“Është për të ardhur keq, Shqipëria ka bërë hapa mbrapa”- Paskal Milo: Historia duhet rishkruar, por pa e kthyer në rezervuar të urrejtjes ndërshqiptare

Oct 9, 2019 | 11:04
SHPËRNDAJE

Profesori i historisë, Paskal Milo, flet për nevojën e një strategjie kombëtare në historiografi, ndërsa shprehet se historia jonë ka nevojë të rishkruhet, por jo të ribëhet, siç pretendohet ende sot.

Paskal Milo
Paskal Milo

Sipas tij, nga historia jonë kombëtare na vjen mësimi se shqiptarët kanë nevojë për të kultivuar më shumë tolerancë si komb.

“Toleranca është kulturë, emancipim, vlerë demokratike dhe europiane. Me tolerancë duhet rivlerësuar e rishkruar edhe historia, por pa prekur në emër të saj vlerat themelore të historisë kombëtare. Historia nuk duhet të shërbejë si rezervuar i urrejtjes ndërshqiptare”, shprehet profesor Milo në shkrimin e tij.

PASKAL MILO

Historia jonë kombëtare është sa e lavdishme, aq edhe dramatike. Është një pasuri që prodhon krenari dhe emocione, por njëkohësisht na shtie në borxhe morale ndaj saj. Nuk ka dyshim që breza historianësh të së shkuarës kanë kontribuar në historishkruarjen tonë kombëtare. Ka pasur një kohë, të paktën para një shekulli, që historinë tonë kombëtare e shkruanin kronikanë, udhëtarë, diplomatë e studiues të huaj, përjashto emra të pakët shqiptarësh, që nga Marin Barleti e rilindësit e shekullit XIX. Brezi i historianëve të mirëfilltë shqiptarë shfaqet në gjysmën e parë të shekullit XX pa pretendime të mëdha, me përjashtim të Fan Nolit, Faik Konicës, Mid’hat Frashërit, Gegajt etj.

Niveli i historiografisë tonë kombëtare reflektonte nivelin e organizimit tonë shoqëror, politik, arsimor e kulturor, që përveç përgjegjësive të brendshme ndërshqiptare, reflektonte edhe atë gjendje në të cilën u ndodhën shqiptarët në agimin e zgjimit kombëtar e në procesin e shtetformimit të tyre. Mungesa e një shteti unik kombëtar shqiptar, krahas influencave negative në ngjizjen e kombit, ndikoi në prapambetjen e tij ekonomike, politike, sociale, por edhe arsimore, kulturore, pra edhe në gjerësinë e cilësinë e historishkruarjes kombëtare, pengoi krijimin e një institucioni mbarëkombëtar për koordinim e politikëbërje shkencore.

Historiografia shqiptare e të gjitha trevave shqipfolëse dhe ajo e diasporës e kanë lëvruar historinë kombëtare në mjaft dimensione në mënyrë të drejtë e përgjithësisht krijuese. Por është fakt, se ka periudha të saj që janë trajtuar cekët, në mënyrë të paargumentuar, shpeshherë nga mungesa e cilësisë së historiografëve e të burimeve të mirëfillta dokumentare, nga urgjenca e detyrimi kombëtar për t’u paraprirë ngjarjeve e zhvillimeve ndërkombëtare e të kërcënimeve që vinin historikisht nga vendet fqinje, si dhe për t’iu përgjigjur historiografive të tyre për shtrembërimet që i bënin historisë sonë kombëtare e popullit shqiptar.

Historiografia shqiptare ka qenë spontane dhe e fragmentarizuar. Ajo, për fat të keq, vazhdon edhe sot të vuajë nga këto dobësi për arsye objektive dhe subjektive. Ekzistenca e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë e Kosovës, pozicioni kushtetues shtetformues i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përmirësimi i statusit juridik-kushtetues i shqiptarëve në Mal të Zi, jeta aktive identitare e arbëreshëve në Itali dhe dinamika gjithnjë në rritje e diasporës shqiptare nëpër botë, ka krijuar sot rrethana dhe mundësi të reja edhe për historiografinë shqiptare që të ngrejë në një nivel edhe më të lartë historishkruarjen e kombit e mbi të gjitha, të hartohen platforma e programe të përbashkëta për të mbyllur kapitullin spontanitetit e të fragmentarizimit në studimet historike.

Programe bashkëpunimi mes institucioneve ndërshqiptare në historiografi ka pasur edhe më parë, ka edhe tani. Po ky bashkëpunim nuk është strategjik, nuk prek thelbin e asaj çfarë synohet të arrihet si objektiv madhor kombëtar. Nuk mjaftojnë vetëm disa konferenca shkencore të përbashkëta të organizuara nga akademitë e shkencave e qendrat kërkimore shkencore, universitetet apo institutet e historisë, as edhe vetëm i disa botimeve të përbashkëta. Vetëm një strategji kombëtare e përpunuar me përgjegjësi, e mbështetur nga të gjitha pikëpamjet, e koordinuar e me ndarje të sinkronizuar pune mund t’u përgjigjet kërkesave aktuale të kombit përballë rreziqeve të globalizimit, që kërcënojnë të vegjlit para së gjithash.

Nevoja e një strategjie kombëtare në historiografi nuk do të thotë rrafshim i larmisë dhe i individualitetit të të shkruarit dhe as në imponimin e klisheve e të përfundimeve të parafabrikuara. Ruajtja e parimeve rigoroze të historishkruarjes dhe cilësia e historianëve do të mund të garantonte objektivat e një strategjie të tillë kombëtare. Por ky mision kombëtar nuk mund të realizohet me frymën e shenjtë. Ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar është një nga detyrat më të mëdha të historiografisë. Që të plotësohet me sukses, ajo është e domosdoshme që shtetet kombëtare shqiptare dhe institucionet respektive të tyre të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për historianët e qendrat kërkimore-shkencore.

Është për të ardhur keq që në këtë drejtim, të paktën në Shqipëri ka hapa mbrapa. Akademia e Shkencave është larg së qeni një institucion që t’i prijë misionit të lëvrimit me përparësi të shkencave albanologjike, që janë të lidhura drejtpërsëdrejti me identitetin kombëtar shqiptar. Institucioni tjetër, Akademia Albanologjike, në përbërje të të cilit është edhe Instituti i Historisë, është rrudhur aq shumë e financohet aq keq, sa vetëm zvarritet që të mbijetojë. Departamentet e Historisë në universitete, me gjithë theksin që u vendos në ligjin për arsimin e lartë për nxitjen e punës kërkimore shkencore, për shkak të burokracisë e të mefshtësisë administrative, ende nuk janë vënë në lëvizje, por as edhe nuk shihet ndonjë hap konkret në financimin me përparësi në kërkimin shkencor. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është se kontingjentet e studentëve të historisë që vijnë në universitet janë ndër ata me notën mesatare më të ulët. Në këto rrethana, pretendimet për të përgatitur historianë të formuar e me të ardhme janë minimale.

Duke u rikthyer në të shkruarit e historisë kombëtare si proces, nuk mund të mos tërheq vëmendjen edhe në një çështje tjetër, që ka hapur mjaft debate dhe diskutime. Është fjala për ngatërrimin e konceptit të rishkruarjes së historisë me konceptet “ribërje” e “rishikim” i historisë.

Nuk ka e nuk mundet që historia të ribëhet ose të rishihet. Është një koncept absurd dhe antishkencor. Historia si ngjarje zhvillohet vetëm një herë në një kohë e vend të caktuar. Ajo nuk zhbëhet më. Tjetër proces është rishkrimi i historisë, i cili është normal, objektiv dhe i justifikueshëm. Shkenca historike e njeh këtë proces, që natyrshëm të çon në përfundime të reja mbi bazën e zbulimit të dokumentacionit të ri arkivor, apo edhe të riinterpretimit me kritere rigoroze shkencore të fakteve, ngjarja e fenomeneve historike.

Historia është tentuar në vazhdimësi në breza njerëzorë të shtrembërohet e të përmbyset. Një historiografi e tillë nuk i ka qëndruar dhe nuk i qëndron kohës, siç është provuar edhe këtu te ne. Ka qenë një mall konsumi për një kohë e synim të caktuar, pastaj e ka mbuluar pluhuri i harresës.

Nga historia jonë kombëtare na vjen mësimi se shqiptarët kanë nevojë për të kultivuar më shumë tolerancë si komb. Toleranca është kulturë, emancipim, vlerë demokratike dhe europiane. Me tolerancë duhet rivlerësuar e rishkruar edhe historia, por pa prekur në emër të saj vlerat themelore të historisë kombëtare. Historia nuk duhet të shërbejë si rezervuar i urrejtjes ndërshqiptare. Filozofi i madh iluminist francez, Volteri, shkruante se “nëse gjëmat e luftës nuk shmangen dot, mos e urrejmë, mos e shqyejmë njëri-tjetrin në prehrin e paqes…

Ka shumë rëndësi që në momente të caktuara, kur për shkak të cenimit të vlerave historike që prekin identitetin kombëtar apo ndjeshmëri që prishin ekuilibra socialë, institucionet shtetërore me kujdes duhet të ndërhyjnë, por duke respektuar autonominë shkencore. Por që të bëhet kjo, shqiptarëve u duhen edhe udhëheqës të kënduar, që të njohin në radhë të parë historinë kombëtare. Burri i madh i shtetit britanik, por edhe i Europës së shekullit të kaluar, Uinston Çurçilli, një student amerikan në Westminister Hall në maj 1953, e porosiste “Studio historinë, studio historinë. Në histori gjenden të gjitha sekretet e artit të qeverisjes”.

Titulli origjinal i autorit: Shkruarja e historisë kombëtare, si sfida e krijimit të vetvetes

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura