EKSKLUZIVE/“Të dy shtetet s’ dinë ku i kanë detet territoriale”/ Kolonel Myslim Pashaj reagon pas zyrtarizimit të zgjerimit me 12 milje nga ana e Greqisë: Urgjentisht duhet të thirret…

Dec 26, 2020 | 23:10
SHPËRNDAJE

Myslim Pasha-harta-greqia-deti

ARISTIR LUMEZI/ Koloneli në lirim, Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të Shqipërisë për të mos lejuar Greqinë që të zyrtarizojë zgjerimin e saj me 12 milje në detin Jon.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Pashaj shprehet se pa një marrëveshje me Shqipërinë për të përcaktuar kufijtë detarë, Greqia nuk mund të bëjë asnjë hap përpara në zgjerime hapësirash detare.

“Të dy shtetet nuk e dinë se ku i kanë detet territoriale, se ku kanë detet e puqur, tej detit territoarial. Ajo më kryesorja, se ku ndodhet hapësira ekonomike ekskluzive! Nëse Greqia në mendje të saj, vepron, siç thuhet në vendimin e fundit, ajo në fakt “pushton hapësira detare që mund t’i takojnë Shqipërisë”, të cilat nuk i njeh, nëse i takojnë apo jo”, shprehet Pashaj.

Sipas tij, pranimi i Shqipërisë për të çuar çështjen e detit me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ka krijuar turbullirë dhe tymnajë që mesa duket nga kjo po përfiton Greqia.

“Të gjithë e dimë vendimin e qeverisë Shqiptare dhe asaj të Greqisë, të cilat “E dorëzuan detin në dorën e Gjykatës së Hagës. Kjo e ka bërë çështjen akoma dhe më komplekse. Veç kësaj, në këtë turbullirë dhe tymnajë detare, vendimi i qeverisë së Greqisë ka rastin që të përfitojë, në shtrirje dhe zgjerim të 12 miljeve detare. Një hap i tillë nuk duhet të lejohet, se më vonë, nuk zgjidhet aq kollaj e nuk dihet se sa kohë do të dojë. Urgjentisht duhet të thirret një Forum Gjeoshkencor dhe Juridik i së Drejtës Detare Ndërkombëtare, nga institucione shqiptare, që tërë këtyre problemeve t’u japë qartësinë e duhur”, shkruan Pashaj.

INTERVISTA

Qeveria greke, ka konfirmuar zyrtarisht lidhur me zgjerimin e Detit të saj territorial nga 6 md në 12 md. Sa e prek Shqipërinë ky vendim i Greqisë?

Ka pasur kaq shumë diskutime dhe kontestime, të cilat në të shumtën e rasteve rrëfejnë se nuk njihet gjendja, se institucionet shtetërore, nuk kanë qenë të afta t’i përgjigjen qeverisë për njohjen e Ligjit të Detit dhe për hollësi që lidhen me të, në hapësirat e Detit Jon. Prandaj, të vjen keq se flitet kuturu, sidomos për problemin që lidhet me Greqinë dhe Shqipërinë, të cilat kanë 12 vjet që kanë krijuar një kundërshti fqinjore shumë komplekse, po kaq të thellë për ndarjen e detit dhe marrëveshjen e vitit 2009, e cila siç dihet është hedhur poshtë.

Kush janë këto veçori, për të cilat nuk ka dritësime të duhura?

Së pari, duhet të sqarohet opinioni shqiptar se “E drejta Detare Ndërkombëtare”, e lejon secilin shtet që të zgjerojë detin territorial në 12 milje detare që janë 22,22 km, tej vijave bazore të secilit shtet. Kjo është e qartë por asgjë nuk sqarojnë specialistët përkatës, se pse vallë ka ngecur e kur është krijuar një tymnajë e rrezikshme. Deti Jon është një hapësirë e gjerë dhe kundruall Greqisë me mijëra ishuj dhe dheut kontinental të shteteve si, Qipro, Egjipti, Libia, Tunizia, Italia. Në këto shtete, hapësirat detare janë ndarë me marrëveshje dypalëshe. Vetëm në Otranto, rrotull pikës treshe, midis Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë, situata ndryshon, sepse aty fillon hapësira e Detit Jon të Veriut, i cili nuk është i ndarë. Ndarja në 2009, është bërë “nul” nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Çfarë sjell kjo gjendje?

Në këtë situatë, Greqia dhe Shqipëria ndonëse e pranojnë se Ligji Ndërkombëtar e lejon zgjerimin në 12 milje, por ama, nuk mund të shtrihesh më tej, pasi deti nuk është ndarë. Të dy shtetet nuk e dinë se ku i kanë detet territoriale, se ku kanë detet e puqur, tej detit territorial. Ajo më kryesorja se ku ndodhet hapësira ekonomike ekskluzive! Nëse Greqia në mendje të saj, vepron, siç thuhet në vendimin e fundit, ajo në fakt “pushton hapësira detare që mund t’i takojnë Shqipërisë”, të cilat nuk i njeh, nëse i takojnë apo jo.

A mund ta qartësoni në natyrë?

Përballë Greqisë, Italia fqinje, detin e ka të ndarë. Po kështu vijave ndarëse përballë ishujve të Jonit të Veriut, u janë dhënë efektet e ishujve (si p.sh. ishujve Shtrofades) apo edhe vetë Othonoit, që lidhet me detin territorial të Italisë. Në këto vija që dallojnë që nga Kreta deri në Otranto, zgjerimi më 12 md është i mundshëm. Kurse në Othonoi, problemi zgjerues duhet të ndalet! A do të marrë ky ishull në drejtim të detit territorial të Shqipërisë “efekt të plotë” (12 md = 22,22 km) apo “gjysmë efekt” (6 md= 11,11 km), apo “çerek efekt”?! Kjo është e Drejta Detare Ndërkombëtare që ka Shqipëria për rastin e pabarabartë me rastin e Greqisë, për shkak të ishujve, gjë e cila sjell nevojën për një vlerësim sipas parimit të “Ekite”- së. Kjo nuk është realizuar për shkak të rënies poshtë të Marrëveshjes së 2009-s.

Ku të çon kjo situatë?

Kjo situatë të çon në njoftimin diplomatik juridik dhe gjeoshkencor të dy shteteve, sipas së cilës “tek ishulli Othonoi, Greqia nuk mund të zgjerohet në 12 milje detare, para se të qartësohet se sa shtrirje përfiton Greqia përballë Shqipërisë!” Kjo bëhet me marrëveshje paraprake, me llogaritjen dhe vlerësimin juridik dhe gjeoshkencor të të dy vendeve, e pastaj mund t’i jepet e drejta Greqisë që të zgjerohet në 12 milje detare. Ne kemi dëgjuar deklarimin e Kryeministrit të Shqipërisë dhe ministrit të Jashtëm, se “ky zgjerim do të bëhet atje ku e lejon gjeografia”. Pikërisht kjo “gjeografi” është ajo që shpjeguam më lart.

Mos vallë, edhe Grupi Negociator ka lënë boshllëqe të mëdha në këto vite negocimi dhe të angazhimit të tij?

Pa dyshim, kjo qëndron. Është vënë shumë herë në dukje paaftësia e negocimit, gjersa vihen re boshllëqe të tilla, të cilat edhe pse marrëveshja midis të dy shteteve nuk është realizuar. Por, ne duhet të kishim ndër duar llogaritje, vlerësime, hartografi, se ku ndodhen hapësirat ekonomike ekskluzive, largësia e deteve territoriale në disa versione, të cilat do të jepnin përgjigjet e duhura.

Ju mendoni se ka përfituar padrejtësisht Greqia, sipas vendimit të fundit të saj?

Që t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje duhet të kemi në dorë materialin e këtij vendimi. Po kështu ajo që e përcakton vendpozicionimin e vijave ndarëse, është hartografia e këtyre vijave, kur me matje, je në gjendje që të kuptosh se çfarë ka sjellë zgjerimi me 12 md i Greqisë, në dëm të Shqipërisë.

A mund të qartësohemi, për vendimin që kanë marrë të dy shtetet ai i Greqisë dhe Shqipërisë për ta çuar Marrëveshjen e Ndarjes së Kufijve Detarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës?

Të gjithë e dimë vendimin e qeverisë Shqiptare dhe asaj të Greqisë, të cilat “e dorëzuan detin në dorën e Gjykatës së Hagës”. Kjo e ka bërë çështjen akoma dhe më komplekse. Veç kësaj, në këtë turbullirë dhe tymnajë detare, vendimi i qeverisë së Greqisë ka rastin që të përfitojë, në shtrirje dhe zgjerim të 12 miljeve detare. Një hap i tillë nuk duhet të lejohet, se më vonë, nuk zgjidhet aq kollaj, e nuk dihet se sa kohë do të dojë. Urgjentisht duhet të thirret një Forum Gjeoshkencor dhe Juridik i së Drejtës Detare Ndërkombëtare, nga institucione shqiptare, që tërë këtyre problemeve t’u japë qartësinë e duhur.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE

Greqia zyrtarizon zgjerimin me 12 milje në detin Jon, ja çfarë hapësire përfshin sipas Dekretit Presidencial

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura