Irma Kurti, një roman për emigracionin

SHPËRNDAJE

Ajo nuk është një emigrante e zakonshme. E vlerësuar me çmime në vendin fqinj, e përkthyer në gjuhë të huaja, e megjithatë problemet e emigracionit vijojnë të mbeten ndër shqetësimet e mëdha të saj. Ndryshe nga të tjerët, ajo ka një mënyrë të vetën për të ngritur zërin: përmes të shkruarit. Shkrimtarja Irma Kurti prezantohet me një roman të ri përpara lexuesit shqiptar. E ka titulluar “Njeriu që fliste me pemët”, një botim i shtëpisë botuese “Dudaj”. Ky është libri i dhjetë i autores në gjuhën shqipe. Në qendër të tij është një familje në emigrim me të gjitha problematikat e sfidat që i duhet të përballet në një vend të huaj. E tashmja shkrihet me të shkuarën përmes kujtimeve e mbresave, por mbi të gjitha përmes shfletimit të faqeve të një ditari, përmes të cilit zbulohet më mirë se në jetën reale figura e protagonistit të librit. Duket se me këtë vepër, autorja ka një lidhje të veçantë afektive. “Këto faqe nuk i kam shkruar unë, por shpirti im dhe drithërimat e tij. Sidoqoftë, jeta jote baba është dhe mbetet unike, shumë më ndryshe e shumë më intriguese se rreshtat e një libri”, shkruan ajo në dedikimin e librit. Ky roman ndjek dy botimet më të reja të Kurtit, përmbledhjen me tregime: “Lajmet vijnë edhe këtu” (Le notizie arrivano anche qui), si dhe atë me poezi: “Nuk është ky deti”(Non è questo il mare) të botuara vetëm në gjuhën italiane.

Por, ndryshe nga dy librat pararendës, “Njeriu që fliste me pemët” prezantohet fillimisht përpara lexuesit shqiptar. Sipas autores, kjo shpjegohet me faktin se në faqet e tij zënë vend shumë pasazhe, ngjarje e ndodhi që marrin frymë e zhvillohen në një mjedis shqiptar. Por edhe për faktin se të gjithë librat e saj, edhe ata të botuar së pari në gjuhën italiane, lindin së pari në gjuhën amtare, ku ajo ndihet më e lirshme për t’u shprehur. U bënë vite tashmë që shkrimtarja dhe poetja Irma Kurti jeton në Itali, vend i cili e ka vlerësuar me dhjetëra çmime në konkurse kombëtare letrare për prozën dhe poezinë e saj.
Në vitin 2013, Kurti fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Universum Donna” për Letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” të vlefshme për jetë, nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Te lidhura

 

1 KOMENT

Comments are closed.