JUXHIN MUSTAFARAJ/ Ish-kandidati i Bindja Demokratike për Lezhën, Salvador Kaçaj, rrëfen se vendimin për t’u tërhequr nga gara për zgjedhjet e 30 qershorit, e mori pasi pa që qeveria, në pjesën më të madhe të vendit, ka vendosur të bëjë zgjedhje me vetëm një kandidat.

DHE KREUN E PD NE KURBIN, BEHAR HAXHIU
Në një intervistë për “Panorama”, ish-kreu i Komunës së Shëngjinit thekson se jo pak ndikim në vendimmarrjen e tij për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në zgjedhje, ka pasur edhe një takim që ka zhvilluar me ish-Kryeministrin Berisha, këshillat e të cilit fton t’i dëgjojë edhe Kryeministri Rama.
Z. Kaçaj, ju keni qenë drejtues i pushtetit vendor në Shëngjin disa vite më parë, ndërkohë që së fundmi shprehët ambicien për të kandiduar për Bashkinë e Lezhës nën siglën e Bindja Demokratike, të drejtuar nga Astrit Patozi. Si e pranuat këtë ofertë?
Në një moment e pranova ofertën e Patozit për të kandiduar në Lezhë, vetëm për t’u dhënë zë e mundësi votuesve të djathtë që të kenë përfaqësim! Një vendim praktik, më shumë se arsyetim politik! Dua t’ia kursej lexuesit fjalitë pompoze në emër të demokracisë dhe shpëtimit kombëtar! Unë që fëmijë kam bërë gara. Në fillim me veten, duke qenë familje e persekutuar për të mbijetuar nga shtypja e regjimit, më pas si futbollist në të gjitha nivelet, duke kulmuar me kombëtaren e Shqipërisë. Kur kam vendosur të merrem me politikë, jam votuar me shumicë, kam fituar dhe Komunën e Shëngjinit e kam shndërruar në model, duke e bërë referenciale për turizmin në Shqipëri. Isha dhe jam i bindur që e mundja kandidatin e Rilindjes në Lezhë, duke e mbajtur djathtas këtë bastion! Por nga dita në ditë po shikoja gjëra të çuditshme, lidhje të politikës me krimin, ndjeva që po shndërrohesha në fasadë të një gare që po vritej pa filluar, ndaj u tërhoqa! Mendoj që i kam bërë një shërbim qytetit tim me këtë testim e sidomos, me denoncimin e farsës.
Kishit kohë që kishit diskutuar për këtë kandidim me z.Patozi, pasi BD u krijua vetëm pak ditë para afatit final të regjistrimit në KQZ?
Diskutimet nuk kanë zgjatur shumë, ato pak ditë kur po afrohej kjo mundësi për të kandiduar! E pranova siç e thashë për të testuar mundësinë, por duket qartë se Edi Rama po na teston të gjithëve nëse jemi të gatshëm ta dorëzojmë demokracinë në oreksin e tij të sundimit. Opozita po bën betejën e saj dhe unë e mbështes. Kjo është një betejë themelore, që të djathtët i do të gjithë në krah të PD-së dhe jo në anë të Edi Ramës! Kur e pashë që ngjarjet po më vinin në anë, vendosa t’i dal përballë, edhe pse me PD-në kam pasur animozitet ndonjëherë, për shkak vendimesh që nuk i kam gjykuar të drejta! Por sot, nuk ka të rrish në mes! Sot jam në llogore me PD-në.
A besoni se mund të ketë ndonjë kandidat fitues nga kjo forcë politike?
Unë nuk besoj në zgjedhje pa garë! Nuk i besoj parimit vetë shkruaj e vetë vulos! Këto janë si zgjedhjet e vitit 1975! S’ka asnjë ndryshim! Kjo është grabitje e pushtetit dhe e demokracisë! Pyetja është kjo: a janë shqiptarët të gatshëm ta pranojnë diktaturën në emër të “formalizmit demokratik”. Unë besoj që jo. Protestat që po udhëheq Lulzim Basha japin shpresë që kjo nuk do ndodhë! Unë do jem çdo ditë në këto protesta.
A erdhi vendimi për t’u dorëhequr nga gara për zgjedhjet pas takimit me ish-Kryeministrin Berisha?
E shpjegova pak më sipër që vendimi për t’u dorëhequr po piqej dita-ditës! Sigurisht, të takosh Sali Berishën, është sikur të takosh shtetin, ai ndikon mbi jetën e kombit shqiptar e jo me mbi vendimet e një individi! Në çdo rast, Sali Berisha duhet dëgjuar me respekt! Këtë ia sugjeroj edhe Edi Ramës! Shkova me dy miq të mirë për një kafe, me intelektualin e njohur Agron Gjekmarkaj dhe mikun Behar Haxhiu! Natyrisht që biseduam për aktualitetin dhe politikën! Sali Berisha nuk më kërkoi asgjë! Ishte një bisede mes miqsh!
Mendoni se do të ketë zgjedhje në 30 qershor?
Nuk besoj të ketë zgjedhje në 30 qershor! Po të ndodhë, kjo datë do mbahet mend si ditë fatkeqe njësoj si viti 1913, kur u ndanë tokat shqiptare! Nëse ndodh, fillon udhëtimi i shqiptarëve në errësirë! Do duhen vite për t’u rikuperuar.
Nëse PD ju propozon si kandidat në zgjedhjet vendore për Lezhën, do pranonit?
Nuk e di çfarë ka ndërmend PD. Lezha ka shumë potenciale e shumë mundësi për kandidatë përfaqësues! Gjithashtu, ajo ka kryetarin aktual, zotin Fran Frrokaj, i cili ka punuar në kushte represioni ekonomik e politik nga ana e qeverisë. Duke u kthyer te vetja, jam i bindur që në çdo garë që të marr pjesë në Lezhë, në kushtet e zgjedhjeve të lira e të ndershme, i mund kandidatët e Edi Ramës. Po ashtu, me të njëjtin pasion, do të mbështes çdo kandidat të PD-së për ta çuar në fitore. PD dhe opozita sot janë të vetmet forca që mund ta nxjerrin Shqipërinë dhe Lezhën nga kolapsi i gjithanshëm.
© Panorama.al











