Intervista/ “Ç’më tha në telefonatën e fundit Nexhmije Hoxha”, flet bashkëpunëtori dhe ish-zyrtari i KQ: Pse nuk shkoi në varrim Sokoli

Feb 27, 2020 | 14:35
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Ka qenë data tetë shkurt kur Muharrem Xhafa, ish-zyrtar i Komitetit Qendror dhe bashkëpunëtor i Nexhmije Hoxhës, ka bërë telefonatën e fundit me të. 

Muharrem Xhafa me Nexhmije Hoxhen
Muharrem Xhafa me Nexhmije Hoxhen

“Atë ditë mbushi 99 vjeç dhe e urova për ditëlindjen, -shprehet Xhafa. – Më falënderoi dhe më tha se nuk ndihej mirë, por dukej optimiste, madje siç më kishte pohuar dhe herë tjetër, ajo mendonte se do shkonte patjetër 100 vjeçe”. Xhafa, që ka ndarë me të një përvojë të gjatë pune, ka bindjen se Hoxha do të mbetet në kujtesën e bashkëkohësve modeli i lidershipit komunist dhe gruas që bëri histori, pavarësisht opinioneve të ndryshme që ndajnë njerëzit për momentin. Ai ndihet disi i brengosur që në pleqërinë e thellë gruaja e Hoxhës nuk e pati familjen kompakte, sikundër e la Enveri…

Zoti Xhafa, ju keni punuar për dekada të tëra me Nexhmije Hoxhën, kur e keni pasur kontaktin e fundit me të?

Ajo ka qenë drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe unë shef i Edukimit në aparatin e KQ për disa vite me radhë. Na lidhte patjetër detyra dhe funksioni që kryenim. Kam konsiderata të mira për të, për frymën e mirëkuptimit dhe këmbënguljen në përmbushjen me sukses të çdo detyre. Kontaktet me Nexhmijen i kisha të shpeshta jo vetëm atëherë, por dhe më vonë, madje deri ditët e fundit. Në tetë shkurt kam shkëmbyer telefonatën e fundit me të.

Familja e Enver Hoxhes
Familja e Enver Hoxhes

Çfarë ju tha në telefonatën e fundit Nexhmija?

Atë ditë ajo mbushte 99 vjeçe dhe e urova për ditëlindjen. Në fakt, kisha dëshirë t’ia uroja në banesë, por ajo kishte ca kohë që nuk ndihej mirë dhe mendova mos ta shqetësoj, po ta uroj me telefon. Më falënderoi me përzemërsi si përherë dhe më tha se e kishte lodhur sëmundja, por dukej optimiste, madje siç më kishte pohuar dhe herë tjetër, mendonte se do të shkonte patjetër 100 vjeçe. Po ç’bëri 100, ç’bëri 99. I shpreha atë ditë dhe mendimet e mia, kuptohet pozitive, për librin më të fundit që kishte botuar. Më falënderoi sërish dhe më la të kuptoj se nuk do përfundonte këtu me botimet. Kishte qysh herët një plan për një libër tjetër, për rolin e Enverit në ndërtimin e shoqërisë socialiste…

Socializmi që i kushtoi shtrenjtë shoqërisë shqiptare, për atë e kishte fjalën…

Ky është opinion, është e drejtë e gjithkujt të ketë mendimin e vet për regjimin që drejtoi Enveri, por nuk është ashtu. Ka pasur patjetër gabime e shtrembërime, por shoqëria kapitaliste që ndërtojmë është shumë larg socializmit që ideoi Enveri. Ka për ta thënë pa dyshim historia e brezave që do vijnë. Po nejse, nuk është momenti të shkëmbejmë mendime për këtë çështje..1582729214_hoxha7

Kur thua që ka pasur dhe shtrembërime e faje, nuk e shikon përgjegjëse për to gruan e Enverit, e cila deri në fund nuk kërkoi kurrë falje për viktimat e regjimit?

Këtë e ka sqaruar vet Nexhmija në botimet që ka bërë. Ajo nuk ka punuar kurrë në organet represive të regjimit. Tërë jeta e saj ka qenë e lidhur me sektorin e edukimit. Ajo ishte gruaja e shquar e kombit, e LANÇ-it dhe e socializmit; njëra ndër organizatoret e udhëheqëset e talentuara të rinisë, të gruas e të Partisë Komuniste të Punës, bashkëshorte e bashkëpunëtore e ngushtë e Enver Hoxhës; ish-deputete e Kuvendit Popullor, që nga legjislatura e parë (1945); anëtare e KQ të PPSH-së, që nga Kongresi i Parë i saj (1948); heroinë e punës socialiste; drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste; kryetare e Frontit Demokratik.

Pa dyshim, ky është mendimi juaj si bashkëpunëtor i saj...

Jo vetëm mendimi im, por i shumëkujt me mendje të kthjellët. Tani që nuk do ta kemi më fizikisht, ma do mendja që do kthjellohemi dhe do ta vlerësojmë më objektivisht këtë grua fisnike, që iku kur mbaroi të gjitha punët, duke sfiduar baltën që u derdh mbi të dhe Enverin pa mbarim, madje dhe nga ata që kishin lëpirë kazanët e Bllokut. Nexhmije Hoxha, me pjesën e vet të pamohueshme në meritat dhe mangësitë e sistemit komunist, nuk e ndryshoi deri në vdekje orientimin e vet politike, duke mbajtur për busull interesin kombëtar.

Ju keni qëndruar gjatë me Nexhmijen dhe njihni edhe brengat e saj…

Brengë ishte tjetërsimi i sistemit, një brengë e madhe bile. Tjetërsimi i mjaft prej bashkëpunëtorëve e bënte të ndihej keq.. Sakaq, burgu për kafet e famshme ishte pa dyshim brenga më e madhe. Këto brenga kishte kjo grua e madhe, që vdiq në një barakë në Laprakë.

Po fakti që nuk e ruajti familjen kompakte siç ia la amanet Enveri, e brengoste?

Sigurisht që e brengoste, por ajo ishte grua e zgjuar dhe dinte si ta kapërcente. E lëndonte patjetër fakti që i biri, Sokoli, me të shoqen kishin 10 vite që nuk i kishin ardhur në shtëpi. E rëndonte gjithashtu dhe ligjërimi i tyre kundër saj, por ajo gjente forcë shpirtërore dhe ngrihej mbi këto episode…

Sokoli me të shoqen janë shprehur se nuk do të jenë dhe sot në ceremoninë mortore…

E mora vesh edhe unë këtë vendim të tyre dhe më erdhi keq. Së paku, tani në fund le t’i gjendeshin aty pranë për t’i hedhur një dorë dhe. Punë e tyre, gjithsesi…

Lëndimi nga Sokoli dhe e shoqja

liliana hoxha sokol enver

Në kujtimet e saj, Nexhmije Hoxha është shprehur se është ndierë e lënduar nga Liljana, gruaja e të birit, Sokolit, e cila qysh prej 15 vitesh nuk i kishte ardhur në shtëpi. Në librin më të fundit, ajo i quan qëndrime tejet të çekuilibruara të Liljanës në marrëdhëniet e saj me të dhe me familjarët e tjerë. Kam ndjekur shkrimet e saj në gazeta dhe intervistat në televizione, me ato opinionet e saj haluçinante, të një mendjeje të sëmurë, që janë vetëm turpi që ajo i vuri emrit të vet, shkruan ndër të tjera Nexhmija në librin e fundit për sjelljen e Liljanës .

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura