Gjashtë deputetë të PS ende në gjyq me Kuvendin

Sep 15, 2013 | 13:52
SHPËRNDAJE

Gjashtë deputetë të Partisë Socialiste të legjislaturës së kaluar, pesë prej të cilëve të rizgjedhur në zgjedhjet e 23 qershorit, janë në konflikt gjyqësor me Kuvendin e Republikës. Prej tri vitesh Gjykata e Tiranës është duke shqyrtuar padi civile të firmosura nga deputetët, tashmë pjesë e maxhorancës, ku si palë e paditur është Kuvendi i Shqipërisë. Bëhet fjalë për kërkesë-padi të depozituara në kohë të ndryshme në lidhje me disa përfitime financiare të pashlyera nga ana e Kuvendit. Deputetët e PS bojkotuan Kuvendin që në seancën e parë shtator 2009. Në paditë e tyre deputetët pretendojnë se për disa muaj në harkun kohor shtator 2009 – maj 2010, nuk kanë marrë përfitimet financiare, paga, dieta për udhëtime apo telefon, që u takojnë me ligj për shkak të “statusit të deputetit”. Objekti i padive është “detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë që të paguajë të gjitha përfitimet financiare që burojnë nga legjislacioni për ‘statusin e deputetit’ dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit për periudhën 25 shkurt – 31 maj 2010″. Një pjesë e padive janë depozituar në vitin 2011, ndërsa të tjera në muajt e parë të këtij viti. Sipas burimeve zyrtare të Gjykatës, gjyqi më i “zvarritur” është ai i deputetes Mimi Kodheli. Shqyrtimi i padisë së saj ka nisur në mars 2011 dhe deri më tani janë zhvilluar 25 seanca gjyqësore. I nisur në maj 2011 shqyrtimi i padisë së deputetit Erjon Braçe numëron 24 seanca. Në rend zbritës, në radhë është gjykimi i padisë së deputetes Arta Dade, me 7 seanca dhe ato të deputetëve Alfred Dalipi e Taulant Balla me nga 5 seanca të zhvilluara. Ndërsa gjykimi i padisë së deputetit Dashamir Peza shënon vetëm një seancë. Gjatë vitit 2013 gjykata është shprehur me vendim për padinë e ish-deputetes Ermelinda Meksi. Në një vendim të shpallur më 18 korrik togat e zeza detyronin Kuvendin t’i paguajë një shumë prej 1.6 milionë lekësh. Ndërsa për deputetin Qemal Minxhozi padia është pushuar.

PER VITIN 2012
Gjatë vitit 2012 Gjykata e Tiranës u shpreh me vendim për tre nga deputetët socialistë që paditën Kuvendin. Më 21 qershor 2012 togat e zeza pranuan padinë e deputetit Ditmir Bushati. Sipas vendimit, Kuvendi duhet t’i njihte deputetit Bushati përfitimin e pagës së plotë për periudhën 25 shkurt – 20 maj 2010, si dhe dietat për shërbime telefonike dhe transporti për këtë periudhë. Tjetër padi e pranuar ishte ajo e deputetit Ilir Gjoni, me një vendim të datës 18 tetor 2012. Gjykata i njihte deputetit të gjitha detyrimet financiare që ai i pretendonte të penguara nga ana e Kuvendit. Të njëjtin fat me dy kolegët e tij nuk ka pasur deputeti Damian Gjiknuri, padia e të cilit u rrëzua më 12 nëntor 2012. Në vendimin ndaj tij, Gjykata arsyetonte se mosmarrja pjesë e tij në seancat plenare të zhvilluara nga Kuvendi dhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare, mund të vlerësohej si një mospjesëmarrje pa shkaqe të përligjura.

DEPUTETET

1. Mimi Kodheli
Kërkon detyrimet financiare në vlerën 354 mijë lekë
2. Erjon Braçe
Kërkon detyrimet e Kuvendit në vlerën 330 mijë lekë
3. Arta Dade
Kërkon përfitimet nga funksioni i deputetit për
periudhën 25 shkurt – 31 maj 2010
4. Alfred Dalipi (i pamandatuar)
Kërkon përfitimet nga funksioni i deputetit për
periudhën 25 shkurt – 31 maj 2010
5. Taulant Balla
Kërkon përfitimet nga funksioni i deputetit për
periudhën 25 shkurt – 31 maj 2010
6. Dashamir Peza
Kërkon përfitimet nga funksioni i deputetit për
periudhën 25 shkurt – 31 maj 2010

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura