Ilda Beci: Një dhuratë e punuar me dorë për festa

Dec 30, 2013 | 11:09
SHPËRNDAJE

Ilda Beci, krijuese e dhuratave me dorë me disa nga krijimet e saj
Nga gotat e kristalit me iniciale emrash të gdhendura në to, tek mbajtëset e bizhuterive e çokollatave me detaje zbukuruese… Të gjitha punime dore, vijnë si formë dhuratash të personalizuara për klientët që i porosisin. 31-vjeçarja nga Tirana prej më shumë se një viti ka hapur tanimë linjën e saj të realizimeve artizanale

Festat e fundvitit janë ato që na gjejnë në turravrapin e blerjeve për të mbushur tryezën plot, për të shtuar detaje e objekte të reja në ambientin e ngrohtë të shtëpisë, por më e rëndësishmja, ato nuk mund të kuptohen pa simbolikën e vërtetë: dhuratat për personat më të dashur. Dhe në fakt, një blerje e spikatur është jo gjithnjë çështje e lehtë për t’u përmbushur, edhe pse dhuratat janë gjithnjë të bukura, për sa kohë ekziston dëshira për të kënaqur ndokënd në vigjilje të festave. Bashkë me përpjekjen për të personalizuar çdo dhuratë, në varësi natyrisht të individit që i dedikohet, biem shpesh në përsëritje… Tipologji blerjesh të njëjta, që qarkullojnë nëpër shumë dyqane e qendra tregtare në vend, e më rrallë blerje të realizuara jashtë shtetit, në ndonjë nga ato udhëtimet e para fundit të vitit… Por, sot, gjithkush ka në dorë që ta krijojë vetë dhuratën e tij… Po, po… Mjafton si lëndë e parë një ide fikse në kokë, pak fantazi, dhe për realizimin përfundimtar kujdeset një vajzë e re e quajtur Ilda Beci, e cila prej më shumë se një viti krijon dhurata me punime dore. Një zgjedhje alternative, më pak e kushtueshme për xhepin, por tërësisht e veçantë. E ka quajtur “Ilda B.Creations”, duke e identifikuar me emrin e saj, e ku ajo mundet të bëjë dhurata sipas kërkesave të blerësve, në bashkëpunim me sugjerimet e saj. Gota kristali me iniciale emrash të gdhendura, kuti me dekore festive, mbajtëse çokollatash me dizenjo shumëngjyrëshe, vazo e çanta, të gjitha me punime dore, janë vetëm një pjesë nga katalogu i krijimeve të 31-vjeçares nga Tirana, e cila e ka ndërmarrë këtë angazhim vetëm për të mbushur kohën e saj të lirë në formë sa më të frytshme, ndërsa profesioni i saj i parë është ai menaxheres së marketingut.  
Pas kthimit nga studimet jashtë shtetit, në realitetin shqiptar u përball me një shoqëri ndryshe… Bashkëmoshatarë të saj që vegjetonin nëpër kafenetë e kryeqytetit për orë të tëra, Pub-e dhe klube nate të mbushura plot gjatë fundjavës, e shumë pak të rinj të dhënë pas gjërave të reja, sipërmarrjeve që ndoshta nuk të mbushin xhepin me para, por të paktën ndihmojnë në linjën e të funksionuarit si qenie e dobishme, për veten dhe njerëzit përreth. E nisur pikërisht nga këto parime, ajo e gjeti veten në një nismë të re dhe cilësisht e vlefshme, jo vetëm për vete. Dhurata origjinale, objekte të ideuara aty për aty, dhe të gjitha të krijuara me dorë, i shndërrojnë punimet e Ilda Becit në gjëra me vlerë, mbi të gjitha të personalizuara sipas kërkesave të klientit. “Ilda B. Creations” është linja e punimeve që mban emrin e saj dhe prej më shumë se një viti, ashtu “gurë-gurë” ajo ka kontribuar në nismë origjinale, e cila sot e identifikon. “Gjithçka lindi si nevojë për të mbushur kohën dhe jo vetëm… Qysh e vogël kam qenë e tërhequr pas të bukurës dhe të veçantës. Nuk më pëlqenin punimet në seri dhe dhuratat e përsëritura që gjendeshin nëpër dyqane. Doja diçka ndryshe, që ta plotësoja më pas me një ide timen. Dhe kështu erdhi gradualisht dëshira e shtyrë nga pasioni për të krijuar gjëra të bukura dhe unike. E veçanta e dhuratave të mia është dashuria, kreativiteti, koha që vë në punimin e tyre, si dhe detajet për të realizuar diçka sa më të bukur e ndryshe nga ato që mund të gjenden nëpër tregje”, thotë Beci. Ajo të jep mundësinë e të krijuarit vetë të dhuratës, si një gjetje të veçantë e që përmbush kërkesat e klientit. Nevojitet ideja primare, kreativiteti, ndërsa dora e fundit deri në modelin përfundimtar të dhuratës i takon Ildës. “Kërkoja nga vetja një gjë ndryshe, për të mbushur kohën e lirë, sidomos atë pas kthimit nga orari zyrtar i punës. Mbase për të shmangur argëtimet e pavlera, si kafenetë e Pub-et e natës. Kështu bëra linjën time të krijimeve me punë dore, kryesisht në formë dhuratash. E gjitha më shërben edhe si terapi çlodhëse, produktive, që më bën të ndihem më shumë e dobishme për veten e për të tjerët. Futem si artiste në një botë tjetër, ku më duhet të luaj shpesh me detajet, kreativitetin, ngjyrat, materialet, e duke punuar paralelisht me të gjitha, bëhem pjesë e një fryme ndryshe nga ajo realja. Shumë dhurata janë tërësisht ide të miat personale, e të tjera vijnë si ndërthurje e kërkesave të klientëve me sugjerimet e mia”, thotë 31-vjeçarja.
[portfolio_slideshow]

Lënda e parë.. fantazia
Më shumë se materiale, rëndësi ka fantazia. “Lënda e parë me të cilën punoj është fantazia, kreativiteti në të punuarit e modeleve të dhuratave… Ndërsa ajo materiale fillon me copa xhami, druri, kartoni, plastike e metalike… Bojëra të ndryshme, rruaza, lule të thata, kristale, qeramikë etj. Më pak fantazi dhe durim, çdo element merr një vlerë tjetër. Shumë klientë më kërkojnë gota kristali me iniciale të gdhendura, disa buqeta me lule të thata, të tjerë vazo lulesh me detaje të shtuara, si fjongo e rruaza, sëndukë të vegjël për bizhuteritë, për çokollatat e karamelet, pra dhurata tipike e të veçanta të dedikuara për nënat, bashkëshortet e të afërmit, të cilët duam t’i kujtojmë në raste festash e datash specifike”, përfundon Ilda Beci.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura