“I kanë duart të lyera në gjak gjer në sqetulla”, Ilir Demalia kujton analizën e Konicës: Asgjë s’ka ndryshuar, horrat qeverisin shqiptarët

Nov 5, 2019 | 14:29
SHPËRNDAJE

Demalia

Duke kujtuar nje analize te te madhit Faik Konica dhe vene perballe situates ne vend, analisti Ilir Demalia shkruan se leximi i saj te ben te kuptosh se “asgjë nuk ka ndryshuar në mendësine tone prej 100 vjetesh”.

“Te vetmit njerëz që mund të përfaqësojnë Shqipërinë janë ata që i kanë duart të lyera në gjak gjer në sqetulla. Kjo analize e të padiskutueshmit mendjendritur, të pamëshirshmit kundër marrëzisë dhe rrahgjoksjes qesharake dhe patriotizmit të gënjeshtrave dhe të horrave që kanë qeverisur dhe qeverisisin shqiptarët me idjotsisë tyre të mburrjes si kërthiza e botës Faik Konica, duhet lexuar për të kuptuar se asgjë nuk ka ndryshuar në mendësine tone prej 100 vjetesh”- shkruan Demalia, teksa poston analizen e Konices.

Foto, Faik Konica dhe kryeministri Kongresit të Lushnjes Sulejman Delvina
Foto, Faik Konica dhe kryeministri Kongresit të Lushnjes Sulejman Delvina

***

Shikoni pak një fakt karakteristik dhe të tmerruar: Mblidhet në Lushnje një i vetëthënë “Kongres” për të zgjedhur një “Qeveri Kombëtare”, edhe s’gjen më të mirë se kryeministri Sulejman Delvina, një njeri i cili është anëtar i dorës së zezë xhon-turke dhe ka marrë një pjesë të njohur në vrasjen e përgjithshme të armenëve të mjerë në 1915-16.

Per Stërvitjen Morale dhe Sociale te Popullit

Po të më pyeste njeri ç’ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të më lutej të përgjigjesha mirë me katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, do t’i thosha: Popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel “Dekalogun” ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut.

Popuj të egër janë ata që nuk njohin asnjë rregull të këtillë.
I pesti urdhër i Dekalogut thotë: MOS VRIT!

Për të vënë këtë urdhër në veprim janë bërë kanunet, gjyqet, xhandarët, burgjet. Katër vegla, të cilat kurrë nuk mbeten të ndryshkura, por punojnë si duhet, janë shenjat e para të një populli të qytetëruar.

Do të më presë njeri fjalën a do të më thotë: Pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, nuk ka përditë vrasje, vjedhje dhe njëqind të liga të tjera?

Pëgjigjem: Pa dyshim ka dhe do të ketë kurdoherë. Këtë nuk e mohon njeri. Po vini re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të qytetëruara, krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; sicilido qe i ndih policisë që ta zërë. Edhe nëqoftëse keqëbërësi shpëton nga të mos paturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për të ftohur e për të larguar botën.

Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar, hapen që t’i bëjnë udhë kur ikën, e fshehin nga i vetethëni gjyq, në i’u tektë së vetëthënës policë të bëjë sikur e kërkon, edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm.

Prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë. Kur i dëgjohet emri në një sallon a në rrugë, njerëzve u ngjethet mishi e u vjen ndot. Në qendra diturie, e shikojnë si një shpellë kafshësh të egëra ku nuk është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie. Në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull, i cili s’ka ditur gjë tjetër në më tepër se dymijë vjet, veçse të derdhë gjak dhe s’njeh tjetër zanat veç vrasjes.Të tilla fjalë janë thënë mijëra herë me gojë dhe me penë.

Për cilin vend, për cilin popull flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’iu them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, por në Evropë.
* * *
Kur nisa luftën time për çlirimin e Shqipërisë, njëzet e pesë vjet më parë, kujtoja, si shumë i ri që isha , se problemi ish vetëm një problem kombësie. Besoja se po të arrinte të zgjohej plotësisht ndjenja e kombësisë në zemër të shqiptarëve, themelimi i Shqipërisë së lirë ish një punë e mbaruar, porsa të vinte rasti dhe pa dyshim rasti do të vinte një ditë. Kur m’u poq mendia, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar, ish një problem moral. Me të tjera fjalë, kuptova se ky popull që të shpëtojë, ka nevojë më parë se çdo gjë tjetër që t’i stërvitet e lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i pastrohet zemra.

Dëshmimi i gënjeshtërt, shpifja dhe vjedhja kanë qënë kurdoherë buka e përditshme e çdo shqiptari “të ndershëm”, por më tepër se të gjitha kanë qënë pusia dhe vrasja.

Shikoni pak një fakt karakteristik dhe të tmerruar: Mblidhet në Lushnje një i vetëthënë “Kongres” për të zgjedhur një “Qeveri Kombëtare”, edhe s’gjen më të mirë se kryeministri Sulejman Delvina, një njeri i cili është anëtar i dorës së zezë xhon-turke dhe ka marrë një pjesë të njohur në vrasjen e përgjithshme të armenëve të mjerë në 1915-16.

Sipas mendjes së këtyre patriotëve të “ndershëm”, të vetmit njerëz që mund t’a përfaqësojnë me vërtetësi Shqipërinë janë ata që i kanë duart të fëlliqura me gjak gjerë në sqetulla. Dhe ato gojë që qahen nga masakrat e Kosovës, gjithë ato gojë ftojnë një masakronjës të marrë kryesinë e qeverisë.
* * *
Unë mundohem që prej pesëmbedhjetë vjetësh t’i japë të kuptojë popullit se sa e shenjtëruar është jeta nga njëra anë dhe nga ana tjetër sa dëm i ka sjellë dhe do t’i sjellë Shqipërisë, emri i saj si një fole katilësh.

Besoj se shumë shqiptarë në Amerikë mbajnë mend protestimet e mia të nxehta, të ashpra dhe shumë herë të përsëritura kur u vra despoti i Korçës (besoj 1906) dhe më 1912 kur u vra në Vlorë oficeri xhon-turk Niaziu. Nuk më hante malli mua për Fotin a për Niazinë, por urreja principin e vrasjes, edhe desha me atë rast t’i japë të kuptojë popullit tonë poshtërsinë dhe kafshërinë afrikane të pusisë.

Kur vajta në Amerikë më 1909, u nisa me mendimin të krijoj atje një qendër për stërvitjen morale dhe sociale të popullit tonë, që kur t’i jepej rasti i çlirimit, të ish gati për të kuptuar themelet dhe detyrat e një Shteti. Po të këndoni me kujdes kanunoren e vjetër të “Vatrës”, të shkruar që nga radha e parë e gjer tek e fundmja nga dora ime, do të shihni se s’është tjetër gjë veçse një plan për të stërvitur shpirtin dhe karakterin e popullit.

Në këtë pikë të artikullit, çdo këndonjës e ndjen që arritëm në kufij të fakteve edhe që duhet fjalëve t’u lëmë ”me shëndet”. Ja pra një fakt lakuriq megjithë shëmtimin e tij.
Kur u kthye nga Amerika, dy vjet më parë, Kol Tromora qëndrojë në Romë që të piqet me mua. Si zbrazi mirë e mirë thesarin e mendjes së tij dhe më nginji me këshilla, iu tek një ditë kur ishim në odën time të më japë një raport me gojë të punimeve që mbaroi Federata jonë në vjetët e fundit. Bashkë me të tjerat më mësoi edhe një vrasje sensacionale që qenka bërë në Amerikë me urdhër dhe me pagesë të “Vatrës”!

Më thotë kapedan Kola se rronte në Worcester një Morait me të shoqen korçare, me të vjehrrën dhe me një vajzë të vogël që kishin marrë nga një fshat të Korçës dhe nga muhamedane e kishin bërë të krishterë.”Vatra”, që të fitonte influencë ndër muhamedanët, dëshironte ta hiqte vajzën nga dora e Grekut dhe t’ua kthente njerëzve të saj. Po “Vatra” s’mejtojë as të zërë një avokat që t’a marrë vajzën me gjyq, as të përdorë shtypin amerikan për shpëtimin e saj.Ja “Vatra” zuri të vetmen udhë që dinë barbarët, vuri dhe e vranë Grekun.

Kol Tromara m’i rrëfente këto me një erë trimërie edhe priste pa dyshim të ngrihesha dhe t’i shtrëngoja dorën me entuziasëm dhe ta uroj për punën e bukur që bëri. Po s’u tunda nga vendi, s’më lëvisnë buzët, mbeta i dalldisur në mejtime. Ca minuta pastaj pyeta:” Atë vajzën e mundonte Greku?” “Për kundër – tha Kol Tromara,- e ushqente mirë, e vishte bukur, e rriste me kujdes”.

Gjeta një shkak që të ndahem nga brigandi, edhe si mbeta vetëm rashë në shtrat me ethet e dëshpërimit. Mejtohesha:”Themelohet një shoqëri për të stërvitur e për të qytetëruar popullin dhe mësimi që i jep popullit është të shkelë kanunet e popullit dhe të njerëzisë, të zërë pusi dhe të derdhë gjak. O fat tragjik që më ke bërë shok me vrasësit dhe brigandët, mua që mjë vjen keq të shtyp një mizë kur eci udhës!”

Edhe s’e dija si të sillem, të heqë maskat dhe të bërtas apo të hesht nga frika e shkandullit?…
* * *
Eshtë për të besuar që vrasja e Worcesterit s’është i vetmi delikt që ka bërë “Vatra”, edhe të tjera vrasje në Amerikë do t’a kenë burimin në Tremont Street. Kryetarët e degëve dhe anëtarët e Federatës jo vetëm s’kanë gisht në këto gjaqe e në këto turpe, po jam i sigurt që edhe i dënojnë me tërë forcën e shpirtit të tyre. Pa dyshim, në Kuvend të afërm do t’i shfaqin ndjenjat që kanë duke qëruar me themel jo vetëm hesapet materiale, po ca më tepër edhe hesapet morale.Duhet që faqezinjtë që shkelnë dhe shkelin kanunet e Amerikës mirëbërëse, të marrin një mësim të fort, duhet që puna e Worcesterit të dalë në shesh dhe fajtorët të jepen në duar të policisë. Duhet që të gjithë ata që dinin edhe mbyllnë sytë, të zbohen një herë e mirë me çnderim nga Federata.
Vatra që të rrojë e t’i bëjë shërbime të vërteta Shqipërisë, duhet të pastrohet nga çdo qelbësirë, edhe nga një “Black-Hand” (dora e zezë) ose “Gang of hooligans and murderes” (gangu i huliganëve dhe i vrasësve), që e kanë bërë njerëz pa shpirt e pa tru, të lartësohet e të bëhet një “League for the social and moral education of the people” (lidhje për edukimin moral dhe social të popullit)

Jam i bindur që Kuvendi i afërm do të ketë kurajon e lartë dhe patriotizmin e thellë t’a reformojë Vatrën që nga rrënja, duke marrë masat e nevojshme për të bashkuar të gjithë shqiptarët e Amerikës për nderin dhe përparimin e vendit.

Romë 10 Maj 1921

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura