Elia Zaharia: Jetë princeshe? Më vjen keq t’ju zhgënjej, por realiteti është ndryshe

Feb 17, 2017 | 14:50
SHPËRNDAJE

“Princeshat lindin në shkurt” ishte postimi që Elia Zaharia bëri në Instagram për ditëlindjen e saj të 34-t. Artiste në shumë dimensione, nga teatri e deri te muzika, përveç tyre edhe si presidente e suksesshme e një fondacioni, Elia është vlerësuar me çmimin “Best” në edicionin e 40-të të “Best Awards” në Paris.

Momentet magjike të tërheqjes së kupës, mes Marisa Berenson, Clotilde Coureau, Pamela Anderson, Melissa George, Lola Karimova, David Ginola, etj., ajo i rrëfen në këtë intervistë për gazetën “Panorama”. Elia flet për jetën pas martesës me Leka Zogun II, fëmijët që planifikojnë të sjellin në jetë dhe mënyrën si e festojnë Shën Valentinin një Princ dhe Princeshë si ata…

5545454

Kjo është intervista e parë si e martuar, pasi tashmë ke marrë zyrtarisht mbiemrin Zogu. Titulli princeshë sa përkëdhelës është për ty, ndërkohë që jeton në një vend jo monarki si Shqipëria?

Çdo person publik mund të shërbejë si model pozitiv për shoqërinë. Çdokush bën zgjedhjet e tij. Titulli Princeshë, për aq sa është në dobi të vendit, më stimulon të punoj më fort dhe ta prezantoj me sa më shumë dinjitet kombin tonë. Nëse prisni të them që jeta ime është ndryshe nga ajo e bashkë- moshatarëve të mi, më vjen keq, por nuk do ta merrni këtë përgjigje. Ne të dy jemi me këmbë në tokë, të lidhur me realitetin, dhe si të tillë, përballemi me sfidat e shumta që ka Shqipëria.

Sapo je kthyer nga Parisi me kupën e çmimin “Best”. Me çfarë motivacioni jepet ky çmim prej 40 vitesh?

Personat që e kanë marrë në vite vijnë nga fusha të ndryshme, nga arti dhe kultura, sporti, deri te filantropia dhe puna me fondacionet e tyre. Përshkrimi që ata bënë kur më ftuan të tërhiqja çmimin ishte gjithëpërfshirës; si aktore shqiptare, gjithashtu si presidente e një fondacioni me punë të suksesshme. Por, mbi të gjitha, theksi u vendos te shërbimi që i bëra vendit tim nëpërmjet dasmës, reklamës pozitive, që ishte mjaft intensive në Europë, si edhe më gjerë.

Duket që ke shumë afeksion me stilistët e Kosovës, si dhe në këtë event të fundit në Paris apo jo?

Prej vitesh tashmë ne udhëtojmë dhe marrim pjesë në evente të ndryshme, të cilat bëhen mediatike. Gjithmonë unë e kam pasur prioritet promovimin e traditave dhe kulturës shqiptare. Në evente të ndryshme kam veshur krijime nga stilistë të ndryshëm shqiptarë. Kam bashkëpunuar dhe shpresoj të bashkëpunoj edhe në të ardhmen me emra të mirënjohur si: Enada At Nikolla, apo ateliene T&N, Valdrin Sahiti apo Edlira Sula, e cila më ka nderuar me veshjet me motive tradicionale.

45454878

Pse ua beson atyre veshjen në eventet kur merr pjesë si Princesha nga Shqipëria?

Është shumë i rëndësishëm mesazhi i një Kosove dhe Shqipërie të unifikuar, si pjesë e pandashme e filozofisë dhe identitetit të Familjes Mbretërore. Përpos kësaj, stilistët që kanë krijuar fustanet e mia të dasmës, Blerina Kllokoqi Rugova dhe Flora Suldashi, kanë treguar talent dhe përkushtim të pakontestueshëm. Ndërkohë bashkëpunimet e suksesshme sjellin dëshirën për t’u ritakuar. Ndaj edhe në eventin në Paris unë sërish vesha një fustan të Blerinës, i cili menjëherë u komplimentua në median “Bunte” të Gjermanisë, si veshja më glamour e mbrëmjes.

Me veshjen më glamour mes figurave më glamoure. Si e ndjeve veten krah emrave të tjerë të famshëm në botë, që u vlerësuan me çmim si ty: Marisa Berenson, Clotilde Coureau,Pamela Anderson, Melissa George, Lola Karimova, David Ginola etj.?

Patjetër që ndjeva emocion kur përmendej Shqipëria, edhe këtë herë me vlerësim. Për mua kjo është primare. Për sa i përket egos personale, unë jam natyrë që i kënaqem punës dhe çmimi për mua është duartrokitja e publikut tim, apo një shkollë a spital i restauruar. Por e kuptoj rëndësinë që këto evente në elitat europiane kanë për vendin, dhe kjo pa dyshim më lumturon. Për cilin prej figurave të sipërpërmendura ke pasur vërtet admirim dhe a munde të flisje nga afër me ndonjërin prej tyre? Kam pasur shumë simpati kur jetoja në Paris për këngëtaren Hélène Ségara, ndaj u kënaqa kur ajo performoi për ne dhe u njohëm. Gjithashtu, biseda me Orlandon, producentin shumë të suksesshëm muzikor, si edhe vëllai i të pavdekshmes Dalida, ishte shumë e ngrohtë dhe e këndshme.

4545454788787

Ti je shqitarja që vlerë- sohesh me këtë çmim pas Shën Terezës. Çfarë të bashkon dhe të ndan në filozofinë që kishte ajo për jetën?

Nënë Tereza e ka marrë këtë çmim në vitin 1982. Nuk do të guxoja të bëja asnjë krahasim me Shën Terezën, do të ishte absurde. Për mua, dhe besoj për ne të gjithë, ajo është frymëzim, krenari! Ne mund ta gjejmë veten në fjalët e saj: Jo të gjithë mund të bëjnë gjëra të mëdha, por secili mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Ke studiuar në Francë, sa të njohin atje?

Kam shumë miq të mirë në Francë, të cilët kanë një vend të rëndësishëm në jetën time. Vitet në Paris unë kam studiuar dhe punuar fort për t’u përgatitur në karrierën time.

Ndërkohë të pamë në një video të shkurtër duke shijuar Parisin me bashkëshortin tuaj, Princ Lekën. Çfarë ka ndryshuar martesa në lidhjen tuaj?

Martesa asgjë, ndërsa njohja me Princin ka qenë motivi kryesor i kthimit në Shqipëri.

454545

Po planifikoni fëmijë dhe e dëshironi patjetër djalë që të jetë trashëgimtar i mbiemrit Zogu?

Nuk kemi asnjë preferencë gjinore. Kur Zoti ta ketë shkruar, do të jemi të lumtur sidoqoftë! Rëndësi ka të na bekojë me fëmijë të shëndetshëm.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura