Enver Hoxha mbetës për vjeshtë, zbulohen notat në procesverbal

Jul 22, 2013 | 13:51
SHPËRNDAJE

ENVER HOXHA ME NJË MIKUN E TIJ NË FRANCË
Botimet “Eugen” publikojnë biografinë e re për diktatorin.

“Enveri mbetës për vjeshtë, ja notat në procesverbal”
Si arriti një ndër liceistët më të dobët të studionte në Francë, kundër ligjit.

Liceisti i Korçës, Enver Hoxha, ishte ndër nxënësit më të dobët, mesatarja e tij 5+

“Enveri, agjent i Zogut, u rekrutua në favor të bursës”

Rekrutimi u bë nga kushëriri i dytë i Enverit, Abedin Hoxha, që ishte kreu i Zyrës Sekrete të MPB.

Gafa në orën e anglishtes, Enveri e quajti veten gomar.

E ka pranuar edhe vetë Enver Hoxha që nuk ka qenë nxënës edhe aq i mirë në mësime, por “sinqeriteti” nuk shkoi ndonjëherë përtej kësaj fjalie standarde. Pas vdekjes së tij, e veja Nexhmije Hoxha iu përmbajt këtij citati, por si njëri edhe tjetri përfshinin epitetin “mirë”, duke nënkuptuar madje gati “shumë mirë”. Kur në fakt Enver Hoxha ka qenë një ndër nxënësit më të dobët të Liceut të Korçës dhe ngelës përsëritës në 3 vite, në universitetet që tentoi t’i vazhdonte në Francë dhe Belgjikë. Madje, ai ka qenë ndër liceistët që ka dhënë provimet në vjeshtë, siç është ai i datës 27 shtator 1927, pasi kishte ngelur më parë. Procesverbali me notat e Enver Hoxhës si liceist është një ndër dokumentet që shfaqin diktatorin në një optikë të re, duke iu referuar viteve më misterioze të tij, 1908-1944. Është kjo biografia më e fundit për Hoxhën, e realizuar në gati 400 faqe nga dr. Vasfi Baruti. Vepra voluminoze është e redaktuar nga Xhevair Lleshi dhe vjen nën logon e shtëpisë botuese “Eugen”.

Duke shkëputur disa pjesë nga libri që ende nuk ka dalë në shitje, gazeta “Panorama” botoi në numrin e kaluar dokumentet për shtatë ditëlindjet e Enver Hoxhës, ku ajo e vërtetë dhe e regjistruar zyrtarisht në gjendjen civile të Bashkisë Gjirokastër është data 12 maj 1908. Sot, njohja me faktet dhe materialet e reja vijon me Enverin si një ndër liceistët më të dobët të Korçës dhe si arriti ai të merrte një bursë studimi për në Francë, kur i ndalohej me ligj për shkak të moskryerjes së shërbimit ushtarak, rezultateve shumë të ulëta dhe biografisë “me njollë”, duke qenë se ai ishte kunati i Bahri Omarit, një ndër kundërshtarët më të fortë politikë të Zogut. Përqasja e dokumenteve, ligjit dhe dëshmive të ndryshme, e çojnë dr. Vasfi Barutin drejt përfundimit: Enver Hoxha u rekrutua si agjent i Zogut nga kushëriri i tij i dytë, Abedin Hoxha, që asokohe ishte kryetar i Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme…

(Pjesë nga libri biografik “Enver Hoxha në optikë të re”, me autor Vasfi Baruti”)

Në rreth, Abedin Hoxha me
familjen e tij. Ishte
kushëriri i dytë i Enverit.
Disa nga detyrat që ka
mbajtur Abedin Hoxha:
llogaritar në Ministrinë e
Punëve të Brendshme,
nënprefekt në Bilisht,
kryesekretar i Zyrës
Sekrete në MPB,
nënprefekt në Shijak,
nënprefekt i Mallakastrës,
nënprefekt i Malësisë së
Madhe, sekretar i
përgjithshëm i MPB,
kryetar i zyrës sekrete
në MPB etj. Pas 1944
Enveri e burgosi e
internoi dhe vdiq “i
helmuar” më 5 maj 1956
Enveri mbaroi dy vite në Liceun e Gjirokastrës dhe, meqë ai mbyllej, merr bursë për të vazhduar tri vitet e tjera në Liceun e Korçës, për të marrë diplomën e liceut francez. Në arkivin e Liceut mbetën edhe ndoca gjurmë dokumentesh për liceistin Enver, sepse dosjet arkivore bëhen pre e censurës të tij, kur erdhi në krye të shtetit. Në Arkiv mbeti, për rastësi, një procesverbal i drejtorisë së Liceut mbi provimin e nxënësve dhe notat (pikët) e marra janë tregues për formimin e tyre: Enveri në provimet me shkrim merr 10 pikë në gjuhë, 11 pikë në matematikë, në provimin me gojë 11 pikë në gjuhë, 14 pikë në histori, 14 pikë në gjeografi, në provimet me shkrim është me mesatare 10.5, në provimet me gojë është me mesataren 10.4, një mesatare mjaft e ulët, gati dy pikë e ndan atë nga pikët minimale. Ose, me pikët të konvertuara me notat e sotme (nga 5 në 10), Enveri merr notën 5+. Enveri Liceun e mbaroi me rezultate nën mesatare, nota më e lartë ishte 20 dhe nota më e lartë që merr Enveri ishte 17 në gjeografi, kurse në fizikë e kimi, siç ka shkruar në “Vite të vegjëlisë”, merrte notat më të ulëta: “Unë kalova mirë në të gjitha, në matematikë që kisha frikë, kisha një notë të kalueshme, në të tjerat shumë mirë dhe mirë. Kur them shumë mirë dhe mirë, duhet të kuptohet se rrallë e tek merrej në Lice nota 20, bile edhe 18 ose 17”. Me kësi rezultatesh të “larta”, nën mesatare, Enveri mbaroi Liceun. “Enver Hoxha përfundoi me rezultate të larta studimet në Liceun e Korçës”, shkruan ai për veten në librin “Vitet e Rinisë”. Sakaq, në Biografinë e shkurtër të vitit 1947, për Enverin liceist në Korçë, lexohet: “Në Lice prirjet e Enverit ishin për histori dhe literaturë (letërsi). Aty studioi mirë literaturë frënge të shekullit XVIII e XIX e studioi historinë e Revolucionit francez”.
PENGESA TË PAKAPËRCYESHME PËR NË MONTPELJE
Mbreti Zog e kishte merak krijimin e një elite të shkolluar në universitete perëndimore dhe, në aq pak kohë në pushtet, kishte akorduar 200 bursa për studentë shqiptarë në Francë, Austri e Itali. Për numrin e popullsisë sasia e bursistëve nuk ishte e vogël. Enveri mbaroi Liceun e Korçës dhe në verë 1930 fitoi bursë shtetërore për në Universitetin e Monpeljesë të Francës, por e fitoi duke kapërcyer tri barriera të pakapërcyera, siç ishin:
1.Ligji i rekrutimit ushtarak përjashtonte mundësinë që liceisti Enver të shkonte me studime jashtë shtetit, pa kryer më parë shërbimin ushtarak (Ligji i rekrutimit 3 shkurt 1928). Për më tepër që ai ishte tre vjet më i madh sesa shokët, pasi kishte bërë tre vjet në Mejtep.
2.Rezultatet e mbarimit të Liceut Enveri i kishte nën mesatare dhe e drejta e bursës për studime jashtë shtetit jepej për studentë me rezultate shumë të mira. Enveri ishte me nota nën 14, edhe më të ulëta i kishte notat në lëndët e shkencave të natyrës. E konvertuar me notat e sotme, me sistemin 10, Enveri e mbaroi Liceun me mesatare 6.
3.Enveri kishte edhe një pengesë politike, se kunati Bahri Omari, emigrant politik në Itali, ishte eksponent i njohur politik dhe kundërshtar i Zogut. Zogu nuk vinte kufizime politike për shkollat e mesme brenda vendit, por për studime të fëmijëve të kundërshtarëve të tij politikë jashtë vendit kishte kufizime të forta. Por kjo pengesë në rrethana të veçanta do t’i kthehej në favor Enverit. Ka pasur një debat lidhur me këtë, duke aluduar se Enver Hoxha gëzonte ndihmën e Eqerem Libohovës, që ishte ministër i Jashtëm i Mbretërisë. Këtu gabohet, pasi atë vit ministër i Jashtëm ishte Rauf Fico dhe jo Eqerem Libohova… E drejta e studimit (garancia) jepej nga Drejtoria e Liceut, kurse e drejta e bursës jepej nga Ministria e Arsimit, por me shtysën e një force madhore. Shërbimit ushtarak mund t’i shpëtoje vetëm “për nevoja të shërbimit” dhe është një formulim i shkurtuar: për nevoja në shërbimin sekret shtetëror. Gjetja e Enverit ishte mjaft e qëlluar për shërbimin sekret, pasi duke qenë kunati i Bahri Omarit, kundërshtar antizogist në emigracionin politik, do të ishte më i besueshëm dhe do ta kishte më të lehtë për të punuar në emigracionin politik në Francë, e më pas në Belgjikë, ku emigracioni ishte me shumicë. Dhe Enveri do të sillte në qendrën e inteligjencës në Shqipëri informacion të vlerë për emigracionin politik kundërshtar të Zogut. E pabesueshme, por e vërtetë, siç do të vijojnë mjaft argumente të forta nga muajt e parë të vitit 1931 deri më 1938- n, kur Enveri është mësues në Liceun Kombëtar të Korçës dhe ngjarjet marrin një tjetër rrjedhë për Enverin.
REKRUTIMI I ENVERIT
Koha e fillimit dhe e mbarimit të Liceut nga Enveri përkon me kohën kur Abedin Hoxha, kushëriri i dytë i Enverit, ishte kryetar i Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga 12 gusht 1928 e deri më 3 dhjetor 1930. Hallin e madh që i kishte rënë Enverit për një bursë në Francë, ia zgjidhi pikërisht kushëriri Abedin Hoxha, i bindur se do të ishte besnik i betimit të tij në zyrat e Shërbimit Sekret. Vetëm për një shërbim të tillë Zogu mund të shkelte kriteret për studime të Enverit a dikujt tjetër me bursë jashtë shtetit… Tetorin e 1930-s Enveri merr rrugën për në Montpelje të Francës dhe regjistrohet në seksionin e Botanikës, Shkencat e Natyrës. Në tre vjet e gjysmë si student në Montpelje, Enveri nuk dha asnjë provim. Dhe, nëse dha ndonjë, ishte mbetës. Dërgata e Komitetit Qendror të Partisë në Montpelje, me në krye Nexhmije Hoxhën në vitin 1987, përveçse një faksimile të regjistrimit në universitet, nuk solli asnjë faksimile dokumenti për dhënie provimesh apo për mbarimin e vitit të parë, siç pretendon Nexhmija. Në gazetën “Bashkimi”, në numrin special të nëntorit 1944, kur publikohet biografia e Enver Hoxhës për kryeministrin, ndër të tjera shkruhet: “Mësimet universitare i vazhdoi në fakultete të Francës”. Tre vjet më pas, në biografinë e dytë, të shkurtër, të vitit 1947, shkruhet: “U regjistrua në degën e Shkencave Natyrale, në seksionin Botanikë, ku bën vetëm një vit”. Ndërsa vetë Enveri, në librin e tij “Vitet e Rinisë”, thotë: “…Herë pas here ndiqja vullnetarisht leksionet në këto degë (histori e gjeografi), sidomos vazhdoja të lexoja me synimin që të zgjeroja kulturën sa më shumë të ishte e mundur. Natyrisht, një gjë e tillë edhe kohën më hante, edhe nuk më lejonte që të përqendrohesha në degën që më ishte caktuar, kështu që vihej në rrezik marrja e të tëra provimeve. Kapërcimi i tyre u bë i çalë, pse rastiste që, kur fitoja me shkrim, rikthehesha me gojë. Në disa lëndë, si në botanikë isha mirë, në zoologji disi, kurse në kimi e fizikë dobët”. E vërteta është se Enveri nuk dha asnjë provim. Apo edhe kur dha, nuk fitoi asnjë prej tyre. Dhënia e bursës nga shteti dhe interesimi i shtetit për studentët bursistë rregullohej me rregullore të hollësishme qeveritare, që hartohej në zbërthim të konkretizimit të ligjit për studimet jashtë shtetit. Dhe, për të kuptuar se çfarë ndodh me Enverin në Montpelje, që nuk jep asnjë provim, por edhe kur jep është ngelës, le të njihemi me rregulloren për studentët bursistë, sepse është një argument i fortë. Rregullorja botohej në Fletoren Zyrtare.
RREGULLORJA QEVERITARE
Rregullore e vitit 1929 për studime jashtë shtetit nga bursistë shteti apo privatë, disa nga nenet:
Art 2. Tre inspektorët e dërguem në Austri, Itali dhe Francë kanë kompetenca jo vetëm mbi studentët bursistë, por edhe mbi studentët privatë.
Art 7. Studenti bursist është i detyruar me i paraqit inspektorit dhe ku nuk ka inspektor përfaqësuesit të shtetit, në fund të çdo semestri dëftesat shkollore, dhe përkundrazi merren masa për çregjistrimin e tij nga lista e bursistëve e gjithashtu duhet të japë provimet brenda kohës së caktuam.
Art 11. Kur një student nuk e kalon klasën bursa i pritet, përveçse në qoftë se ai ka qenë i shtrënguem prej rastesh të jashtëzakonshme dhe këto duhen vërtetue me shkrim, prej drejtorisë së shkollës ku studenti mëson, me raport të mjekut zyrtar të njohur prej shkollës.
Art 12. Në çdo rast që një studenti i pritet bursa jo për arsye shëndeti, detyrohet t’i kthejë shtetit shpenzimet e bëra për atë.
Art 19. Sikurse përmendet në art.194 të Ligjës, inspektorët e ku nuk ka inspektor përfaqësuesit e shtetit, do të përgatisin në fund të çdo tremujori një raport të përgjithshëm për bursistët, ku shënohet: Klasa që ndjek, sa vjet i mbeten pa mbaruar, adresa e banimit, zelli në mësime etj.
Art 22. Bursisti që vepron kundër rregullave dënohet sipas rëndësisë së fajit, me qortime, me prerje të një pjese të bursës dhe çregjistrimin e tij krejt nga lista e bursistëve. Bursat për në universitete jepen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me propozim të ministrit të Arsimit. Firmosur nga: Kryeministri Koço Kota dhe ministri i Drejtësisë, H. Delvina.
JETA MONDANE E (PA)MUNDUR ME BURSË SHTETI
Enveri në memoriet për jetën në Francë, si student, nuk ka rrëfyer asnjë shqetësim shëndeti që të mund të justifikonte mosdhënien e provimeve, siç kërkohet me rregullore, prandaj DOSSIER përjashtohet mundësia që ai të kishte arsye shëndetësore. Dhe, në mbështetje të kërkesave të Rregullores, inspektori i ngarkuar për raportimin e mbarimit të semestrit të parë konstatonte se studenti bursist Enver Hoxha nuk kishte dhënë asnjë provim e pa pikë dyshimi zbaton rregullin nr.1: Enveri të hiqej nga lista e bursistëve dhe këtë raport inspektori i posaçëm i Ministrisë e përsërit çdo fund semestri për 3 vjet. Megjithëkëtë, Enverit nuk i hiqej që nuk i hiqej bursa. Kuptohet që ishte një urdhër i fshehtë që vinte nga një instancë e lartë shqiptare, sepse studenti Enver ishte me mision të fshehtë në shërbim të shtetit. Bursa mujore e studentëve në Francë ishte 210 franga ari dhe Enveri detyrohej t’i kthente shtetit 8400 franga ari që kishte marrë nga shteti shqiptar dhe kjo ishte një shumë e madhe. Studenti bursist A.P në kronikë nga Parisi komenton se bursa prej 210 frangash ari në muaj ishte e vogël dhe i lutej shtetit që ta paktën ta bënin 200 franga ari. Ndryshe nga bursisti A.P që ishte shumë i lidhur pas mësimeve dhe priste të dielën e javës për ta pasur të lirë, studenti bursist Enver Hoxha nuk frekuenton leksionet e praktikat e tjera në universitetin e Montpeljesë dhe i mbetej vetëm jeta mondane, kalimi i kohës në lokale luksoze e qejfi, veshje firmato, siç është parë në foto të tij etj. Por 210 frangat e arit që merrte, ishin shumë të pakta për këtë lloj jete, ndaj pyetja vjen: Ku i gjen Enver Hoxha qindra e qindra franga të tjera ari apo më shumë për të bërë atë lloj jete që deshi në 3 vjet? Enveri dihet se nuk kishte asnjë lloj mundësie financiare nga familja dhe i vetmi burim, me sa duket, i vjen nga betimi i fshehtë në zyrat sekrete të Ministrisë së Mbrojtjes – me kryesekretarin Abedin Hoxha.
vijon…

Gafa në orën e anglishtes, Enveri e quajti veten gomar
Enveri në talljet e shokëve liceistë të Korçës, Kokona, Zazani, Kasimati

Procesverbali i riprovimit të liceistit të
Korçës, Enver Hoxha. Më 27 shtator 1927,
Enver Hoxha dha provimet e vjeshtës,
pasi kishte qenë mbetës më parë. Më
datë 5 tetor 1927, komisioni firmosi procesverbalin
në fjalë, së bashku me 6
përsëritës vjeshte të tjerë.
Memoriet e Vedat Kokonës, bashkëliceist me Enverin, kur ai jepte provim në anglisht: “Do t’ju tregoj një histori shumë të këndshme që do të shkuleni gazit kur ta dëgjoni, por me kusht që edhe në mos ditshi anglishten, të dini se anglisht majmunit i thonë “monkey” dhe gomarit “donkey”. Do t’ju sjell vetëm historinë ashtu siç është në të vërtetë. Në Liceun e Korçës ishte nxënës edhe Enver Hoxha, i cili kishte ardhur atë vit që vajta unë në Liceun e Korçës. Ditën e provimit të bakaloreatit, dyert e sallave ku zhvilloheshin provimet ishin të hapura dhe ne nxënësit e klasave të ulëta shkonim për të dëgjuar si zhvillohej një provim. Unë, natyrisht, prisja me padurim si do të përgjigjej vëllai im. Hyra dhe unë dhe zura një vend në një bankë nga fundi për të dëgjuar. Ishte koha kur në karrigen përpara Babi Lonit (drejtori francez) ishte ulur Enver Hoxha. U gëzova që e kishte radhën Enveri, që ta ngacmoja më vonë, se e dija që në anglisht nuk shkëlqente, ashtu siç shkëlqeu më vonë në marksizëm, dhe ngatërronte përherë fjalët me shqiptim të përafërt. Babi Lonit i pëlqenin shumë fjalë të kësaj natyre dhe zbavitej pa ligësinë më të vogël me gabimet që bënin nxënësit dhe që e bënin atë të qeshte me gjithë zemër, duke hedhur përpjetë barkun e madh. Babi Loni, pasi i kishte bërë Enverit disa pyetje, me sa dukej, s’kishin pasur përgjigje, deshi t’i bënte dhe një pyetje që ta ndihmonte dhe i tha:

-How do you call in english animal most
e closely resembling man? (Si quhet në anglisht
kafsha që i ngjan më shumë njeriut).
Enveri që s’e kuptoi pyetjen, i tha:
-Please, repeat (Të lutem përsërite).
Babi Loni, për ta ndihmuar, i tha:
What is the name of the animal that in
more on less like you? (Cila është kafsha që
të ngjan më shumë ose më pak ty?).
Dhe Enveri, këtë radhë, i sigurt se e kishte
kuptuar pyetjen e do të dilte mirë në
provim, tha duke e shpënë dorën tek balli:
-Donkey (Gomari).

Ata që e dinin anglishten, u shkulën gazit, se xhevahire të tilla zor se do të gjenin herë tjetër. Bashkë me ta qeshi dhe Enveri”.
Një rreng nga Enver Zazani, që Enveri tjetër s’ia harroi kurrë dhe, kur mori në dorë frerët e pushtetit, ia “shpërbleu’ me një “koqe plumbi kokës”. “Më pëlqente të rrija me Enver Hoxhën, por edhe me Hamit Kokalarin, që më dukej se ishte më i mësuari dhe më i zoti se gjithë të tjerët, por Hamiti ishte pak i mbyllur, jo shakaxhi si Enveri dhe unë… Enverit shokët i kishin nofkën ‘gazhel’, fjalë që pak a shumë me ngjyrimin e alesorit të veshgjatit. Në Korçë sillej shpesh rrugëve një “i sëmurë” me fytyrë paralitiku që e kishte ballin me gunga e shpesh me gjak dhe me një gojë të neveritshme nga kullonin jargë përmes dhëmbëve. E quanin Jorgo. Të gjorit Jorgo, po t’i jepje ndonjë lek dhe ta porositje të thoshte “Hasani apo Veseli është gomar”, Jorgoja shkonte bulevardit dhe i përsëriste me zë të lartë këto fjalë, derisa një tjetër t’i jepte lek dhe ta ngarkonte me një porosi tjetër. Një ditë se kush e kishte porositur të thoshte: “Enver, gazhel” dhe ai e shpuri në vend porosinë. Me sa duket, këtë rëned ia kishte luajtur Enveri tjetër, Enver Zazani, i cili hëngri plumbin më vonë. Enveri lë kujtime për Sabiha Kasimatin, nxënëse me të në Liceun e Korçës, por tre vjet më e vogël: “…E vetmja nxënëse e Liceut të Korçës ishte nga Gjirokastra, nga Libohova, çupa e një doktori. Një vëlla e kishte në klasën e filozofisë. Ishte e lezetshme, e zgjuar, por nuk shkëlqente në mësime, nuk linte dy gurë një mbi një, vervele e bënte klasën, ia nxirrte trutë një shokut tonë nga Gjirokastra dhe një beu elegant. Në fakt, ajo me të gjithë tallej. Fillimisht ua zgjaste dhe i sillte vërdallë, pastaj nuk ua vinte më veshin as këtyre. “…Në mbrëmje vallëzimi në Liceun e Korçës, Enveri tentoi që ta fuste në dorë Sabihanë, e cila në mes të sallës, që ta dëgjonin të gjithë, i tha: ‘More Enver, gomar ke qenë dhe gomar mbete’. Sabiha Kasimati e pagoi me kokë”…

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura