Tirana, Partizani, Vllaznia, por jo vetëm. Idriz Batha është në epiqendër të merkatos verore që pas prishjes së kontratës me klubin rumun, UTA Arad.
Deri më tani, asnjë prej skuadrave të Kategorisë Superiore nuk ia ka plotësuar kërkesat mesfushorit gjirokastrit, i cili luajti dy vite në elitën e futbollit rumun. “Panorama Sport” mëson se ai ka kërkuar një rrogë prej 9 mijë eurosh në muaj, por kjo shifër është konsideruar e papërballueshme nga klubet e Superiores në këtë moment.
Bisedimet e lojtarit me ekipet shqiptare nuk kanë avancuar vetëm për shkak të kushteve financiare, por gazeta zbulon se ditët e fundit ka dalë në skenë një mundësi e mirë. Bëhet fjalë për klubin nga Qipro, Apollon Limasol, aty ku ndër vite janë preferuar lojtarët shqiptarë.
31-vjeçari mësohet se ka marrë një ofertë zyrtare nga skuadra ishullore, pasi trajneri i saj, rumuni Bogdan Andone, e njeh mirë Bathën dhe e do në skuadër. Bisedimet janë në një fazë të avancuar, por mesfushori ua ka bërë të qartë se kërkon një pagë që i kalon 10 mijë eurot dhe kohëzgjatja e kontratës të jetë 2 vite.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











