Dita Kombëtare e kujtesës, 20 shkurti apo 26 shkurti?

Mar 20, 2018 | 23:50
SHPËRNDAJE

Uran Butka

URAN BUTKA/ Këto ditë është folur dhe diskutuar në media për Ditën e Kujtesës së krimeve të regjimit totalitar komunist në Shqipëri, madje në disa raste është edhe spekuluar politikisht e mediatikisht, sipas interesave, ndërkohë që është fjala veçse për një datë historike, që e kanë të përcaktuar me ligj dhe e përkujtojnë në shenjë nderimi për viktimat e komunizmit gjithë vendet ish-komuniste, si edhe e rekomandojnë dy Rezolutat e Këshillit të Europës, ajo nr. 1096, viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.

Po ashtu, në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, në pikën 16, thuhet shprehimisht: “Shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit…”. Në fakt, nuk ka pasur një datë të veçantë kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe nuk janë përkujtuar asnjëherë ata në një Ditë të veçantë të Kujtesës. Unë mendoj se 20 shkurti 1991 është dhe duhet të mbetet në histori si Dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha, si një nga ngjarjet më të spikatura dhe të rëndë- sishme, që ndikoi fuqishëm në rrëzimin total të regjimit totalitar, të rrëzimit të simboleve komuniste dhe të mitit të rrejshëm e të përgjakshëm të E. Hoxhës.

Unë kam qenë si qindra-mijëra qytetarë të Tiranës në sheshin “Skëndërbe”, kur u rrëzua shtatorja e tij dhe emocionet ishin dhe janë dhe do të mbeten të jashtëzakonshme, madje kam bërë edhe dy shkrime në shtypin e kohës. Qytetarët e Tiranës, ndonëse të rrezikuar për jetën, nuk u tutën as përpara mësymjes së ushtrisë e të Policisë, lehjes së qenve dhe shkrehjeve të armëve, përleshjes me forcat e diktaturës, që po jepte shpirt dhe snajperëve të vendosur në tarracat e ndërtesave, apo urdhrit të Ramiz Alisë për të qëlluar mbi demonstruesit, që nuk arriti të zbatohej, e përmbysën me trimëri shtatoren prej bronzi dhe ia blatuan studentëve në Grevën e Urisë, që kërkonin heqjen e emrit të urryer të diktatorit nga Universiteti i Tiranës.

Por, Dita e shënuar e 20 shkurtit nuk ka lidhje direkte me ditën e viktimave të komunizmit, që duhet të jetë si datë më vete dhe të përkujtohet si e tillë. Ditën e 20 shkurtit nuk pati viktima, sepse aty ishte gjithë populli i Tiranës, madje edhe ushtria, në fund, u bashkua me qytetarët. Vetëm një djalosh u plagos, F.Merkoçi, dhe ky nuk mund të quhet viktimë e komunizmit, por një hero i demokracisë, si gjithë ata që rrëzuan monumentin e E. Hoxhës dhe diktaturën. Kjo është dita e revoltës dhe e heroizmit të qytetarëve demokratë të Tiranës.

Ndërsa viktimat e komunizmit u gjymtuan për gjysmë shekulli tiranie dhe gjenocidi të pashembullt, që shkaktuan me mijëra të pushkatuar, të varur në litar, të burgosur e të internuar, të persekutuar, të përbaltur. Si Ditë të Kujtesës së krimeve të komunizmit mund të merren shumë data të masakrave kolektive të shkaktuara nga regjimi enverist, por unë mendoj, meqenëse u hap ky diskutim, që të jetë 26 shkurti 1951, dita e terrorit të përgjakshëm, dita e pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve të shquar, e burgimit të 300 e ca të tjerëve, e internimit dhe persekutimit të familjeve të tyre për më se 50 vjet me radhë.

viktimat e bombes ne ambasaden sovjetike

Mendoj se kjo ditë është tipike për krimet e masakrat e komunizmit, për këto arsye që i kam trajtuar edhe në veprën “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, viti 2006, përkthyer edhe në anglisht për Këshillin e Europës:

1. Sepse masakra e natës së 26 shkurtit 1951 është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit, që përfshin në vetvete gjithë elementët e krimeve komuniste.

