Dëshmia dhe fotot e rralla me Enverin/ ‘Torturat çnjerëzore të hetuesisë së Tiranës, nuk m’i kishin bërë as në Mat’hauzen’

Apr 9, 2018 | 10:44
SHPËRNDAJE

Publikohet dëshmia e rrallë e Beqir Xhepës, ish-korrieri i Qemal Stafës që u internua në kampet naziste dhe u burgos edhe katër herë nga regjimi komunist. (Fotot e rralla të Beqir Xhepës me Enver Hoxhën).

BEQIR_MATHAUZEN

Nga Dashnor Kaloçi

Gjatë periudhës së Luftës familja e tij aty në qëndër të Tiranës u bë një nga bazat kryesore ku strehoeshin krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe kryesisht Qemal Stafa. Të cilin i jati, Hasan Stafa, ia kishte lënë amanet, babait të tij, Ramazan Xhepës, (ish-ordinancë e Hasanit) dhe deri në 5 majin e vitit 1942, Beqiri shërbeu si korrier i Qemalit, gjë të të cilën e vazhdoi edhe pas vrasjes së tij, duke marrë dhe dërguar letra të “shokëve” të tjerë të udhëheqjes komuniste.

Dhe pikërisht teksa çonte një letër në Çetën e Pezës, ai u kap, u arrestua nga gjermanët dhe u internua në kampet naziste të shfarosjes, si në Mathauzen etj. Nga ku mundi të lirohej nga forcat anglo-amerikane dhe të kthehej në Shqipëri në vitin 1945, duke “lënë pa mënd” familjen e tij dhe të afërmit, të cilët kishin pritur njerëz për “vdekjen e tij”. Por sikur të mos mjaftonin vuajtjet që kishte përjetuar në kampet naziste, Beqir Xhepa u arrestua dhe u burgos katër herë nga regjimi komunist i Tiranës, madje duke u torturuar në mënyrë çnjerzore, gjëra të cilat ai nuk i kishte provuar as në kampin e Mat’hauzen-it.

Të gjitha këto, si dhe persekucionin e egër ndaj familjes Xhepa, Beqiri na i ka dëshmuar publikisht në një intervistë të gjatë në gjashtë numra gazete (Gazeta Shqiptare, datë 9.11.12.13.14.15mars 2003), ku ai me dokumente, foto, letra, dëshmi dhe fakte të panjohura më parë, ka hedhur dritë dhe ndriçuar disa prej ngjarjeve kryesore dhe gjithashtu të shumëpërfoluar të periudhës së Luftës, ku “kishte gisht” vetë Enver Hoxha.

Nga dëshmia e gjatë e Beqir Xhepës, i cili prej tre vitesh është ndarë nga kjo jetë, kemi shkëputur pjesën e fundit dhe po e risjellim atë para lexuesit, (së bashku dhe me disa foto të rralla të tij ku Beqiri ka dalë me Enver Hoxhën etj), si një dëshmi e rrallë autentike e një prej të paktëve shqiptarë të mbijetuar nga kampet naziste të shfarosjes, që për vite me rradhë provoi edhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Zoti Beqir, po me ju dhe familjen tuaj si u soll Enver Hoxha pas Luftës?

“Familja jonë u godit rëndë nga Enver Hoxha. Kështu pasi i kishin arrestuar që më 2 majin e vitit 1945, Xanin, me xhajën, Ademin, i mbajtën për 40 muaj në hetuesi tek “Shtëpia me gjethe” duke i torturuar barbarisht. Pas arrestimit të tyre, Sigurimi na bënte presione të ndryshme dhe na kontrollonte shtëpinë herë pas here. Unë në atë kohë isha në shkollë dhe u detyrova ta ndërpres e ta vazhdoja natën dhe u futa në punë në Shoqërinë Shqiptaro-Jugosllave, me qëllim për të mbajtur familjen me bukë.

Xanin me Dem Xhepën, i akuzuan sikur ishin të lidhur me Grupin e Deputetëve. Xani doli në gjyq në shtator 1948 dhe u dënua vetëm me ato 40 muaj që kishte bërë hetuesi, ndërsa Demi u dënua me 10 vjet, por u lirua më pas me një gjyq tjetër. Në qershorin e vitit 1952, Xani me Demën u arrestuan përsëri, por këtë rradhë akuza ishte për probleme floriri. Ajo ishte vetëm një sebep për arrestimin e tyre dhe pas asaj akuze, atyre u konfiskuan 400 napolona floriri dhe 2000 franga ari. Në atë kohë ato u mbajtën për tre-katër muaj në tortura dhe Dema, nga që nuk duroi dot, u hodh nga kati i tretë i Degës së Brendshme, për të vrarë veten. Pas kësaj atë e nxorrën nga burgu dhe Dema vdiq pas tre muajsh në një hotel, pasi ia kishin shtetëzuar dhe vilën e dyqanin, me paratë e të cilit ai kishte ndihmuar Enverin dhe Luftën”.

Po njeri tjetër nga familja Xhepa, a është dënuar atëhere?

“Pas arrestimit të Xanit dhe Demës, në vitin 1951, u arrestua dhe djali i xhajës së tyre, Qazim Xhepa, i akuzuar për incidentin e bombës në ambasadën sovjetike. Arrestimi i tij erdhi pasi ai kishte qenë student i Harry Fultz-it dhe u akuzua sikur kishte marrë pjesë me Regjencën e Lartë në kohën e pushtimit. Po kështu në atë kohë që ishte Xani në burg, u arrestua dhe vëllai im, Petriti. Nga torturat që iu bënë, Petriti kaloi në një depresion të thellë dhe ashtu jetoi deri sa vdiq në vitin 1972, duke qëndrura sa në shtëpi dhe sa në spitalin psiqiatrik. Por nga familja jonë, persekucionin më të rëndë prej regjimit komunist e pësova unë, dukë u arrestuar dhe dënuar katër herë dhe të gjitha arrestimet e dënimet e mia, u bënë direkt me porosi të Enver Hoxhës. I gjithë ai persekucion i egër që u bë ndaj familjes sonë, erdhi si pasojë e hakmarrjes që bëri Enveri ndaj të gjithë atyre që e akuzuan si përgjegjës për vrasjen e Qemalit”.

Përveç familjes suaj, kush e vuajti tjetër dhe kush u persekutua për atë ngjarje të 5 Majit 1945?

“Të gjithë ata që e akuzuan Enverin që kishte gisht në vrasjen e Qemalit, u ekzekutuan prej tij në periudha kohe të ndryshme. Po kështu dhe të gjithë ata komunista që ishin atë ditë në shtëpinë ku u vra Qemal Stafa, pa përjashtim përfunduan burgjeve dhe internimeve. Të gjitha këto Enveri i bëri për të fshehur gjurmët e krimit që kishte bërë me vrasjen e shokut të tij, Qemal Stafës, të cilin ai e shihte si pretendentin kryesor që mund t’i zinte vëndin në krye të Partisë”.

Më konkretisht, si u hakmorr Enveri ndaj këtyre personave që thoni ju?

“I pari që ra viktimë e intrigave dhe kurtheve që ngriti Enveri për të bërë të besueshme alibinë e tij që nuk kishte gisht në vrasjen e Qemalit, ishte komunisti i Grupit të Shkodrës, Zef Ndoja, të cilin siç e kam thënë më lart, Enveri e ekzekutoi që në vitin 1944 në fshatin Priskë. Pas tij, me urdhër të Enverit, Liri Gega vrau pas shpine, Mustafa Gjinishin, mikun më të ngushtë të Qemalit dhe njëkohësisht të babës sim. Pas vrasjes së Gjinishit, baba im, ia pat thënë copë Enverit, që ai kishte urdhëruar Lirinë për vrasjen e tij, por Enveri iu përgjigj se nuk ishte e vërtetë ajo gjë. Më pas serinë e eliminimeve, Enveri e vazhdoi me Hasan Reçin, të cilin e ekzekutuan në vitin 1946 kur ai punonte në Ministrinë e Arsimit, ku merrej me bursat e studentëve.

Pak kohë para se të hynte baba në burg, aty nga fillimi i 1945 kur unë akoma nuk isha kthyer nga internimi, Hasan Reçi kishte ardhur në shtëpinë tonë dhe i kishte folur Xanit për ato që po bënte Enveri.Por baba i kishte thënë: “Mos fol shumë se s’ta bën të gjatë ai”. Sikur ta dinte baba që edhe Hasan Reçi do shkonte në plumb. Pas këtyre dhe babës sim, Xanit, të cilët e kishin akuzuar direkt Enverin për vrasjen e Qemalit, Enveri e vazhdoi hakmarrjen me Kristo Themelkon, Gjystina Satën, Marije Lezhjen e deri tek ish e fejura e Qemalit, Drita Kosturi, të cilët përfunduan burgjeve dhe internimve. Të gjithë këta Enveri i dënoi që të mbyllnin gojën për ngjarjen e Qemal Stafës, gjë e cila si duket e mundoi atë për gjithë jetën si një fantazmë e keqe. Kjo gjë shpjegohet edhe me faktin se Enveri në vitin e fundit të jetës së tij, kur po e shihte se po ikte nga kjo dynja, u kujtua që të botonte kujtimet ku bënte fjalë për vrasjen e Qemalit dhe aty ai përsëri nuk thotë të vërtetën”.

Përse konkretisht?

“Enveri aty thotë se me Qemalin është takuar në datën 4 maj, një ditë para vrasjes, në një bazë në Rrugën e Shëngjergjit. Në fakt nuk është kështu, se Qemali nuk ka dalë fare nga ajo shtëpi që disa ditë më përpara. Për këtë po të doni shkoni dhe pyeteni Gjystina Satën, një nga ato komunistet që jeton akoma dhe ka qenë atë ditë me Qemalin e dy shoqet e saj në atë shtëpi”.

Po ndaj jush si u hakmor Enver Hoxha?

“Persekucioni ndaj meje filloi që në vitin 1951, kur unë punoja në Zyrën Konsullore të Ministrisë së Jashtëme. Aty më provokuan për bombën në ambasadën sovjetike dhe unë u thashë se ajo ishte bërë vetëm për të hequr qafe disa njerëz. Pas kësaj unë fillova punë në Ministrinë e Komunikacioneve dhe në vitin 1952, pa bërë fare lutje, Gogo Nushi më futi në Parti. Në vitin 1952, më propozuan të më fusnin në një zyrë sekrete në Ministrinë e Brendshme, por unë nuk pranova se e dija që ishte kurth për të më dënuar. Pas 7 muajsh, më 22 korrik 1953, më arrestun duke dalë nga stadiumi. Kjo erdhi pas provokimit që më bëri Koloneli F. S. (Shef i Sigurimit të udhëheqjes), me të cilin u zumë fizikisht. Pasi më torturuan për 24 orë, më liruan se u ankua organizata ime e Partisë ku punoja. Pas kësaj unë u ankova me letra tek Enveri, Mehmeti, Fiqërteja dhe Prokurori i Përgjithshëm. Mehmeti më dha të drejtë dhe e transferoi F.S. në Kukës për dy vjet dhe H. XH. që më rrahu bashkë me të, u dërgua në Gjirokastër”

Po Enveri ju ktheu përgjigjie?

“Pas shumë letrash ai më priti në zyrë ku unë i tregova gjoksin e gjakosur, duke i thënë se atë nuk ma kishin bërë as në Mat’hauzen. Ai më tha: “Lere, lere se edhe ti e ke hapur gojën pak si tepër”. Pas asaj unë i thashë: “Është e kotë që po ankohem tek Partia, se kjo qënka porosia e jote” dhe ika pa i dhënë dorën.

Po arrestimet e tjera si ndodhën?

“Pasi mbarova universitetin për Histori, unë punova në Kinostudio nga viti 1962 deri në 13 nëntor 1970 kur dhe u arrestova duke u akuzuar për agjitacion e propagandë dhe pas 17 muajsh hetuesi, u dënova me 8 vjet burg. E gjitha kjo erdhi pas takimi të rastësishëm që pata me Enverin kur ai bëri një vizitë në Kinostudio dhe më më pyeti: “Hë ç’thotë Xani”. Unë i thashë se ai kishte vërejtje nga që i vinin katunarët dhe i kërkonin me ju ble bukë. Pas kësaj ai më tha që ato t’ja shkruja me një letër. Në letrën që i bëra, unë ia shkrujata të gjitha duke i thënë se ishte fatkeqësi e madhe që fshatarët vinin për të kërkuar bukë në qytet. Atë letër që ia nisa me postë, ma quajtën anonime dhe më dënuan si përfundim me 6 vjet burg.

Ndërsa kisha dy muajt e fundit të burgut në Ballsh, më 15 korrik 1976 më arrestuan përsëri me të njëjtën akuzë dhe gjykata e Fierit më solli për ekzaminim në Psiqiatrinë e Tiranës.E gjitha ajo bëhej për të më nxjerrë mua të papërgjegjshëm, kjo ishte skemë e njohur. Por me gjithë insistimin tim për të mos ma dhënë atë diagnozë, Dr. Afrim Dangëllia ma firmosi atë duke më thënë që më mirë ashtu se të haja 10 vjet burg. Pas tetë muaj hetuesie më liruan në 25 nëntor 1977. Pas kësaj për disa vjet ma lanë me shit cigare në Rrugën e Kavajës dhe për herë të katërt më arrestuan më 28 nëntor 1986, me akuzën e agjitacion e propagandës. Dhe pas 6 muaj hetuesie, gjykata vendosi të më çonte përsëri në Psiqiatri, nga ku unë u lirova më 16 tetor 1987.

Ky arrestim i imi erdhi pasi Sigurimi I Shtetit kishte futur në shtëpinë tonë të vjetër një person për të kontrolluar në se kisha letra anonime dhe për disa relike të Qemal Stafës që mi kishte kërkuar Muzeu dhe unë nuk i jepja. Gjatë kontrollit nga Sigurimi, mua më gjetën një album dhe bust të Zogut si dhe disa antikuare të vjetra e ikona. Po kështu mua më gjetën dhe 40 kg sheqer që m’i kishin sjellë njerzit për vdekjen e babës. Ato m’i quajtën të vjedhura dhe mezi shpëtova nga ajo akuzë”.

Po reliket e Qemalit, t’i morën?

“Jo ato nuk i gjetën, sepse i kisha futur në tokë. Unë e dija se për ato më arrestonte Sigurimi, për t’ë mi marrë se ato ishin dokument i gjallë që unë kisha pasur lidhje me Qemal Stafën. Opingat e Qemalit që i pat punuar Ramazan Balluku, dy stilografët e tij dhe hirin vëllait të Gogos, Kozma Nushit, unë i ruaj edhe sot si pasurinë më të madhe të jetës sime”. TEMA

beqir beqir1 beqir2 beqir3 beqir4 beqir5 beqir6

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura