Do merrte hak për vëllezërit e vrarë, kush është 47-vjeçari që po kërkohet

Oct 27, 2018 | 9:55
SHPËRNDAJE

Një tentativë vrasjeje për gjakmarrje ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në Valias të Kamzës. Fatmirësisht, 50-vjeçari mbeti i plagosur dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Policia tha dje se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin. 

Foto ilustrim
Foto ilustrim

I plagosuri është Elez Bugjisha, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, sipas Policisë është 47-vjeçari Besnik Batusha. Burime nga grupi hetimor thanë se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes rreth orës 20:00, kur i dyshuari zbrazi një karikator kallashnikovi drejt lokalit ku ndodhej Bugjisha.

Megjithëse në vendngjarje u gjetën 20 gëzhoja arme zjarri, burimet thanë se i plagosuri është goditur vetëm nga dy plumba, që e kanë dëmtuar në krah e në këmbë. Ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes ka arritur të largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes, por është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës.

Burimet thanë se nga hetimet ka rezultuar që Batusha ka tentuar të vrasë për gjakmarrje 50-vjeçarin, pasi vëllai i tij, Muharrem Bugjisha, në vitin 2014 i ka vrarë dy vëllezërit në Kalimash të Kukësit, pas një konflikti në galerinë e kromit.

Mesditën e datës 25 korrik 2014, Muharrem Bugjisha, në vijim të një debati verbal ka qëlluar 7 herë me pistoletë, ku ka mbetur i vdekur në vend Emri Batusha, ndërkohë që është plagosur rëndë dhe ka vdekur rrugës për në spital Bylbil Batusha. Ndërkohë, nga plumbat ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Arbër Batusha.

NGJARJA NE KALIMASH

Më 30 mars të vitit të kaluar, Gjykata e Kukësit dënoi me burgim të përjetshëm Muharrem Bugjishën, i akuzuar nga Prokuroria për vrasjen me armë të vëllezërve Emri dhe Bylbil Batusha, si edhe plagosjen e Arbër Batushës, pas një konflikti verbal mes tyre, lidhur me përdorimin e një hapësire tokë krommbajtëse në fshatin Kalimash.

Pas krimit, i akuzuari është larguar dhe gjatë periudhës së hetimit ai nuk është mundur të arrestohet. Autori i akuzuar është vetëdorëzuar në kohën kur Prokuroria e Kukësit dërgoi kërkesën për gjykim ndaj tij, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Gjatë gjykimit, Bugjisha dhe mbrojtja e tij kanë pretenduar se i pandehuri ka pasur probleme me shëndetin mendor si në kohën e kryerjes së krimit, po ashtu edhe në periudhën në vijim.

Pas kryerjes së ekspertizave ligjore, është konkluduar se i akuzuari nuk ka probleme të shëndetit mendor dhe se ai e ka kryer krimin në vijim të konfliktit për të ndarë zonat e kërkimit të kromit në zonën e Kalimashit. Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Kukësit dhe dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura