INTERVISTA/ Ushtria në ishullin përballë Himarës? Ish-komandanti i Flotës Detare tregon prapaskenat: Pse duhet të tërheqim paktin për ndarjen e kufirit me gjyq!

Nov 12, 2020 | 20:59

ARDIT HOXHA/ Mundësia e vendosjes së një njësie ushtarake dhe disa pajisjeve mbrojtëse të teknologjisë së fundit në ishullin Othonoi nga qeveria greke, ka shkaktuar reagim në Shqipëri. Ish-komandanti i Flotës Detare, Vladimir Beja, në një intervistë për gazetën “Panorama” tregon domethënien e kësaj lëvizje të mundshme nga Athina zyrtare dhe çfarë impakti mund të ketë në rajon, në një kohë kur vendet kanë pak javë që u dakordësuan për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare për ndarjen e kufirit detar.

Beja e cilëson këtë akt nga qeveria greke si një tentativë për t’u rritur artificialisht peshën disa ishujve të vegjël në Veri të detit Jon dhe një mundësi për të ndezur tensione në një zonë, ku nuk ka pasur deri më tani.

baja

Më tej ish-ushtaraku i lartë i Flotës Detare të Ushtrisë Shqiptare sqaron se pretendimi për të ruajtur banorët e këtij mikroishulli nuk qëndron, pasi asnjëherë nuk ka pasur kërcënime as nga Shqipëria dhe as nga Italia dhe në ditët e sotme, një gjë e tillë as nuk mund të imagjinohet.

Për Vladimir Bejën, tentativa e qeverisë greke për të barazuar pozitat e Othonoit me ato të Gavdos(në Mesdhe përballë Kretës), nuk ndihmojnë aspak në fuqizimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, pasi në rast se mes Greqisë dhe Turqisë ka një konflikt të hapur prej disa kohësh, mes shtetit shqiptar dhe shtetit grek nuk ka probleme të tilla.

Gjithashtu, ish-komandanti i Flotës Detare sugjeron se në rast se Greqia do e konkretizojë atë çka shkruhej në artikullin e gazetës “Tanea”, Shqipëria duhet të tërhiqet nga dhënia e dakordësisë për të zgjidhur kufirin detar në Gjykatën Ndërkombëtare.

Si e vlerësoni vendimin më të fundit që pritet të ndërmerret nga qeveria greke për të vendosur një njësi ushtarake në ishullin më verior në detin Jon, Othonoi?

Gazeta greke “Tanea” me këtë shkrim kërkon të mbajë lart frymën patriotike, për t’u përballur me një nga situatat më të vështira, madje me të rrezikshme që ka, pas konfliktit të armatosur Turqi-Greqi, që çoi në ndarjen e Qipros në dy Republika, të quajturat respektivisht Greke dhe Turke, që tashmë janë realitet prej dekadash! Situata është e ngjashme dhe gjasat janë të ndodhen para një tjetër konflikt, shumë më të përshkallëzuar në rast se nuk parandalohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Në këtë situatë unë mirëkuptoj masat që po merr Greqia për rritjen e prezencës ushtarake në ishujt e Egjeut në kufi me Turqinë. Por nuk e kuptoj aspak rritjen e prezencës ushtarake në Ishullin shkëmbor të Fanosit alias Othonoi, i cili për statusin që ka është përjetësisht i qetë, madje i parë nga vendet fqinje, Italia dhe Shqipëria, krejt miqësisht!

A përbën ndonjë ndryshim në planin strategjik dhe ushtarak në nivel rajonal armatosja e këtij ishulli të vogël dhe vendosja aty e një njësie ushtarake?

Ndryshimi i statusit të Fanosit (Othonoi) nga një ishull fanar në një post ushtarak të avancuar, është një situatë e stisur, që heq një paralele të panevojshme me situatën delikate në ishujt e Egjeut, veçanërisht, krahasimi me Ishullin e Gavdos. Banorët e Fanosit(disa dhjetëra dhe jo 400), nuk rrezikohen, ashtu siç nuk janë rrezikuar prej qindra vitesh, prej askujt aq për më tepër sot. Qeveria greke, shteti grek duhet ta trajtojë Shqipërinë si një partnere të NATO-s dhe në të ardhmen edhe në Bashkimin Europian, të barabartë reciprokisht dhe të mos ngutet në masa që ngrenë tensione të panevojshme midis dy vendeve.

A mund të ketë ndonjë lidhje me burimet energjetike të gazit dhe naftës në atë zonë të detit Jon kjo rritje e prezencës ushtarake të Greqisë?

Rritjen e prezencës ushtarake në Fanos (Othonoi) dhe Erikuza nuk e justifikon asnjë rrezik aktual apo i pritshëm! Është thjesht përpjekje për të ngritur artificialisht “peshën” apo rëndësinë e këtyre ishujve! Burimet energjike, për më tepër në Jon nuk i kërcënon askush! Ato do të ndahen në proporcion me sipërfaqet detare që kanë të ndarë juridikisht, Greqia-Italia-Shqipëria! Kuptohet që bëhet fjalë për zonat që mund të jenë të shtrira në hapësirat e të tre shteteve!

Për sa i përket deklarimit të Greqisë për ta zgjeruar me 12 milje detin territorial, mendoni se ka lidhje me lëvizjen për të armatosur Othonoin?

Parlamenti grek nuk duhet të miratoje Ligjin për Zgjerimin e Detit Territorial nga 6-12 milje. Të jem i qartë, ky zgjerim nuk duhet të bëhet për Ishujt Fanos dhe Erikuza, pasi prek rendë padrejtësisht interesat kufitare të Shtetit Shqiptar! Shpresat që Gjykata Ndërkombëtare do t’i trajtojë ishujt e mësipërm njëlloj si Kontinentin, janë së paku naive! Gjykata Ndërkombëtare e Hamburgut, në gjykimet e deritanishme nuk ka dhënë asnjë vendim për t’u trajtuar ishujt barabartë me tokën kontinentale! Rastet e deritanishme flasin nga 0-33%,50%,70% dhe në asnjë rast në masën 100%.

Po cili duhet të jetë qëndrimi i qeverisë shqiptare, pasi vlen të theksojmë se behët fjalë për dy vende aleate nën ombrellën e NATOS-s.

Qeveria shqiptare të tërheqë “mirëkuptimin” e dhënë për ta çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare, pasi s’ka arsye ta bëjë! Në këtë rast, le ta bëjë vetëm Greqia po të dojë.

© Panorama.al

Te lidhura