për autoqefalinë. Dhe nuk është e rastit që Kryeministri i Zogut, Koço Kota, e uroi Fan Nolin për realizimin përfundimtar të autoqefalisë, në vitin 1929. Së treti, u proklamua si eksark, u pranua si eksark dhe u kurorëzua tinëzisht si kryepeshkop. Më vonë zgjodhi edhe sinodin e shenjtë me tre peshkopë, dy nga të cilët ishin grekë. Së katërti, gjatë ceremonisë së shugurimit Janullatosi nuk u pranua nga një pjesë e mirë e besimtarëve ortodoksë, që i thanë “Anaksos!” atij që kishte shkelur në mënyrë arbitrare kanunoren e Kishës Ortodokse. Thënia e Janullatosit se kundërveprimin e bënë myslimanët, nuk i përgjigjet së vërtetës.
Ngjarja e 2 gushtit të vitit 1992 ishte një njollë turpi për atë pamje dramatike dhe groteske që mori ai lloj “kurorëzimi”, por për këtë ngjarje u hesht, jo pa qëllim. Mjetet shqiptare të informimit nuk e dhanë fare, unë nga ana ime dhashë një intervistë në gazetën “Republika”, ndërsa televizionet greke transmetuan gjerësisht pamje nga shugurimi i Janullatosit si kryepeshkop i Shqipërisë. Kjo është e vërteta sesi e uzurpoi Janullatosi kreun e Kishës Autoqefale Shqiptare.
KOSTAQ XOXA
© Panorama.al