2. Sepse vendimi për kryerjen e kësaj masakre kolektive u mor, jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike të PPSH-së, në mbledhjen e datës 20.02.1951. Me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq. Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E.Hoxhën ishin dakord me këto masa represive. Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhën në krye, që shkelnin edhe ligjet në fuqi dhe urdhëronin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një gjenocid për motive politike.

3. Arrestimet që u kryen menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike, ishin jo vetëm politike, por edhe të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhërarrest të prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate. 4. Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e brendshme, por që nuk lidheshin me ngjarjen në Ambasadën Sovjetike. U përzgjodhën 22 intelektualë properëndimorë, mes tyre dhe shkencëtarja e parë shqiptare Sabiha Kasimati, që s’kishin asnjë lidhje apo njohje me njëri-tjetrin.

4. Personat që u pushkatuan u zgjodhën nga gjithë hapësira shqiptare, por që jetonin në Tiranë: qytetarë nga Gjakova, Shkupi, Shkodra, Dibra, Tirana, Korça, Dibra, Tirana, Delvina, Gjirokastra, Çamëria etj., në mënyrë që terrori shtetëror komunist të godiste gjithë Shqipërinë.

5. Akuza e prokurorit ushtarak, që mban datën 25.2.1951 ishte: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propaganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit Popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano–anglezë e satelitëve të tyre”. Një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa u mbështetur në asnjë provë apo dëshmi.

6. Për dënimin e tyre me pushkatim nuk u zhvillua asnjë hetim, asnjë pyetje, asnjë gjykim, apo apelim. Pra, të gjitha veprimet u bënë të kundërligjshme, duke shkelur edhe ligjet e kohës. Drejtori i Sigurimit të Shtetit, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së Brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit”.

7. Meqenëse ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atëherë Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat e përpilimit të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.02.1951 dhe tjetri 27.02.1951 (pas pushkatimit), procesverbale fiktive, që nuk janë firmosur nga dy anëtarë të Gjykatës së Lartë.

8. Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar. Atëherë mafia politike dhe juridike, mbështetur edhe në përvojën sovjetike të dhunës e terrorit shtetëror stalinist, hartoi një dekret, që përligjte dhe justifikonte këtë praktikë kriminale dhe antiligjore. Ishte një dekret – dekreti i zi, i dalë nga Presidenca e Republikës, që siguronte e përligjte arrestimet, vrasjet dhe burgimet masive nga ana e organeve të diktaturës, që shmangte etapat e procedurës penale e civile, përbënte një mohim të plotë të principeve të drejtësisë, një shkelje të përbindshme të të drejtave dhe lirive të njeriut, një përdhosje të Kushtetutës e të ligjeve të asaj kohe, si edhe kartës së OKB-së, të firmosur nga qeveria shqiptare.

9. Viktimat e pafajshme u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe u hodhën në një gropë të madhe të përbashkët 4.30 x 3 x 1.50 m, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. Në mesnatë, fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur.

10. Fakti që viktimat ishin të pafajshme, u vërtetua edhe ligjërisht 8 muaj më vonë,(tetor 1951) kur një gjykatë speciale dënoi ata persona, që kishin hedhur në të vërtetë dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike.

11. Menjëherë pas arrestimit dhe pushkatimit të viktimave, u organizua një operacion masiv spastrimi: u internuan dhunshëm dhe pa asnjë vendim gjykate familjet “reaksionare” të tyre, në kampet e përqendrimit dhe të punës. Në urdhrin administrativ të internimit të tyre thuhej shprehimisht: Dërgohen në atë rreth të dëbuar nga Tirana familjet e reaksionarëve të pushkatuar për aktivitet terrorist… Interesohuni për sistemimin e tyre në ndonjë ndërtesë dhe t’u sigurohet ndonjë punë sa për të siguruar bukën e gojës”.

Si përfundim, mendoj që dita e 20 shkurtit 1991 të jetë, ashtu siç është dekretuar, dita e rrëzimit të shtatores së diktatorit dhe të simboleve të komunizmit, ndërsa 26 shkurti të jetë dita e viktimave të regjimit totalitar komunist dhe të kujtohet si e tillë, siç e kanë shprehur dhe kërkuar vijimisht të përndjekurit politikë të Shqipërisë në gjithë konferencat, tubimet, manifestimet e tyre për këta 26 vjet të tranzicionit demokratik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura