E ëma e Olldashit: Gjyqi në diktaturë, kur im shoq më mori dy djemtë

Mar 9, 2014 | 10:03
SHPËRNDAJE

SOKOL OLLDASHI
(MAJTAS) FAQJA E PARE E SUPLEMENTIT “UNE GRUAJA”
Për herë të parë pas ngjarjes tragjike, Kozeta Mamaqi flet për ndarjen nga jeta të të birit, deputetit Sokol Olldashi.

Një rrëfim për revistën kosovare “Teuta”, që nga internimi, vitet e vështira në punë krahu, ndarja nga djemtë, rehabilitimi, deri tek ajo ditë me shi nëntori, kur vdekja i mori një nga njerëzit e saj më të shtrenjtë… Orët e fundit në shoqërinë e të birit.

“I lënçim prapa!”. Kjo ka qenë një thënie e të parëve për bijtë, nipërit e mbesat. Sado e mbrapshtë të jetë jeta, të paktën vjen si ngushëllim plotësimi te pasardhësit, t’i shikosh të rriten, të burrërohen… Këtë ëndërronte dhe Kozeta Mamaqi, me të cilën fati u tregua i pabesë deri në fund. Ç’nuk do të kish dhënë nga vetja, sikur të mundte… të mund ta shkruante dhe një herë librin e jetës së saj, të fshinte çdo gjë të keqe si një makth… E Kozeta do kishte harruar të gjitha ato vite të vështira internimi, vetëm që i biri, Sokol Olldashi, të ishte gjallë.

Sokoli, ai djaloshi trevjeçar që me temperaturë të lartë mori rrugën e internimit, fëmija që e ndanë me zor nga e ëma, që në hapësirat e burgut luajti me violinë përpara gjyshit, Dashnor Mamaqit, “Katër Stinët” e Vivaldit, djaloshi që ulur mbi bunker qante pa pushim duke përshëndetur të ëmën, Kozetën, e cila largohej me tren dhe ai e ndiqte me sy deri sa vagonët treteshin në largësi, studenti i njohur i demonstratave të dhjetorit, gazetari i disa redaksive… sot nuk jeton më. Atë pasdite të 20 nëntorit 2013, si gjithnjë ai i ishte bashkuar ritualit familjar, për t’u marrë me mësimet e djemve, e për të dremitur pakëz, deri kur një telefonatë e beftë do e bënte të dilte nga shtëpia… Fjalët e fundit të Sokolit: “Takohemi për 10 minuta”…

Por, familja, nëna, fëmijët dhe bashkëshortja, në fakt prej asaj dite u ndanë për të mos u takuar kurrë më… Fundi fatal i ish-ministrit shqiptar, Sokol Olldashi, thjesht trishtoi çdokënd, la pa frymë! Me të ëmën, zonjën Kozeta Mamaqi, gazetare në pension, e cila po përjeton çaste të rënda, sikurse e gjithë familja, kthehemi prapa në kohë dhe provojmë të sjellim në kujtesë momente jo të lehta të jetës së saj dhe të të bijve, që i rriti me aq mundime në atë regjim të egër… E në këtë situatë të vështirë në të cilën gjendet, shpesh janë miqtë ai “melhemi” për plagët e shpirtit. er.is

SANIJE GASHI

Familja Olldashi ne ceremonine e varrimit me 20 nentor 2013
Shtatëmbëdhjetë vjetët e kaluara në internim, peripecitë e përjetuara, vuajtjet për të atin, malli për të bijtë, Ardianin dhe Sokolin, këtë grua e bën akoma më të qëndrueshme, që diti t’i përballonte stuhitë e jetës. Pas mbarimit të universitetit dhe kursit të gazetarisë, edhe pse i doli emërimi për të punuar në Radio Televizionin Shqiptar, Kozeta, tanimë e fejuar, do të shkonte të punonte pranë gazetës “Adriatiku” në Durrës, ku jetonte bashkëshorti i saj i ardhshëm. Në këtë gazetë, Kozeta punoi nga viti 1967 gjer në vitin 1974. Atje në Durrës u bë nënë me dy djem, Ardianin dhe Sokolin.

NJOLLOSJA E NJERIUT ME PERSONALITET
Kundër Dashnor Mamaqit, njeri me funksione të larta politike, shumë shpejt luhet karta e rrezikshme: “Babain e arrestuan për miqësi me Beqir Ballukun, e akuzuan se së bashku kishin dashur të përmbysnin pushtetin popullor… etj. etj, pa fakte e argumente, sikurse bëhej për të gjithë në atë kohë dhe e dënuan me 15 vjet burgim! Kur shkonim dhe e takonim në burg, ai na thoshte: Mbajeni kokën lart, se unë s’kam bërë asgjë!”.

NË EMËR TË PARTISË GODITEJ FAMILJA
Me transferimin e të shoqit të Kozetës në Tiranë, në Ministri të Mbrojtjes, gazetarja fillon punë në revistën mujore “Ylli”, mirëpo pikërisht në këtë kohë (1975) nisën problemet e të atit. Për Kozetën, kjo do të thoshte edhe mbarim i karrierës së gazetarisë. Fillon një periudhë e rëndë për familjen Mamaqi, ashtu sikurse po u ndodhte edhe shumë familjeve të tjera në Shqipërinë e asaj kohe! “Atëherë siç thashë, unë kisha dy fëmijë, Ardianin dhe Sokolin. Me dënimet që po bëheshin, dihet ç’i priste familjet tona. Mua e motrën, Sonjën, na lanë burrat. Motrën tjetër, Yllkën, edhe ajo gazetare, e la i fejuari, ndërsa vëllain që ishte student në vitin e fundit, e lanë pa diplomë… Sonjën, që punonte në Kinostudio, e çuan në Tepelenë, me gjithë fëmijët e vegjël dhe me burrin, i cili pas dy ditësh ia ktheu shpinën familjes dhe u kthye në Tiranë. Familjen e babait e çuan në Burrel, kurse unë me familjen time isha akoma në Tiranë. Ndiqja fshehurazi fatin e tyre. Dëgjova se familjen e babait e patën çuar nga Burreli në Selenicë të Vlorës. Më pas dëgjova që babain e kishin arrestuar. Isha në merak dhe në ankth. Duket, ishte ky shkaku që në 13 tetor të 1975-s më thërritën në këshillin e lagjes, dhe më dhanë urdhrin që do të internohesha të pasnesërmen, më 15 tetor. Pyeta për arsyen, por më thanë se do merrja vesh atje ku do të çonin, madje nuk më treguan as se ku do të më çonin. O Zot, ç’kohë të këqija që ishin! Bëra përçapjet që të merrja vesh pse, si, qysh, por ishte e pamundur se të gjitha dyert ishin të mbyllura për mua. Madje, dy ditët e fundit unë ndiqesha. Kisha dy burra nga mbrapa, në çdo lëvizje, ashiqare, dhe dy i kisha te porta e pallatit, domethënë i shihnin gjithë dynjaja. Tani duhej të bëhesha gati.

ISHTE NJË NATË SHUMË E TMERRSHME PËR MUA

Sokol Olldashi duke i rënë kitares gjatë festës së ditëlindjes së fundit
Sokoli ishte me temperaturë të lartë dhe atë natë ka qarë shumë, shumë… Burri ishte me shërbim në det, sepse ishte shef i radio lokacionit në flotën e Durrësit. Tërë natën i qepa plaçkat që duhej t’i merrja me vete, më duhej t’i mbështillja në dengje. I vetmi njeri nga farefisi që arrita të njoftoja ishte xhaxhai, Rahmi Mamaqi, që m’u ndodh në ditët e fundit të asaj kohe të mbrapshtë, të rrezikshme, se nuk ishte e kollajshme të quheshe armik! Edhe vetë xhaxha Rahmiu nuk hipte në katin e dytë ku banoja, por më thërriste nga poshtë. Unë zbrisja shkallët dhe së bashku shëtisnin rrugëve e bisedonim. Ai shante Enverin, shante qeverinë, i kishte paraparë prej kohësh që do të mund të ndodhnin këto gjëra. Në ato biseda, xhaxha Rahmiu me jepte kurajë të mbahesha. Kështu që, i vetmi njeri që arritja të merrja në telefon, nga çerdhja, ku kisha vajtur për të marrë Sokolin, ishte xhaxhi Rahmiu. I thashë shkurt: -Xhaxhi mos më kërko më, unë internohem! Kaq. Për nisje më sollën një kamion të madh me njerëz të Sigurimit, dhe me një polic me automatik. Plaçkën e ngarkoi e gjithë lagjja. Kamioni ishte i zbuluar, ndërsa oficerët ulur para në kabinë. Sokoli ende ishte me temperaturë 39. I luta ata në kabinë, nëse kishin mundësi, të ma mbanin djalin brenda. E morën. Sokoli ishte më pak se 3 vjeç, ndërsa i madhi, Ardiani, ishte shtatë vjeç e gjysmë. U ula në një deng plaçkash mbi karrocerinë e kamionit, e mora djalin e madh pranë, ndërsa përballë meje qëndronte polici me automatik. Kur u nisëm, u mblodh e gjithë lagjja, populli. Kështu bëhej në të tilla raste. As qava, as e dhashë veten fare në sytë e tyre. Shtrëngova fort Ardin, tim bir, dhe u nisëm. Fillimisht, na shëtitën nëpër rrugët e Tiranës, që të na shihnin mirë qytetarët. Kjo pamje do t’u thoshte atyre: shikoni, në qoftë se dhe ju do të bëheni armiq si këta, kështu do ta pësoni! Sapo dolëm nga Tirana, kamioni u mbulua nga të katër anët, që unë mos të merrja vesh fare se ku do të më çonin”. “Ku do të më çojnë?”, pyeste veten Kozeta atë ditë të 15 tetorit të vitit 1975. Mbuluar mbi karrocerinë e atij kamioni, duke shtrënguar fort Ardianin, asnjë intuitë e saj s’e kapte dot enigmën, që u zgjidh veç në të ngrysur, kur kamioni ndaloi diku dhe, pasi u zbulua nga mushamaja e rëndë, ajo pa gjyshen, nënën, motrën dhe vëllain. E kishin çuar në Selenicë. Po babai ku ishte? Ndërsa po e kërkonte me sy, i vëllai ia mori vështrimin dhe i tha që atë e kishin arrestuar. O Zot, çfarë dhimbjeje!

INTERNIMI NË SELENICË

Gazetarja Kozeta Mamaqi gjatë periudhës së internimit
“Unë e dija se mamanë, gjyshen, Yllkën dhe Gëzimin i kishin çuar nga Burreli në Selenicë, një qytezë minatorësh (në Vlorë), që mbas saj nuk kishe ku shkoje. Duhet të kapërceje lumin, Vjosën, që të mund të shkoje nga Mallakastra, Fieri e tutje… filloi për mua një jetë e re, tanimë pranë familjes atërore. Mungonte babai, që e kishin arrestuar, por ende nuk e dinte kush se ku ishte e sa ishte dënuar. Asnjë lajm. Kjo situatë zgjati për gati dy vjet, për aq kohë sa babain e kishin mbajtur në hetuesi. Mbas dy vjetësh arriti një telegram, nëpërmjet të cilit babai na lajmëroi se ishte dënuar 15 vjet dhe se ndodhej në burgun e Ballshit. Nga një anë u mërzitëm, sepse na u duk dënim i rëndë, po nga ana tjetër u gëzuam që mund të komunikonim e shiheshim me të”. Në Selenicë, Kozeta mbush 29 vjet jetë. Për gazetaren e re filloi një jetë e mundimshme. Në punë të ndryshme bujqësore, në fermë, së bashku me të motrën, Yllkën, ndërsa i vëllai, Gëzimi, punonte minator në minierën e qymyrgurit. Tregon se atje e njohu me tamam jetën e popullit nga afër! Lë këpucët dhe mbath çizme minatorësh, të cilat, pasi i shqyheshin të vëllait, që ia jepnin në minierë, i merrnin Kozi dhe Yllka, u vinin pulla dhe i përdornin. Orari i punës do të zgjaste 8-10 orë, duke llogaritur hera-herës edhe gjashtë kilometra rrugë vajtje- ardhje, ndërsa verës punonin nga 10-12 orë, me orar të zgjatur. Ajo tregon se në ato kohë të vështira, edhe ekonomikisht, i vëllai punonte shumë, aq sa i bënte 2-3 norma në ditë, që të mund të mbaheshin nëna dhe gjyshja, që rrinin në shtëpi, por edhe babai që e furnizonin me ushqime rregullisht, tanimë në burg.

NDARJA NGA TË BIJTË, DITA KUR E QAU E GJITHË SELENICA
I shoqi i Kozetës, edhe pas dy gjyqeve në Tiranë, që ia lanë fëmijët për rritje dhe përkujdesje nënës, vazhdoi t’i kërkonte ata edhe në Selenicë. U caktua dita e gjyqit. Ai u bë në një sallë të madhe, me qëllim që të merrnin pjesë shumë njerëz, populli, që duhej të dëgjonte se si, ajo, armikja e klasës, nuk duhej të kishte të drejtë as të rriste fëmijët e saj. Argumenti i babait të fëmijëve, që kërkonte t’i merrte ata, ishte se Kozeta nuk plotësonte kushtet politike për t’i rritur e për t’i edukuar. Trupi gjykues e mbështeti dhe i dha të drejtë atij! “Unë që isha ballë për ballë me ish-burrin tim, u ngrita atë moment në këmbë e protestova, duke thënë se kisha dashurinë e nënës për ta, se kisha kushte shpirtërore, morale dhe gjithçka për t’i rritur fëmijët e mi! Por, më kot, sepse guximi im bëri që dikush nga trupi gjykues të më thoshte se, po të flisja, do të më nxirrnin jashtë!”. Gjyqi i Selenicës ia dha të drejtën e rritjes dhe edukimit të fëmijëve babait të tyre. Ishte një goditje e fortë shpirtërore për Kozetën. Ajo e apeloi atë vendim pranë Gjykatës së Vlorës dhe shpresoi… Por, gjyqi i katërt nga radha, që bëhej për fëmijët, tanimë në Vlorë, u bë me një prokuror ushtarak. A mund të ishte e drejtë që ai gjyq civil të zhvillohej me një prokuror ushtarak?! Gjyqi e kish paracaktuar vendimin. Asaj do t’i merreshin fëmijët… Mori të zbriste shkallët e drunjta të asaj godine, por u këput nga dhimbja dhe mori rrokullimën e shkallëve. E rrëmbeu në krahë i vëllai, i cili u mundua ta qetësonte. Më pas të dy u kthyen shpirtvrarë e të dërrmuar në Selenicë. Ç’do t’u thoshin fëmijëve? Po të tjerëve, gjyshes, nënës, Yllkës, që prisnin zemërdridhur? Mbas disa ditësh do të ekzekutohej vendimi. Ajo do të ishte dita më e tmerrshme për Kozetën. Rrëfen: “I përgatita fëmijët shpirtërisht. Në qendër të Selenicës priste makina e policisë dhe një taksi që do të merrte fëmijët. Gjithashtu, kishin ardhur, i ati, gjyshi, xhaxhai dhe disa kushërinj të tyre. Në shesh kish dalë gjithë gjindja, populli i Selenicës, burra e gra, pleq e fëmijë. Kishin dalë për të bërë sehir. Ishte shfaqje, që hynte te demaskimi që u bëhej të deklasuarve… Unë nuk dola fare nga shtëpia. Fëmijët erdhën dhe i morën me dhunë përfaqësues të lagjes dhe të policisë. I morën me zor, ndërsa ata qanin, duke shkelmuar, e duke thirrur mami, mami…!! I shoqëroi vëllai im gjer te makina ku i futën. Ata kundërshtonin, ulërinin e përplasnin këmbët, por vendimi u zbatua. Ata i mbyllën në makinë, duke i larguar dhimbshëm nga unë, nëna e tyre. A mund të ketë monstruozitet më të tmerrshëm?”, pyet Kozeta. Më pas shton: “A e beson se fshehurazi e gjithë Selenica kishte qarë për atë skenë?”. Jeta e Kozetës në Selenicë kaloi plot peripeci, por ajo do të vazhdonte kërkesat e nënës për t’i rimarrë të bijtë! Gjyqi i kishte dhënë mundësinë që me të bijtë të takohej tri herë në vit. Gjithashtu, ata mund t’i kalonin pushimet verore pranë nënës. Në këto takime, fëmijët ia sillte i vjehrri, o në Vlorë, o në Fier. Në këto raste, Kozetës i duhej që në orën 2 të pasmesnatës të zinte radhë tek agjencia për të marrë biletë, që të mund të shkonte t’i merrte fëmijët. Megjithatë, ato ishin ditët më të bukura, për të e për familjen e saj, shtëpia e Selenicës mbushej me gëzimin e tyre. Kozeta, së bashku me të motrën, Yllkën, e të vëllanë Gëzimin, nga Selenica, rregullisht vizitonin babanë në burgun e Ballshit, të dielave, një herë në muaj.

SOKOLI DHE VIOLINA
Kozeta kujton se si një herë, kur djemtë e saj po i kalonin muajt e verës pranë të ëmës, i mori dhe ata me vete për të vizituar gjyshin në burg. Sokoli, i cili atëherë po ndiqte shkollën e muzikës në Durrës, kishte marrë me vete edhe violinën e vogël për të studiuar në verë. “A nuk e marrim dhe violinën me vete që ta dëgjojë dhe gjyshi se sa bukur i bie?”, i kishte thënë djalit e ëma dhe ai ishte treguar i gatshëm. Gjatë asaj rruge të gjatë e të vështirë deri te burgu i Ballshit, fëmijët nuk ishin ankuar për lodhje, e madje Sokoli nuk kishte dashur t’ia jepte kujt tjetër violinën për t’ia mbajtur. Takimi ishte mes hekurave, me policinë pranë. Babai e gjyshi u kënaq kur pa fëmijët, e aq më shumë nipërit. “Ke një surprizë”, i pati thënë Kozeta të atit. Në atë moment, Sokoli hapi violinën, e vendosi mes supit dhe mjekrës, në dorën tjetër mori harkun dhe filloi të luante mbi telat e instrumentit, katër stinët e Vivaldit. Gjyshi u mallëngjye shumë, sytë iu mbushën me lot, e puthi nipin mes hekurave dhe i tha: “Rrofsh o bir. Ma ke shtuar ymrin me dhjetë vjet, të faleminderit shumë”. Mirëpo, Dashnor Mamaqi nuk arrin t’i mbarojë 15 vitet e dënimit, vdes në burgun e Zejmenit, Lezhë, më 1984-n, kur kishte bërë vetëm tetë vjet atje.

LOTËT E KOLIT NGA MBIBUNKERI
Mbas 11 vitesh jetë dhe punë në Selenicë, më 26 dhjetor 1986, Kozeta mbas shumë e shumë lutjesh për t’u afruar pranë fëmijëve, vendoset në Shijak. Tashti ishte 40 vjeçe. Aty fillon punë në rrobaqepësi, në repartin e hekurosjes. Ndërkohë, Kozeta kishte fituar edhe gjyqin e gjashtë, të drejtën që t’u afrohej fëmijëve. Djemtë i shkonin përditë në shtëpi, nga Durrësi në Shijak, Ardiani edhe flinte me të ëmën derisa shkoi ushtar në Lezhë. Atëherë, Sokoli gjimnazist ishte më shpesh pranë të ëmës. Megjithatë, Kozetës nuk i hiqet nga mendja një përjetim i dhimbshëm nëne. Pas një takimi me fëmijët në Durrës, kur ajo u vinte nga Selenica, Sokoli i vogël shkoi për ta përcjellë të ëmën për te stacioni i trenit. Si u përqafuan dhe Kozeta zuri vend në vagon, djali hipi mbi një bunker që ishte aty pranë, e filloi të qante, të qante… Kur treni u nis, ai valëviste dorën, duke e ndjekur me sy, derisa treni humbi në largësi… Në rrobaqepësi në Shijak, Kozeta punoi për katër vjet e gjysmë.

Më mbas, pas shumë përpjekjesh, ia dhanë të drejtën e diplomës. Filloi punë si mësuese në gjimnazin e fshatit Luz i Vogël të Kavajës, që ishte në të njëjtën kohë edhe shkollë bujqësore. “Eh, kujtimet më të bukura i kam nga Luzi i Vogël”. Në Luz të Vogël, Kozeta punoi vetëm një vit shkollor. Ajo atje kishte nën përgjegjësi edhe bibliotekën e shkollës. Një ditë, në bibliotekë hyn një koleg i saj, që ishte vendës nga Luzi, e që gjithashtu jepte gjuhë-letërsinë. Kozeta ngriti kokën nga libri që po lexonte, u ngrit në këmbë dhe ftoi Beqir Curumin të ulej. Ai i tha se nuk do të rrinte, por se kishte vajtur atje për t’i dhuruar një gazetë, të cilën porsa e kishte lexuar. Ishte “Zëri i Popullit”. “E kam sjellë për ty”, i thotë dhe ia zgjat. Kozeta e merr disi e çuditur atë gazetë. Sipër, në faqen e parë, lexon mbishkrimin që kolegu kishte bërë për të: “Me respekt Kozetës, që meriton gjithçka!”. Beqiri i thotë: -Babai yt është rehabilituar. Lexoje! E lexon në heshtje atë shkrim. E kishte shkruar Spiro Dede (shok i saj i Fakultetit dhe i kursit të Gazetarisë). Argumentonte rehabilitimin e të atit, publikisht: -Dashnor Mamaqi del i pafajshëm! Këtë pafajësi e kishte shpallur edhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë. “E lexova disa herë atë shkrim, e lexova dhe qava, qava për fatin e tij e të gjithë familjes, por natyrisht edhe u gëzova, sepse siç thotë populli, e drejta vonon por nuk harron. E, si të thuash, figurës së babait i ishte hequr ajo damkë që i kishin vënë. Viti 1991 Kozetës i solli edhe një tjetër përjetim jo të lehtë nëne. Pas gjithë atyre heqjeve në jetë, ajo tregon se si një ditë marsi, kur po kthehej nga Luzi i Vogël, te stacioni i autobusit po e priste Sokoli. “Më dha një copë letër, që unë edhe sot e kësaj dite e mbaj me vete, ku djali i madh, Ardiani, më kishte shkruar: “Mami, më fal, unë po iki”. Kaq. U nisa me Sokolin që ta kërkoja dhe ta ktheja, po në Portin e Durrësit nuk kishe ku të hidhje mollën. Kishte edhe të shtëna armësh. Nuk e gjetëm! Hipëm në tarracën e një pallati dhe pritëm atje gjer në të gdhirë, kur vapori i fundit që kishte mbetur në porti mori rrugën drejt detit të hapur. Ardiani po ikte për në Itali… ishte një kohë shumë e vështirë për ne, mes ankthit, pritjes dhe shpresës gjer në momentin e telefonatës së parë të Ardit, që lajmëroi se ishte mirë me shëndet. Në ato kushte, ai ishte lajmi më i mirë për mua, Sokolin dhe gjithë familjen”. Kështu u rrit Koli im.

DASHURIA QË I MUNGOI TËRË JETËN
Me përmbysjen e sistemit të diktaturës, Kozeta më në fund kthehet në Tiranë (1991). Pas 17 vjetësh internim, ajo punësohet në Radio Tirana, te departamenti i bashkatdhetarëve, ku punoi 10 vjet gjer në vitin 2001, vit kur do të pensionohej. “Në gazetari i bëra 17 vjet. Këtë profesion e përfundova aty ku dhe isha caktuar të punoja, fill pasi mbarova universitetin, në Radio Tirana. Me dhimbje. Faktikisht, gazetaria më ka pëlqyer gjithmonë, sepse më bënte të mësoja në çdo moment një gjë të re, të njihesha me një njeri të ri, ishte një dinamizëm dhe nuk ishte punë monotone. Sinqerisht, kam punuar me pasion”. Jeta i kishte rezervuar edhe çaste të bukura. Gëzim i madh pas shumë heqjeve ishte për Kozetën lindja e mbesës dhe nipërve. “Ata më japin aq shumë dashuri, sa më ka munguar në tërë jetën!”

SOKOL OLLDASHI FATKEQËSISHT NUK ËSHTË MË
Jeta e tij u përmbyll një natë me shi, në moshën më të mirë dhe me përvojën e pasur në politikë. Goditje e rëndë për nënën, nusen e re, fëmijët, për vëllain, Ardin… Për nënë Kozetën, që i bëri ballë gjithë stuhive të jetës, po këtij fataliteti? “Mbrëmje e 20 nëntorit 2013: Koli atë pasdite, pasi drekoi, ra të pushonte. U zgjua dhe me të bijtë kaloi atë ndajnatë. Me njërin ushtroi matematikën, me tjetrin biologjinë… Ndërkohë, bie telefoni: ‘Takohemi për 10 minuta’, i përgjigjet asaj telefonate. Doli! Doli, dhe s’u kthye më! Kjo ishte ndarja dhe përshëndetja jonë e fundit… e humba Kolin!” Është rrëfimi i nënës, që provon të gjejë fuqi për të përballuar sulmin më të rëndë të jetës… Si të ngushëllohet kjo zemër NËNE, ç’shprehje t’i thuhet mikes sime të shtrenjtë, për këtë përfundim enigmatik të të birit!?
Titulli origjinal: Kështu e rrita Kolin tim…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura