“E dinim që në fillim se mund të kishte prangosje dhe brenda politikës”- Mimi Kodheli flet për arrestimet e politikanëve: Nëse hetohen dosjet që flenë…

Apr 4, 2022 | 12:31
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Mimi Kodheli, aktualisht deputete e PS-së, ka qenë e vetëdijshme që në nisje të Reformës në Drejtësi, se arrestimet për përfshirje në krim dhe korrupsion do të arrinin deri te politika dhe administrata e lartë shtetërore.

kodheli per arrestimet

Ndaj ajo inkurajon SPAK dhe organet ligjzbatuese që të vazhdojnë të bëjnë drejtësi, pasi, sipas saj, vendi ka nevojë të pastrohet nga abuzuesit me buxhetin e shtetit.

Por Mimi Kodheli thotë për gazetën “Panorama”, se nëse SPAK do të hetonte të gjitha dosjet dhe denoncimet për shkelje të Kushtetutës, abuzimet me fondet publike apo detyrën, rastet e të arrestuarve nuk do të anonin nga qeverisja socialiste. Ish-ministrja e Mbrojtjes flet për drejtësi të munguar teksa përmend tragjedinë e Gërdecit dhe ngjarjen e 21 janarit në bulevard.

Zj.Kodheli, në një kohë kur e gjithë vëmendja politike ishte përqendruar te zhvillimet brenda PD-së, përplasjet brenda saj, Partia Socialiste u trondit nga arrestimi i një tjetër deputeti. Si ndihet një socialist kur kolegu i tij, deputet apo ministër, i vihen prangat për përfshirjen në krim apo afera korruptive? Kujtoj këtu rastin e Lefter Kokës, Saimir Tahirit dhe tani së fundmi të Alqi Bllakos…

Ne socialistët ishim ata që besuam më shumë se kushdo tjetër te Reforma në Drejtësi. Jemi duke e bërë këtë, pasi reforma ka nevojë për t’u zbatuar e thelluar më tej, me bindjen se po bëjmë një nga gjërat më të domosdoshme e të nevojshme në vend. E kemi ditur që në fillim të herës se do të mund të kishte edhe përfaqësues të lartë të administratës apo politikës, por vendi kishte dhe ka nevojë të pastrohet e të ketë më shumë drejtësi. Në të tilla raste është shpeshherë e lehtë të rrëshqasësh në pozicionin e prokurorit apo gjykatësit, pa qenë i tillë, ndaj unë thjesht e ftoj drejtësinë që të vazhdojë të bëjë punën e saj, të vendosë drejtësi.

Pse ky shtim i rasteve të arrestimeve nga anëtarë të familjes së Partisë Socialiste? Pse gjithë ky korrupsion me buxhetin e shtetit?

E mendoj pak ndryshe nga ju. Nëse SPAK do kishte mundësi fizike (them fizike pasi janë të shumta rastet) të hapte dhe hetonte mbi të gjitha dosjet dhe denoncimet për shkelje të Kushtetutës së Republikës, abuzim me fondet publike apo detyrën, të cilat flenë në sirtarët e Drejtësisë, do të shikonit që rastet nuk anojnë nga qeverisja socialiste. Ju më sipër, në pyetjen tuaj, përmendët fjalën krim, që është një fjalë e rëndë, por a ka më krim se tragjedia e Gërdecit dhe ngjarja e 21 janarit në bulevard? Më respektivisht, 26 dhe 4 jetë të humbura. Një drejtësi totalisht e munguar. Gjatë mandatit tim si ministër i Mbrojtjes janë çuar mbi 30 dosje me shkelje të rënda të Kushtetutës dhe abuzim me fondet publike e detyrën, të gjitha të mbyllura, pa u investiguar asokohe nga Prokurori i Përgjithshëm. Ndërsa sot kemi një tjetër realitet. Një drejtësi që ka filluar të funksionojë. Dhe kjo më se pari falë drejtimit të vendit nga një forcë politike si Partia Socialiste.

A besoni se ka ministra apo deputetë të tjerë të përfshirë në afera korruptive?

Unë besoj te vullneti i mirë që ne kemi për të drejtuar vendin me mendje të hapur e dëshirë të madhe, për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve më shumë perspektivë e siguri, më shumë punë dhe më shumë shpresë. Te të gjitha këto besoj shumë, ndaj edhe merrem me këtë punë që quhet rëndom politikë.

Intervistën e plotë e lexoni në numrin e sotëm të Panorama print

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura