Çfarë ka që nuk shkon me Islamin në ditët e sotme?

Sep 8, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

mustafa-nanoMUSTAFA NANO

Vitin e shkuar m’u desh të rrija në Bruksel disa ditë, dhe aty pata rastin të vizitoja lagjen e myslimanëve turq e marokenë. Kisha dëgjuar  e lexuar për getot me myslimanë brenda metropoleve të Europës, si në Paris, Londër, Berlin etj., por atë ditë “e preka me duar” dhe e pashë me sy një geto të tillë. Kush hyn në Molenbeek, që është lagjja ku ndodhet zona e myslimanëve, ka menjëherë përshtypjen se është duke kaluar një kufi që ndan dy botë të ndryshme. Për të mos thënë, të kundërta.

Trotuaret në Molenbeek janë të mbushura me djem të rinj që rrinë e varin këmbët bordurave, rrugët janë të rrëmujshme, të zhurmshme, me bori makinash, të papastra, me letra e me qese plastike të hedhura pa kujdes (si këtej nga anët tona), me plehra të derdhura jashtë kashtunëve, jeta në përgjithësi rrjedh me një ritëm përtac e të ngadaltë, syri të sheh kryesisht burra që flasin turqisht apo arabisht, tek-tuk ka edhe gra, të cilat ecin dy e nga dy apo tre e nga tre, të mbuluara në forma nga më të ndryshmet, gjë që tregon se secila e interpreton në mënyrën e vet atë urdhrin kuranik që u jepet grave për të fshehur stolitë e tyre (Kuran, 24:31), d.m.th. gushën, kraharorin, flokët a ku di unë ç’tjetër nënkuptohet me termin “stoli”.

Shkurt, ti nuk je në Bruksel, ndonëse je në Bruksel. Geto të tilla të bëjnë të jetosh me idenë se Europa nuk do të jetë më kurrë ajo që ka qenë. Dhe nuk është prania e myslimanëve si të tillë që të bën ta mendosh këtë gjë. Jo, është prania e tyre si një shoqëri a botë paralele, si një komunitet i izoluar, që nuk u jep e nuk u merr të tjerëve, është prania e tyre si mish mbi një trup të huaj. Bash ky ishte asosacioni që m’u krijua atë ditë: këto geto janë si një mish në një trup të huaj. Më la aq shenjë ky asosacion, sa bën vaki mund të më ketë prekur frymën e librit tim “Selam aleikum, baba”, që sapo kisha filluar ta shkruaja. Dhe nëse është e vërtetë, më mirë kështu.

* * *

Nuk ka asnjë diskutim që këto geto janë ndërtuar prej myslimanëve. Dhe jo prej hallit, por prej qejfit. Tani, në këtë mes kanë faj edhe politikanët e atjeshëm, edhe qeveritarët qendrorë e lokalë, të cilët kanë ushqyer e inkurajuar, në këmbim të ca votave, këtë frymë të izolimit e të mbylljes, a thua se janë edhe ata që nuk e duan integrimin e myslimanëve në Europë, a thua se kanë rënë dakord që është më mirë të arabizohen apo myslimanizohen zona të tëra të Europës sesa të europianizohen arabët e myslimanët. Madje, në Britaninë e Madhe myslimanët lejohen që një numër mosmarrëveshjesh civile a konfliktesh familjare t’i zgjidhin në përputhje me Sheriatin. Sipas meje, britanikët nuk janë në rregull nga trutë.

Mirëpo, kjo është fryma që dominon mes klasave politike e intelektuale në Perëndim, sidomos atyre liberal-progresiste. Duan ta zgjidhin një konflikt qytetërimesh, sepse i tillë është, konflikt qytetërimesh, është e kotë ta fshehim, është e kotë ta spërdredhim gjuhën kur na duhet të flasim për të, këtë konflikt qytetërimesh pra duan ta zgjidhin duke u ardhur pas midesë të ardhurve, duke u lëshuar terren atyre, e në këtë mes duke sakrifikuar disa vlera që janë thelbi i qytetërimit perëndimor, në një kohë që duhet të bëjnë tjetrën, duhet t’ua bëjnë të qartë myslimanëve që kanë ardhur në Perëndim si nevojtarë se ata janë të mirëseardhur këtyre anëve, janë të mirëseardhur që ç’ke me të, dhe askush nuk mund t’i pengojë të gëzojnë të gjitha të drejtat që gëzojnë edhe të tjerët, përfshirë edhe të drejtën e besimit, sidomos të drejtën e besimit, por ka një gjë që europianët nuk janë të gatshëm ta bëjnë, nuk janë të gatshëm t’i negociojnë vlera të tilla, si pluralizmi, demokracia, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut, liria e shprehjes, liria edhe për të përqeshur autoritetin, qoftë ky i fundit tokësor a qiellor, qoftë Krishti a Muhameti.

Klasat politike dhe intelektuale të Perëndimit, sidomos ato të majta, kanë shpikur korrektesën politike, e cila, kjo është marrë vesh tanimë, nuk është gjë tjetër, veçse një marifet për të shitur fshehjen e problemit si zgjidhjen e tij (Donald Trumpit, edhe nëse humbet në zgjedhjet e nëntorit, dhe e mira do ishte që të humbiste, do t’i mbahet mend kjo përpjekje për t’i dhënë munxët modës së korrektesës politike, e cila ka vite që e ka shterpëzuar një pjesë të debatit publik nëpër botë).

Shihni se ç’ndodh! Teksa shumë myslimanë reformatorë po bëjnë çmos ta bëjnë Islamin të puqshëm me modernitetin, një pjesë e politikanëve perëndimorë, sidomos të majtët, që në këtë çështje nuk e kuptoj pse janë të majtë (fjala vjen, pse quhesh i majtë, nëse ti mirëkupton klerikun britanik Anjem Choudary, kur thotë se “nuk më vjen keq që vriten jo myslimanë në rrugë”, apo “flamuri i kalifatit do të varet mbi Westminster në vitin 2020”, e në të njëjtën kohë nuk gjen fuqi të mirëkuptosh ata që karikaturojnë profetin Muhamet, madje edhe pasi ata janë vrarë nga terroristët që frymëzohen prej Anjem Choudary-t?), politikanët perëndimorë pra u bëhen pengesë. Reformatorët myslimanë i mbahen idesë se “terroristët e xhihadistët janë myslimanë, dhe ky fakt përbën një problem për Islamin”, ndërsa Presidenti amerikan, Barack Obama, në më shumë se një rast ka thënë se “ata që vrasin e vetëvriten në emër të Allahut nuk janë myslimanë”.

Reformistët thonë se Kurani, ashtu si edhe Libra të Shenjtë të feve të tjera, është kontradiktor, dykuptimësh, i dhunshëm etj., e prandaj nuk mund të lexohet germë për germë, mirëpo del, fjala vjen, Edi Rama dhe thotë se “Islami është fe e paqes” (e ka thënë në “Zululandin” tim). Reformistët i mbahen idesë se problemi i Islamit sot janë vetë myslimanët, dhe me këtë kanë parasysh myslimanët normalë, paqësorë, të cilët nuk janë në gjendje të vrasin qoftë dhe një mizë, ndërsa politikanët perëndimorë flenë e gdhihen me idenë se problemi i Islamit janë myslimanët ekstremistë e xhihadistë.

“Ne myslimanët jemi në krizë, dhe me këtë jemi duke tërhequr pas vetes edhe pjesën tjetër të botës. Nëse ka pasur ndonjëherë një moment për të ndërmarrë aksionin për reformimin e Islamit, ai moment është tani. Kuptojeni këtë, në keni Perëndi!”, shkruan myslimania ugando-kanadeze, Irshad Manji, në librin e vet “The Trouble with Islam Today”. Me sa duket, çdo fe ka kohën e vet rrezikzezë. Të krishterët e kanë pasur këtë kohë të tyren gjatë Mesjetës, e pak më vonë, teksa organizonin kryqëzata.

Atëbotë, myslimanët (e me myslimanë duhen kuptuar myslimanët; kish mes mendimtarëve e shkencëtarëve të asaj kohe edhe ndonjë qafir si Al-Razi, një nga intelektualët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit, por të shumtët ishin edhe shkencëtarë, edhe myslimanë) zhvillonin mjekësinë, astronominë, shpiknin algjebrën e trigonometrinë, lëvronin poezinë me Omer Khajamin, Firdusin, Sa’diun, dërgonin emisarë akademikë në Kostandinopojë e në qytete të tjera bizantine për të kërkuar libra të grekëve të vjetër që i studionin e i përkthenin nga greqishtja në arabisht.

* * *

Të krishterët e kanë pasur këtë kohë të tyren gjëmëzezë edhe më pas kur dënonin heretikë, “shtriga”, deri edhe shkencëtarë në turrën e druve, kur bënin luftë mes tyre, e deri kur i shkonin pas avazit fashizmit e nazizmit. Islami e ka këtë kohë tani. Pse tani? Kjo është një pyetje e madhe, të cilën, për të mos e pasur si gjyle nëpër këmbë në këto arsyetime që po bëj, po e anashkaloj me një pohim të thjeshtë: Është një kontekst i caktuar historik, e disa faktorë të natyrës jofetare që e inkurajojnë dhe e legjitimojnë këtë shkumëzim të Islamit pikërisht tani.

Para një mijë vitesh ka ekzistuar një Islam tjetër. Para pesëqind vjetësh një tjetër, gjithashtu. Edhe para 50 vitesh Islami, më saktë mënyra se si myslimanët e shihnin apo interpretonin fenë e tyre (sepse rëndom feja kjo është, d.m.th. mënyra se si ndjekësit e saj e interpretojnë atë), ka qenë tjetër. Në librin e Manlio Graziano-s, “Lufta e Shenjtë dhe e shenjta aleancë”, e botuar nga Sarasi, thuhet se “në Bagdad, andej nga mesi i shekullit XX, të agjëroje konsiderohej një gjë trillane e ekstravagante; gratë nuk e mbanin velin, alkooli shitej lirisht, kishte kinema, teatro, lokale nate…

Në qendrën e krahinës së Punxhabit, në Pakistan, vetëm një e katërta e njerëzve e respektonte Ramazanin. Në të njëjtën kohë, gratë afgane mund të bëheshin mjeke. Në vitet ‘970, gazeta New York Times raportonte se femrat afgane shkonin me minifund në Universitetin e Kabulit”, Mund të duket e pabesueshme, por ja që kështu ka qenë. Këto fakte mund t’i bëjnë shumë vetë, mes të cilëve edhe myslimanë, të bëjnë nënvizimin se problemi me Islamin në botën e sotme nuk është i natyrës fetare, por është i natyrës historike, politike, sociale, ekonomike etj.

Mirëpo ky nënvizim, edhe pse sintetizon një pjesë të shpjegimit, po përdoret prej ca e cave si një hile për t’i ikur thelbit të çështjes, e për t’ua lënë fajin të tjerëve që nuk janë myslimanë. Prandaj është shumë e rëndësishme që myslimanët t’i kthejnë sytë nga vetja, e të bëjnë përpjekje për t’iu përgjigjur ndonjë pyetjeje të rëndësishme. Dhe pyetja më e rëndësishme që mund të bëhet nuk është “pse Islami prodhon terroristë?”. Për mua, është një tjetër: “Pse myslimanët vetë-geto-izohen? Pse për ta është e mundimshme, tek-tuk e pamundur, të integrohen me pjesën tjetër të botës?”

* * *

Për të vijuar me shpjegimin, po kthehem tek ideja se është marrëdhënia që besimtarët kanë me fenë e tyre, mënyra se si ata lexojnë librat e tyre të shenjtë, mënyra se si ata e praktikojnë fenë, që e përkufizon atë, fenë pra. Sigurisht, doktrina është e rëndësishme, sepse prej saj nxirren të gjitha motivimet për t’u hedhur në aksion. Por vini re! Prej saj nxirren edhe motivimet për të bërë vepra të mira. Mahatma Ghandi ishte fetar. Martin Luther Kingu ishte fetar. Nënë Tereza ishte fetare. Me këtë dua të them se Kurani është një libër me probleme, një libër që frymëzon edhe fanatizmin, dhunën, urrejtjen, mizogjininë, skllavërinë seksuale etj., por po njësoj është edhe Bibla.

Sikur mua, si jofetar që jam, të më kërkonin të përcaktoja se cili është libri më problematik i botës, Testamenti i Vjetër apo Kurani, unë nuk do dija se ç’të thoja. Edhe Dhiata e Re e katolikëve, sido që është lule në krahasim me Dhiatën e Vjetër e me Kuranin, nuk mbetet prapa në një numër drejtimesh. “Unë nuk kam ardhur t’ju sjell paqe në tokë; unë kam ardhur t’ju sjell shpatën”, thuhet në Ungjillin sipas Mateut (10:34). Ndërsa në Ungjillin sipas Lukës (12:51), fjala shpatë është zëvendësuar me fjalën përçarje. Ata që kanë kryer krimet e kryqëzatave, të inkuizicionit e të luftërave fetare me siguri janë frymëzuar nga pohime të tilla biblike.

Njësoj siç bëjnë sot xhihadistët, të cilët mundohen shumë më pak për të gjetur në Kuran alibinë e masakrave të tyre. Sepse Kurani t’i ofron këto alibi me bollëk. Nuk ka asgjë që bëjnë ushtarët e ISIS-it që të mos ekzistojë në Kuran si këshillë, urdhër a princip. Dhuna ndaj myslimanëve të moderuar, prerja e kokave të jo myslimanëve, ekzekutimi i atyre që braktisin fenë islame, ekzekutimi i atyre që bëjnë tradhti bashkëshortore duke u qëlluar me gurë në kokë derisa të japin shpirt, mbulimi kokë e këmbë i grave, abuzimi seksual me gratë e zëna robina etj., etj. janë sugjerime a porosi a nëntekste kuranike. E prandaj është gënjeshtër në mes të ditës me diell të thuhet se “ushtarët e ISIS-it nuk janë myslimanë”, apo se “Islami është fe e paqes”.

Le ta ngulim mirë në kokë që të gjithë: Islami nuk është fe e paqes. Asnjëra prej feve nuk është fe e paqes. Aq më pak është Islami. Ah, po, janë myslimanët ata që mund ta shndërrojnë në një fe të paqes. Dhe kjo bëhet veç në një rrugë, duke i bërë Kuranit një lexim tjetër, duke u fokusuar në mesazhe të llojit “nuk mund të shtrëngohet tjetri kur vjen puna te feja” (2:256), e jo në mesazhe të llojit “kapini [jo besimtarët dhe besimtarët e feve të tjera], dhe vritini kudo që t’i gjeni” (4:89). Unë nuk them se zgjidhja është që myslimanët ta marrin Kuranin për atë që është, d.m.th. thjesht për një libër të zakonshëm të shkruar nga arabët në shekullin VII, e jo për një libër të shkruar, apo të diktuar, nga Zoti. Kjo do të ishte një zgjidhje ideale, por mua nuk më gënjen mendja që myslimanët mund të arrijnë deri këtu.

E kanë të pamundur. Sidomos një pjesë syresh. Por them se është përgjegjësi e detyrë e tyre t’u bëjnë librave të shenjtë të fesë së tyre një lloj leximi që do t’i ndihmonte të rrinin mirë e rehat mbi tokë në vitin 2016. sipas kalendarit gregorian, apo në vitin 1437 sipas hixhrës, t’u bëjnë një lloj leximi që do t’i ndihmonte të jetonin në paqe me të tjerët që nuk janë si ata. Me fjalë të tjera, t’i bëjnë Kuranit një lexim trouble-free. Termi “lexim trouble-free” mund t’u ngjajë atyre me një gjë që u ngjeth mishin, por është ky lloj leximi që ata, pa qenë të vetëdijshëm, i kanë bërë e i bëjnë Kuranit, Haditheve, biografive të Profetit të tyre.

* * *

Po e ilustroj këtë që sapo thashë. Myslimanët që do donin të linin vendet e tyre me qëllim që të ngrinin jetën në një vend perëndimor janë të shumtë. Ja, shihni, janë me mijëra ata që po lënë kryet në Mesdhe e në Egje në kërkim të një shansi për të vënë këmbë në Perëndim, e për të mos u kthyer më prapa. As parajsën qiellore, atë me pemë, fruta, ujëra, djem që shërbejnë ushqime e alkool e çupa që presin të zhvirgjërohen, nuk do ta kërkonin me një ngasje vetëmohuese më të madhe sesa ngasja, me të cilën kërkojnë Suedinë, Holandën, Gjermaninë. Mirëpo, Kurani nuk e lejon këtë gjë. Madje, Kurani u paracakton ferrin e përjetshëm të gjithë atyre myslimanëve që e kërkojnë të mirën në një vend qafirash (4:97).

E bukura është, se nuk është dëgjuar që ndonjë mysliman ta përmendë këtë ajet kuranik, të cilin dijetarët e të gjitha shkollave të Islamit e kanë interpretuar në mënyrën që unë thashë: Myslimani që parapëlqen të jetojë në një vend qafirash do të shkojë përjetësisht në ferr. Nuk e përmendin, sepse nuk u vjen për osh. Në këtë rast, çuditërisht, nuk e kanë frikë Zotin e tyre. Se mos vetëm në këtë rast! Janë myslimanët që as e vënë ujin në zjarr kur dikush tallet me Jezu Krishtin, s’ka gjë se ky i fundit është në Kuran me të njëjtin status profetik të Muhametit e të profetëve të tjerë. Në Kuran thuhet se të gjithë profetët, duke filluar nga Adami e duke përfunduar te Krishti e Muhameti, janë një për nga rëndësia (Kuran, 2:285).

Aty ka ajete ku lihet të nënkuptohet edhe një lloj hierarkie mes tyre, por kur vjen puna te mbrojtja e nderit të njërit apo tjetrit, nuk ka diskutim që ata janë njësoj. Nuk i falet asnjë myslimani të thotë që “veç Muhametin mos ma prekni; sa për profetët e tjerë, nuk më bëhet vonë”. Dhe mbi të gjithë është Zoti, i plotfuqishëm, që s’ka shok, që s’ka rival, që s’ka të dytë. E kështu i bie që të tallesh me Zotin është, për një mysliman, mëkat më i madh sesa të tallesh me një profet të Tij. Është më i madhi i mëkateve. Por asnjë mysliman nuk është bërë i gjallë kur në televizionet italiane është transmetuar për muaj të tërë (transmetohet edhe sot e kësaj dite) një spot televiziv, ku Zoti, prej aty ku banon, në kupë të Qiellit, në fronin e froneve, i bën promocion kafesë “Lavazza”.

Ka parodizim më të madh sesa ky? Por myslimanët nuk janë bërë merak. Atyre u dhimbset veç Muhameti. Ja, këtij i thonë lexim praktik, a sezonal, a trouble-free. Myslimanët dinë ta bëjnë këtë lloj leximi. Epoka e artë e Islamit në histori, d.m.th. shekujt VIII, IX, X, XI, XII, ekziston në një masë të madhe në sajë të këtij leximi.

* * *

Po vazhdoj me ilustrimet. Para dy muajsh, qortoja në “Zululand” gjestet e futbollistëve Mavraj e Mustafi. I pari refuzoi të vishte një bluzë, ku ishte shkruar logoja e një birre, ndërsa i dyti shtyu tutje një birrë që sponsorët ia kishin vendosur në tryezën, ku ishte ulur për të dhënë një konferencë për shtypin. Të dy me birrën e patën. Në të vërtetë, nuk është se Kurani u ndalon myslimanëve të ndodhen në rrethana “të përkufizuara prej alkoolit”. Thjesht i ndalon që ta përdorin, ngaqë nën efektet e alkoolit do bëheshin besimtarë të shpenguar e nuk do mund të përqendroheshin në momentet, kur janë duke tentuar komunikimin me Zotin (Kuran 4:43).

Por hajt ta zëmë se Kurani urdhëron që, jo vetëm të mos konsumohet alkool, por edhe t’u rrihet larg edhe shisheve me birrë apo logove të birrave, e për rrjedhojë le të themi që Mavraj e Mustafi janë në pozitat e besimtarit rigoroz. Dhe në këtë pikë nuk është se po rrëmoj shumë për të parë se mos ndonjëri syresh, apo që dy, e kanë një pjesë të rrogës prej prodhuesve të birrave. Jo, po supozoj që rrogën, të tërën, e marrin nga ndonjë tregtar i mishit hallall. Jemi Ok deri këtu.

Vetëm se këtë rigorozitet ata nuk e manifestojnë edhe me porosi të tjera të Kuranit, siç është, fjala vjen, ajo ku thuhet që “myslimanët të mos lidhin miqësi me të krishterët e hebrenjtë” (5:51), apo ajo ku thuhet – sapo e përmenda më sipër – se “myslimani që parapëlqen ta bëjë jetën në një vend qafirash e ka vendin në ferr” (4:97) Ua do puna që këtyre porosive të mos ua vënë veshin. Ilustrime të tjera janë situata që na shfaqen çdo ditë para syve. Nëse myslimanëve ua do puna t’i mbulojnë gratë, i mbulojnë pa asnjë problem, dhe për këtë justifikohen me ajetet 7:26 e 24:31. Nëse ua do puna të mos i mbulojnë, nuk i mbulojnë, dhe për këtë kanë për justifikim po këto ajete, që i shtrijnë e i tërheqin si llastikë. Ua do puna të tregojnë se janë myslimanë të mëdhenj?

Ok, për këtë zënë e të thonë se Hadithet janë shumë të rëndësishme, po aq të rëndësishme sa Kurani. Mirëpo kur Hadithet u bëhen si ferrë nëpër këmbë, zënë e mbrojnë tezën se Kurani është libri që ka rëndësi. E kështu me radhë. Është kjo arsyeja që në këtë botë nuk gjen dot dy myslimanë njësoj. Secili është mysliman në llojin e vet. Nuk ka se si të jetë ndryshe.

* * *

Ripërsëris idenë time të fillimit, dhe shpresoj shumë që myslimanët të bien dakord: Çfarë nuk shkon me Islamin ka të bëjë jo me myslimanët që vrasin në emër të Allahut, por me myslimanë të tjerë të zakonshëm, të cilët as vrasin, as vetëvriten, me myslimanë të tjerë të zakonshëm, të cilët geto-izimin e shohin si barkën e tyre të shpëtimit e të cilët s’e kanë për gjë të jetojnë me idenë se në xhami mund të merren përgjigje për të gjitha pyetjet, se gruaja e zhveshur në plazh është misionare e satanait, se gruaja është një qenie inferiore, se burri ka të drejtë ta rrahë gruan, se Islami është feja e vetme e saktë, që duhet të sundojë botën, e prandaj do ishte shumë mirë që të gjithë të konvertoheshin në myslimanë, se për çdo mysliman të mirë do të ketë në parajsë 72 virgjëresha, se të krishterët do të përfundojnë që të gjithë në ferr, se Krishterimi dhe Judaizmi janë dy fe të korruptuara, se Sheriati është një “kushtetutë” më e mirë sesa kushtetutat që garantojnë funksionimin e shteteve të perëndimit etj., etj.

Përsëris: sa më sipër, por edhe të tjera, janë gjëra që besohen e merren për të vërteta të paluajtshme nga masa e madhe e myslimanëve, që janë paqësorë, e që dinë të shohin veç punën e tyre. Dhe ky është një problem. Ky është problemi me Islamin në ditët e sotme.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura