Hashashi shqiptar kthehet në energji në Itali, digjen 2 tonë

Dec 24, 2017 | 20:34
SHPËRNDAJE

Depot, ku ruhen si provë sasitë e drogës që trafikohen nga Shqipëria në Itali, duket se janë mbushur aq sa nuk ka kapacitet për të mbajtur më.

Por kjo nuk do të thotë që hashashi shqiptar, ndonëse për trafikantët nuk shërbeu për të përfituar shumat marramendëse që synonin teksa e nisën drejt Italisë, të mos shërbejë për një tjetër qëllim për autoritete lokale. Në Ferrara, 2 ton kanabis i sekuestruar në tetor të këtij viti ka shërbyer për një qëllim madhor.

ankona droga

Për prodhim energjie. Kështu ka ndodhur dy javë më parë, me sasinë e konsiderueshme të lëndës narkotike që ishte trafikuar nga Vlora drejt brigjeve italiane, nga 19-vjeçari Rolando Rapaj.

“Procesi i djegies u krye, pasi nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për të ruajtur një sasi kaq të madhe droge”, shkruanin dje mediat italiane. Ndërsa theksonin se hashashi ishte trafikuar nga Vlora, që gazetarët italianë preferojnë ta quajnë kryeqytet të drogës në Shqipëri. Policia e Prokuroria italiane që kishin nën “administrim”, si provë materiale sasinë e konsiderueshme të drogës, morën vendim ta digjnin në furrat e krematorit në Cassana dhe të përfitonin energji.

Ndërsa mbajtën si provë për ta përdorur në gjyq ndaj 19- vjeçarit vlonjat disa mostra të marra nga sasia prej 2 tonësh.

DJEGIA

“Nuk dihet nëse njësitë e kontrollit të ajrit në Ferrara kanë regjistruar diçka të pazakontë dy javë më parë. Nuk po flasim për pluhura që përhapen në qytete për shkak të gazit, por për substanca të tjera, ato të prodhuara nga furrat e krematorit të Cassanas, ku u dogjën më shumë se 2 ton marijuanë e hashash, që u kap në tetor, teksa ishte trafikuar nga një shtetas shqiptar në brigjet tona”, shkruanin dje mediat italiane. Websajti italian nuk e kursen ironinë, duke vazhduar edhe më tej:

“Me siguri dy javë më parë do jeni ndjerë disi më ndryshe, mund të keni pasur marrje mendsh dhe e gjitha kjo ka një arsye. Në ajër kishte shumë tym.

Megjithatë, nga pikë- pamja e testit, hetuesit kanë marrë mostrat e gjithë materialit, në mënyrë që të përdoren si provë për çështjen që është në hetim. Gjithashtu për shkak se, deri tani, procesi nuk ka filluar ende, prokurori i ka kërkuar Gjykatës që të vendosë një seancë për muajt e parë të vitit 2018 ndaj shqiptarit Rolando Rapaj.

“Seanca do të zhvillohet për të vetmin person përgjegjës për trafikimin e 2 tonëve kanabis, i cili nuk ka preferuar të japë shpjegime apo të tregojë emra bashkëpunëtorësh. Bëhet fjalë për djaloshin shqiptar 19 vjeç, nga Vlora, kryeqyteti i drogës në Shqipëri, i vetmi i arrestuar gjatë operacionit të karabinierëve në Itali. Ai deri më tani nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e prokurorëve dhe Policisë në rolin e tij në ‘zbarkimin’ e drogës në ‘Lido Spina’ mbrëmjen e 17 tetorit 2017, në plazhin e Bellochio”, shkruan media italiane.

Rapaj qëndron në paraburgim, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, akuzë për të cilën rrezikon deri në 10 vjet burg. Sipas hetuesve italianë, ai mund të jetë pjesë e një organizate të madhe të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura