Fuqizimi i grave si nxitës i zhvillimit rural

Oct 15, 2021 | 9:00
SHPËRNDAJE

MICHELE RIBOTTA

FABRIZIO BUCCI

Ajo punon tokën me kohë të plotë, por në shumicën e rasteve toka nuk është në pronësi të saj. Ajo çdo ditë bën dy punë, e megjithatë nuk është e punësuar. Ajo do ta kishte tepër të vështirë të merrte një kredi nëse do të dëshironte të zgjeronte biznesin bujqësor. Ajo është gruaja rurale e Shqipërisë dhe si miliona gra të tjera që punojnë dhe jetojnë në zona rurale në mbarë botën, ajo po përballet me sfida të shumta dhe të mëdha, ku ndër to mund të numërojmë infrastrukturën e dobët, mungesën e kohës, mungesën e shërbimeve, burimeve financiare dhe aseteve të prodhimit.

Në nivel global, gratë rurale përfaqësojnë çerekun e popullsisë së botës, të cilat punojnë si fermere, rrogëtare dhe sipërmarrëse. Në Shqipëri, më shumë se 40% e grave punojnë në bujqësi krahas angazhimit me punën e papaguar në familje. Pronësia e tokës nga ana e tyre mbetet veçanërisht e kufizuar (më pak se 20%) dhe ato pothuajse nuk kanë akses në mbështetje financiare (vetëm 3% e tyre kanë aplikuar deri më sot).

Me temën “Gratë në drejtim: Arritja e një të ardhmeje të barabartë në një botë me COVID-19”, këtë vit Dita Ndërkombëtare e Gruas Rurale lartëson gratë dhe vajzat në mbarë botën, të cilat gjenden në vijën e parë të promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe rimëkëmbjes nga pandemia. Siç jemi në dijeni të plotë, pandemia ka prekur gratë në mënyrë joproporcionale, duke pakësuar të ardhurat e tyre, duke rritur ngarkesën e tyre të punës, duke kërcënuar sigurinë e tyre ushqimore, si dhe sigurinë personale.

Axhenda 2030 dhe 17 objektivat e saj të zhvillimit të qëndrueshëm theksojnë në veçanti fuqizimin ekonomik dhe social të grave rurale si një mënyrë për të rritur barazinë dhe për të përmirësuar jetesën. OZHQ-të përfshijnë synimin për dyfishimin e produktivitetit bujqësor dhe të ardhurave të prodhuesve të ushqimit në shkallë të vogël, në veçanti të grave, deri në vitin 2030. Shqipëria ka bërë progres përgjatë viteve dhe qeveria vijon të adresojë këto objektiva përmes planeve dhe politikave kombëtare, të cilat njohin rolin kyç të grave në sigurimin e qëndrueshmërisë së familjeve rurale dhe përmirësimin e jetesës dhe mirëqenies së përgjithshme të komuniteteve.

Megjithatë, për të promovuar fuqizimin ekonomik të grave rurale nevojiten me shumë fokus dhe burime, sidomos pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe COVID-19. UN Women së bashku me FAO-n dhe në partneritet me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim po mbështet këto përpjekje përmes një sërë ndërhyrjesh në mbarë vendin. Këto ndërhyrje variojnë nga promovimi i njohurive dhe trajnimi profesional i grave rurale deri në forcimin e fuqizimit të tyre ekonomik përmes pronësisë së aseteve të prodhimit, aksesit në huamarrje dhe përmirësimin e shërbimeve. Ato përfshijnë edhe rritjen e autonomisë dhe lidershipit të grave rurale në proceset e vendimmarrjes.

Le të mos harrojmë ëndrrat dhe aspiratat e grave rurale shqiptare në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas Rurale.

Michele Ribotta, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri

Fabrizio Bucci, Ambasador i Italisë në Shqipëri

 

© Panorama.al

Te lidhura