EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Agollit, përgjigje “xhaxhit” për Lilën: Panuçi u nxitua, por nuk pres ftesë. Me Tiranën…

SHPËRNDAJE

Ishte kapiten i Kombëtares, nuk e ftuan disa herë radhazi, i përmendën moshën, por kurrë nuk bëri polemika.

Ansi Agolli, në një rrëfim ekskluzivisht për “Panorama Sport”, flet edhe për një ftesë të mundshme në përfaqësuese në mars, ecurinë me Karabak, paktin me trajnerin Gurbanov, sjelljen e Panuçit me të, shanset e Kombëtares dhe shumëçka rreth tij dhe kuqezinjve. Mbrojtësi mëngjarash flet edhe për mbylljen e karrierës, duke mos e fshehur ekipin e zemrës. Gjithashtu, Agolli përgjigjet edhe për krahasimin e Faruk Sejdinit mes tij dhe Andi Lilës.

Agolli po e nis me fazën përgatitore dimërore që keni kryer, si shkoi?

Si çdo vit, fazën përgatitore të janarit ne e bëjmë në Antalia. Çdo gjë shkoi në mënyrën më të mirë dhe tashmë kam nisur edhe fazën e dytë të kampionatit me ekipin që është edhe më decizive. Kemi barazuar me Neftçin në start, kundërshtar i cili po konkurron për titullin dhe më tej kemi regjistruar dy fitore.

Si është gjendja juaj në këtë vit të ri kalendarik për pjesën e dytë të sezonit?

Nga ana ime personale, jam i kënaqur sesi shkoi faza përgatitore dhe sesi kam nisur këtë vit. Mora ngarkesën e nevojshme dhe më kryesorja është që nuk pata asnjë dëmtim.

Cilat janë objektivat personalë për këtë sezon, në raport edhe me ato që ka Karabak?

Janë të lidhura me skuadrën. Pa diskutim, kampionati dhe Kupa gjithashtu janë objektivat tanë. Do të jetë një garë e fortë, pasi pas shumë vitesh kryesues, këtë moment ndodhemi 1 pikë pas Neftçit, ndaj të cilit në fillim të 2019-ës ishim 3 pikë larg. Gjithsesi, ne do të provojmë deri në fund që të arrijmë objektivat, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, ashtu siç nuk ka qenë asnjëherë. Nga ana personale, synoj që të bëj pak më mirë sesa një vit më parë, duke e ndihmuar ekipin me sa mundësi të kem në arritjen e objektivave.

Më pak minuta këtë sezon në krahasim me vitet e shkuara, çfarë ka ndodhur?

Shikoni, para fillimit të kampionatit kam pasur një takim me trajnerin ku ma bëri të qartë që unë nuk do t’i luaj 100% të ndeshjeve. Nisur nga ngjeshja e kalendarit me sfidat në kampionat, në Kupë dhe në Europa Ligë, për shkak të ngarkesës fizike, të cilën vështirë se një 36-vjeçar mund ta përballojë që të luajë rreth 30 ndeshje në katër muaj e gjysmë. Gjithsesi, çdo gjë është brenda parashikimeve. Unë kam vite që punoj me trajnerin Gurbanov, i cili në mënyrë direkte ka ndikimin e tij pozitiv në rritjen e nivelit tim si futbollist. Çdo vendim të tijin, që gjithmonë është në të mirë të skuadrës, unë e kam respektuar, e respektoj dhe do ta respektoj në çdo rrethanë dhe në çdo moment.

A keni ndonjë peng për Kombëtaren dhe çfarë do donit të kishit arritur më shumë?

Kombëtarja për mua ka qenë gjithmonë vendi i krenarisë, i emocionit më të madh që mund të përjetojë një futbollist. I sakrificës, i grintës dhe vendi i ëndrrave të bëra realitet. Është e vetmja skuadër, fanella e së cilës të rri nën lëkurë, ndaj referuar pyetjes suaj, jo, nuk kam asnjë peng nga Kombëtarja. Kam arritur maksimumin që një futbollist shqiptar mund të arrijë me Kombëtaren e tij. Pastaj, Europiani ishte si qershia mbi tortë.

Supozojmë se para ndeshjes së Kombëtares në telefon ju vjen një SMS: “Ansi je i grumbulluar”, e shkruan K.Panuçi. Si do i përgjigjeni?

Nuk e pres një të tillë dhe nuk do të vijë. Ose e anasjella, nuk do të vijë një SMS i tillë, ndaj nuk e pres.

Si është raporti me trajnerin e Kombëtares? A keni biseduar personalisht pas diskutimeve që u bënë për mosgrumbullimin tuaj dhe përmendjen e moshës që ju bëri publikisht?

Të gjithë bëjnë gabime dhe asnjë nuk është i pagabueshëm. Kështu, edhe trajneri i Kombëtares mund të ketë pasur ndonjë nxitim nga ana e tij sesi shprehet në publik. Secili merr përgjegjësitë e veta për çfarë thotë e bën. Është koha për të parë përpara sepse jeta vazhdon, çfarëdo që të ketë thënë apo bërë Panuçi.

Jeni lojtar me shumë eksperiencë në Kombëtare, për shumë vite pjesë e saj, ndaj pyetja është më e ngushtë: Nga ndryshon De Biazi nga Panuçi?

Është pak e vështirë, sepse unë me Panuçin kam punuar shumë pak, katër ndeshje në mos gabohem. De Biazin e njoh më mirë, pa diskutim. Ai i njohu cilësitë e lojtarëve shumë shpejt dhe me anë të cilësive, krijoi një grup me 18 apo 20 futbollistë për atë lloj sistemi që De Biazi mendonte të suksesshëm apo me të cilin mund të merrte rezultat.

Profesor Faruk Sejdini, në një intervistë për “Panorama Sport”, ndër të thera ka thënë se “Panuçi u soll si Magelani në Kombëtare, sikur donte të shpikte diçka. Për Shembull, ai hoqi Agollin dhe mbajti Andi Lilën”. Çfarë komenti keni për këtë?

Normalisht që për profesorin kam respekt maksimale, si njeri, por edhe si një profesionist që futbollit shqiptar i ka dhënë shumë. Krahasimet nuk më pëlqejnë, por kur bëhet fjalë për Andi Lilën e kam për kënaqësi. I uroj të luajë sa më gjatë në Kombëtare, sepse është një futbollist që jep shpirtin në fushë për ekipin, për shokët, për frymën e grupit. Andi është një shembull për çdo të ri me profesionalizmin dhe frymëzimin që përcjell në grup.

Ansi, vëmë një “bast”, edhe pse tani në Shqipëri janë të ndaluara me ligj: Unë them “Shqipëria shkon në Europian”, po ti?

Baste nuk vë, aq më tepër që siç e thatë edhe ju që në Shqipëri janë të ndaluara (qesh…). Shanset janë aty! Përveç Francës, skuadrat e tjera janë të vështira, por të konkurrueshme. Meqë përmendët shanset, mendoni se Shqipëria ka pasur më shumë në “Euro 2016” apo ka më shumë këtë edicion për të arritur Europianin? E thashë edhe më lart që shanset janë aty. Por, skuadra duhet që ta kërkojë dhe ta fitojë shansin. Kundërshtarët janë të vështirë, ashtu siç ishin edhe në kualifikueset për në “Euro 2016”. Nuk ka kundërshtarë të lehtë për ne, pastaj varet sesi do ta bësh ti kundërshtarin…

Një faqe tifozësh aludoi për mbyllje të karrierës suaj në fund të sezonit te Karabak. Sa të vërtetë ka në atë shkrim?

Siç e thatë edhe ju, ajo është një faqe tifozësh që diskuton për skuadrën dhe për lojtarë. Në fakt, mirë bëjnë pasi edhe mund të ketë të vërtetë në atë që ata kanë aluduar (qesh…).

Si është e vërteta për të ardhmen tuaj?

Në Shqipëri është një fjalë “duke parë e duke bërë”. Për momentin jam i përqendruar maksimalisht tek objektivat e skuadrës dhe ta ndihmoj sa të jetë e mundur që t’i arrijë ata. Për të tjerat besoj se do të kemi kohë për të biseduar përsëri.

Gjithmonë e keni përmendur dashurinë për ekipin e Tiranës, meqë është ky kontekst për largimin e mundshëm dhe mbylljen apo jo të karrierës, qëndron si opsion në planet tuaja që të jetë Tirana ekipi i fundit ku do e mbyllni me futbollin e luajtur?

Tirona është skuadra ime e zemrës dhe ashtu do të jetë gjithmonë edhe nëse nuk e mbyll tek ajo. Shikoni, në futboll nuk i dihet asnjëherë se çfarë ndodh. Gjithsesi, te Tirana unë i kam fituar gjithçka çfarë ka qenë për të fituar, ndaj nga kjo anë nuk kam pishman.

Keni luajtur shumë vite jashtë Shqipërisë, larg familjes. Ka qenë më e vështirë në fillime, apo sot që të jeni larg fëmijës suaj?

Në vitet e para, le të themi dy të parat, ka qenë shumë e vështirë. Ambientimi me jetën jashtë Shqipërisë, mentaliteti, ushqimi, gjuha, mënyra e stërvitjes dhe shumë e shumë të tjera profesionale dhe jo vetëm. Por, të luash larg fëmijës është një mision i pamundur, sepse e vështirë është pak të thuash. Ndaj shumicën e kohës, familjen e kam pasur këtu në Baku dhe çdo gjë ka qenë më e lehtë.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.