Grida Duma tregon të fshehtat e protestës: Kurthi i dëshpëruar i Ramës ndaj protestuesve, si gardistët …

Feb 21, 2019 | 20:30
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma ka treguar një skenar të pasuksesshëm, të krijuar sipas saj nga kryeministri Edi Rama, që kishte për qëllim provokimin e turmës dhe nxitjen e dhunës.

Ajo theksoi se protestuesit nuk ranë pre e këtij kurthi pasi ata janë mbrojtës të dinjitetit të vërtetë të shqiptarëve

“Dikur ishte perdja e hekurt sot është perdja e mjegullt.

Sot sakrifica e madhe dhe e plotë është së pari e demokratëve, për të ulur perden që mbulon prapaskenën e intrigës vjedhjes e varfërimit.

Shumçka u pa sot në protestë, sheshet e rrugët e mbushura dhe ecja e paqtë e dinjitoze e protestuesve në rrugët kryesore.

Por vetëm një pjesë e protestuesve ishin dëshmitarë të kurthit të dëshpëruar të Ramës për të vjedhur protagonizmin e protestës.

Pikërisht kur protestuesit po i afroheshin kryeministrise duke ardhur nga godina e parlamentit shikohet nje vark makinash policie eskortë në pritje në oborrin e kryeministrisë.

Kur protestuesit afrohen vargu i makinave të policisë lëvizën ngadalē duke dhënë përshtypjen se eskorta e Ramës po e shoqëronte.

Eskorta doli nga oborri i pasëm i kryeministrisë pikërisht kur turma e madhe e protestuesve po afroheshin më shumë.

Për të provokuar edhe më tepër turmën disa gardistë vraponin afër makinave duke inskenuar sikur frikësoheshin për sigurinē e kryeministrit, e gjitha për të tërhequr turmën në kurth reagimi të skajshëm.

E me siguri nëse protestuesit do kishin reaguar, do derdhej një lumë titujsh e lajmesh se si shpëtoi Rama nga agresioni për jetën.

Një pjesë e turmës e ndoqi eskortën me thirrje përçmuese, e kur makinat u larguan, protestuesit mes tyre thonin, “iku, iku, iku si hajdut”.

Një prej reporterëve seriozë të mediave mu afrua e tha: “ Rama nuk ishte fare aty, e bënë kot për provokim.”

Episodi i vogël i eskortës që shoqëronte makinën bosh, i yshtur nga tentacioni i përhershëm i Ramës, për të vjedhur protagonizmin, është vula e madhe e qeverisjes me skenarë teatralë.

Çdonjëri nga protestuesit është një mbrojtës i dinjitetit të vërtetë të shqiptarëve. Edhe atëherë kur i akuzojnë dhe mbajnë mbi shpatulla gjykime si “të dhunshëm” janë në misionin e plotë për të shpalosur të vërtetën.

Në kohëra të vështira vlera më e madhe është qëndresa e njerëzve që i mbajnë gjallë protestat pa i dhënë shans askujt t’ia manipulojë forcën si dhunë.

Përpjekja me episodin e eskortës ishte tentative pēr ti thirrur njerëzit në agresion, tentativë e dështuar e një individi të frikësuar e dëshpëruar.

Heroizëm është pikërisht mosdorëzimi e qëndresa nē kohë duke ruajtur dhe mbrojtur vlerat për të cilat por luftojmë, nje Shqipëri të paqtë me vlera demokratike.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura