BLEONA METUSHI/ Gjykata e Apelit për Krime të Rënda u detyrua të shtyjë sërish seancën ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë, sepse asnjë prej avokatëve të caktuar kryesisht në seancën e parë nuk u paraqit.
Nga mosmarrja e njoftimit për gjyqin, deri te “mospërgatitja e duhur” për një proces të tillë, këto ishin disa nga arsyet që avokatët e shtetit nuk ishin të pranishëm. Kujtojmë se në seancën e fundit Gjykata bëri zëvendësimin e avokatëve të zgjedhur nga vetë të pandehurit. Ata lanë sallën e gjyqit në shenjë rebelimi, sepse asnjë kërkesë e bërë prej tyre nuk ishte pranuar.
Largimi erdhi pas gjobitjes së të pandehurit Gilmando Dani, i cili debatoi ashpër me kryesuesen e trupit gjykues, Saida Dollanin, për të cilën kanë bërë disa kërkesa për përjashtim.
Dani i kërkoi në seancën e parë shpjegime edhe në lidhje kërcënimin që dyshohet se i është bërë gjyqtares dhe lakimin e emrit të tyre si autorë. Ndërkohë, edhe në seancën e djeshme, Gilmando Dani ka diskutuar sërish me gjyqtaren Dollani, për të cilën tha se ka bllokuar procesin.
Edhe të pandehurit e tjerë kërkuan të njëjtën gjë nga gjyqtarja, ndërsa shtuan se nuk bëjnë gjyq me të. “Në lidhje me pezullimin e afateve të paraburgimit, shkak janë bërë avokatët që keni caktuar ju, nuk kemi lidhje. Mos e pengoni procesin, ju duhet të jepni dorëheqjen. Jeni e vetmja që po bllokoni procesin. E di shumë mirë se çfarë i ke thënë kushëririt tënd E.D.”, tha Gilmando Dani, teksa i drejtohej gjyqtares Dollani. Kjo e fundit e paralajmëroi që të ruante etikën, duke i kujtuar edhe parashikimet ligjore.
SHTYRJET
Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela, Endrit Qyqa dhe Blerim Shullazi u dënuan dhjetorin e 2018-ës me 55 vite burg për disa vepra penale. Ky vendim u ankimua nga të pandehurit dhe që prej 21 janarit të këtij viti, ende nuk është marrë në shqyrtim ky ankim.
Për rreth 6 muaj, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka shtyrë 11 herë procesin. Gjatë 5 seancave të para, shkak u bë mungesa e avokatëve mbrojtës. Pas këtij momenti, shkarkimi i drejtuesit të trupës gjykues, gjyqtarit Fehmi Petku për shkak të vetingut dhe largimi i një prej anëtarëve të trupit gjykues për shkak të konfliktit të interesit, bëri që procesi të fillonte nga e para. Ndërkohë, nga trupi gjykues u largua edhe një tjetër gjyqtar për shkak të konfliktit të interesit, duke e lënë Kolegjin me 2 anëtarë.
Ndërkohë, ka qenë Këshilli i Lartë Gjyqësor që plotësoi trupin gjykues duke deleguar gjyqtaren Valdete Hoxha, e cila dha dorëheqjen për shkak të konfliktit të interesit. E pyetur nga “Panorama” mbi mundësinë e evitimit të zgjedhjes së një gjyqtari në konflikt interesi, KLGJ-ja shkruan se nuk ka mundësi paraprakisht të dijë rastet e konfliktit të interesit të çdo gjyqtari dhe se një gjendje e tillë nuk i është njoftuar as nga Gjykata e Apelit.
Gjatë seancës së djeshme u bë e ditur se gjyqtarja Valdete Hoxha është zëvendësuar në trupin gjykues nga gjyqtarja Etleva Temo, e deleguar dy ditë më parë nga KLGJ-ja. E megjithëse tashmë është bërë plotësimi i trupit gjykues, edhe dje hapja e shqyrtimit gjyqësor u bë e pamundur.
PANORAMA
© Panorama.al











