
“Pësoi tortura si në Aushvic, trupin e kishte të djegur dhe nuk kishte më thonj në duar”
Bianka de Korvin Balliçi, pas largimit nga Shqipëria, jetoi ende për disa vite. Vazhdoi të shkëmbejë letra e të dërgojë ndihmesa materiale te njerëzit e të shoqit, deri sa këta të fundit, për shkak të sigurisë së tyre, u detyruan të ndërpresin të gjitha komunikimet.
Morën vesh më vonë se kishte vdekur në një aksident rrugor në Zagreb, ku kishte shkuar të takonte njërën nga motrat e saj që jetonte atje. Po a është kjo e vërteta? Në fakt, nuk dihet nëse e vërteta e vetme e jetës e vdekjes së saj do të zbardhet ndonjëherë, por dyshimet e njerëzve që e deshën e jetuan këtu me të, të çojnë në hipoteza të tjera. Ilir Llanaj, nipi i Adem Balliçit, tregon për atë pjesë të jetës që Bianka ka jetuar me ta në Peqin e Elbasan, por edhe të vërtetat e tjera që ka mësuar pas viteve ’90 gjatë takimeve me njerëzit e saj. Iliri na tregoi gjithashtu për familjet me të cilat shoqërohej Bianka në Tiranë si ajo e Aleksandër Xhuvanit, Naim Vretos e Aiten Selfos, me të cilën Bianka ka qenë për 1 vit në të njëjtin burg në Tiranë. Aiteni nuk jeton më prej disa vitesh.
Si e keni njohur Biankën?
Po në Tiranë, sa kohë kanë jetuar? Dini gjë për jetën e saj përpara se të burgosej?
Di që në Shqipëri kanë ardhur në kohën e Zogut. Ademi punoi në Ministrinë e Financave si zëvendësministër, ndërsa Bianka nuk ka punuar ndonjëherë, por si profesion kishte gazetarinë investigative. Nga ato që ju thashë më lart, mund ta merrni me mend edhe nivelin e saj ekonomik. Kishin para mjaft. Morën një truall në Rrugën e Elbasanit, midis Ambasadës Amerikane dhe asaj të dikurshme franceze. Aty ndërtuan vilën e tyre. Thuhet që gjithçka, që nga rëra e tullat erdhën nga jashtë. Madje u nis edhe një vapor me pajën e saj nga Vjena, i cili u mbyt në Trieste e pas tij i ati i dërgoi një të dytë, e cila mbërriti në Tiranë.
Ç’kishte në pajën e saj?
Çfarë tjetër i pëlqente përveç pikturës? Di që luante në piano…
Luante në piano mjaft mirë, e kishte në shtëpi. Kishte telajo të tëra, në të cilat pikturonte kur dilte në zona periferike të Elbasanit apo Tiranës. Merrej me përkthime e shumë lexim. Përveç këtyre ishte gjithnjë e ftuar e darkave më mondane që bëheshin asokohe në Tiranë. Gjithnjë e pranishme në darkat e ambasadave, në shoqërinë e të huajve, me të cilët kishte njohje, por edhe ajkën e shqiptarëve atëherë që ishin të shkolluar jashtë. Ishte mësuar ashtu, gjithnjë pjesë e ballove.
Këto shoqërime i sollën edhe dënimin…Së pari ndërtimi i shtëpisë pranë Ambasadës Amerikane e më pas gjithë shoqërimet me të huajt, përfshi këtu edhe mikeshën e saj të dënuar me pushkatim Zyraka Mano, me të cilën takohej shpesh në shtëpinë e saj. Të gjitha këto e cilësuan si agjente… çfarë dini?
Unë di ato që ju thashë më lart. Një njeri i një niveli të tillë kulturor e intelektual, nuk mund të rrinte veçse me këta njerëz. Nuk besoj të ketë qenë agjente. Ajo atë jetë kishte bërë dhe atë vazhdoi të bënte, ç’arsye kishte të merrej me gjëra të tjera.
Arsyet në raste të tilla nuk i di kush, kështu që nuk mund të provohet as e kundërta apo jo…,pra, mund edhe të ketë qenë…
E vetmja arsye pse mendoj se e luftuan ishte vizioni i saj. Me Zyrakën takohej vërtet, por siç e bënte me gjithë miqtë e tjerë të huaj. Në fund të fundit, Zyraka ishte inxhiniere dhe mund të ishte vërtet e përfshirë në dëmin e kënetës së Maliqit, për të cilën u dënua me pushkatim. Po Bianka për çfarë të ishte e përfshirë?! Ata u kapën fort pas arsyes se pse gjetën atë vend për të ndërtuar shtëpinë. Madje më kujtohet që mamaja i thoshte Ademit: Ç’e gjetët atë vend mes shkurreve për të ndërtuar?! Ai i tha: “Mbaje mend Razije, kjo ka për t’u bërë zona më e lakmuar e Tiranës”. Pra, nga njeriu që unë e njihja që ishte e nga ato që më kanë treguar të tjerët, nuk e besoj.
Këto nuk janë biseda që ndahen me të tjerët por, sidoqoftë, pas daljes nga burgu ajo u kthye në Elbasan. Ç’bënte pas daljes? Tregonte gjë për ato që kishte kaluar në vitet e burgosjes?
Ajo nuk kishte fëmijë, e meqenëse i pëlqente të shëtiste, vinte e më merrte mua me vëllain nga shkolla. Pothuajse gjatë gjithë ditës kam imazhin e saj duke lexuar. Mbyllej në biblioteka e lexonte “Zarathustrën” e Niçes në gjermanisht, “Thundrën e hekurt” të London, e Shopenhauerin. Shqipen nuk e fliste fort të pastër, ama përpiqej. Koha e saj e burgosjes duhet të ketë qenë çnjerëzore, sepse ishte e tmerruar. Lëkurën e trupit e kishte të gjithën të djegur, deri te organet gjenitale. E gjithë lëkura ishte e rrudhur prej shenjave të djegies. Kyçet e duarve të shtrembëruara. Ka pirë edhe urinën e saj në burg vetëm për të shuar etjen. Por, të gjitha këto ia thoshte babait në mjaft fshehtësi.
Thonë se ka qenë gjithashtu në spitalin psikiatrik të Elbasanit…
Është e vërtetë që pas daljes nga burgu kishte lajthitje të herëpashershme prej torturave. I kanë bërë injeksione në shtyllën kurrizore që të mos fliste, aq shumë, sa u shtrembërua. Megjithatë ajo nuk foli kurrë për asnjë e nuk akuzoi askënd.
Po Adem Balliçi, i shoqi, u prek prej gjithë kësaj?
Patjetër që u prek, edhe ai ka qenë i burgosur. Përveç se ndenji gjithë kohës pa punë edhe kur ishte jashtë. Në kohën e Zogut, pati njohje me Enver Hoxhën. Balliçët kanë qenë tregtarë të cigareve e furnizonin dyqanin “Flora” atëherë. Aty ishin takuar shpesh. Kur u takuan më vonë në Elbasan e Ademi i tha “jam pa punë”, e futi 6 muaj drejtor të bibliotekës sa për të larë gojën dhe e hoqën, nuk punoi më.
Me çfarë jetonin? Sidomos Bianka pas vdekjes së të shoqit…
Njerëzit e saj dërgonin ndihma e këta i shisnin, përveç se, edhe ne të gjithë jepnim aq sa mundnim.
Megjithatë e kompensoi me ato që dërgoi pas ikjes…
Patjetër, së pari me shtëpinë që u la njerëzve të Ademit këtu, e më pas me kujdesin që tregoi, duke dërguar veshje gjithmonë deri në një kohë që ne na u desh të ndërprisnim komunikimin. I kujtoj ende xhinset e mia të viteve ’70, të dërguar nga Bianka.
Në vitet e demokracisë, a keni mësuar se ç’ngjau me të? Thuhet vetëm që vdiq në aksident në Zagreb…
E kam dëgjuar patjetër. Për shkak të punërave që kam bërë, më është dashur të udhëtoj shpesh. Kam qenë në vendin ku thanë se u aksidentua. Ishte një rrugicë e ngushtë, ku mund të kalonte një makinë në kaq orë, pra e pamundur të aksidentoheshe në atë vend. Sipas atyre që më ka thënë me bindje babai, por edhe nga ajo që pashë vetë, duhet ta ketë vrarë Sigurimi i Shtetit. Kanë shkuar e kanë gjetur deri atje ku shkonte për të takuar një nga motrat e saj që jetonte prej vitesh në Zagreb.
Ka qenë mjaft e moshuar, aksidenti mund të ndodhë kudo, megjithatë kjo nuk ka për t’u zbardhur ndonjëherë. A e kanë prekur ndonjëherë faktin që nuk patën fëmijë?
Pasi hyri në burg, u tha se ishte shtatzënë dhe se e humbi fëmijën atje prej torturave që i bënë, por kjo është vetëm ajo ç’ka kam dëgjuar, nuk e di me saktësi. Pastaj, pasi doli nga burgu Ademi kishte vdekur, por edhe sikur të ishte gjallë nuk kishte më asnjëri prej të dyve moshë. Nuk pati fëmijë as me burrin e parë, kontin në Vjenë e as me Ademin.
Si ishte gjendja e saj mendore pasi doli nga burgu o nga psikiatria… kjo nuk dihet me saktësi…
Kishte lajthitje të herëpashershme, por nuk e humbiste krejt. Kishte gjithashtu momente kthjellimi gjatë të cilave bënte biseda normale, sado që gjithmonë e frikur.
Me kë shoqërohej në Elbasan apo Tiranë pas daljes nga burgu?
Kishte miqësi me ajkën e të dy qyteteve. Në Elbasan miqtë e saj ishin nga familjet Nosi, Paparisto, Shuteriqi. Në Tiranë shkonte shpesh, sidomos te familja e doktor Vretos, por edhe te Xhuvanët.
Te familja e mamasë suaj, Balliçët, sa ndikoi e gjithë kjo? A patën ata persekutime?
Së pari nuk kishte nevojë që të vinte Bianka që Balliçët të ishin nën shënjestrën e sistemit. Isuf Balliçi, ishte tregtar i njohur në Elbasan, u akuzua se nuk e dorëzoi të gjithë floririn e të tjera si këto. Pra mund të themi që ardhja e Biankës e gjeti, si të thuash, situatën gati. Por ajo nuk u ankua asnjëherë për asgjë, s’përmendi askënd.
Që ishte e tmerruar thoshte vazhdimisht, apo jo?
Këtë po, patjetër, por nuk tregonte detaje. Reagonte gjithashtu menjëherë po t’i përmendje emrin e Enver Hoxhës. Sikur i reagonte edhe lëkura, niste të dridhej. Ato që ka hequr kanë qenë më keq se kampet e Aushvicit. Thonjtë nuk i kishte më nëpër gishta. Ia kishin hequr me ujë të nxehtë.
Prindërit tuaj e kanë vizituar ndonjëherë në burg?
Jo, asnjëherë. Kishin frikë të gjithë. Përveç Ademit, askush tjetër.
Kush ishte Bianka de Korvin
E bija e konsullit austriak në Stamboll, Bianka de Korvin u martua me një shqiptar, Adem Balliçin, prej të cilit mori më vonë edhe mbiemrin. Në Austri pat qenë e martuar me një kont, pas vdekjes së të cilit ajo u martua me Balliçin. Edhe pse ajo nuk punoi në Shqipëri, profesioni i saj ishte gazetare investigative. E akuzuar si ndërlidhëse e amerikanëve me Shqipërinë, Bianka u burgos dhe u torturua në mënyrë të tmerrshme nga sistemi. E akuzuar si e implikuar në çështjen e Kënetës së Maliqit, Balliçi u dënua me burg. Doli nga qelia pas 11 vjetësh dhe siç tregojnë të afërmit, prej torturave, jo vetëm kishte shenja ngado nëpër trup, por edhe kishte pësuar shok psikologjik. Pas burgimit vijuan vitet e Psikiatrisë, ku gjithashtu iu nënshtrua të tjera torturave. Pas largimit nga Shqipëria, vijoi të mbante korrespondencë me njerëzit e të shoqit, të cilëve u dhuroi vilën që kishin ndërtuar në Rrugën e Elbasanit, pranë Ambasadës Amerikane. Vdiq në Zagreb. Thuhet nga një aksident automobilistik. Edhe pse vazhdojnë të jenë gjallë njerëz që e kanë njohur Bianka Balliçin, historia e saj mbetet ende e pazbardhur.
Sigurimi i Shtetit: Balliçi ishte agjente e Fultz-it
Sipas atyre pak të dhënave që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Bianka Balliçi konsiderohej nga Sigurimi i Shtetit si agjente e britanikëve dhe se qëllimi i detyrës së saj kishte qenë informimi për çdo gjë rreth Italisë dhe kolonive të saj, të cilat ia dorëzonte ministrit britanik në Romë, Drumond. Udhëtimet që kishte ndërmarrë gazetarja Bianka në Jugosllavi, Gjermani etj. vlerësoheshin të nxitura nga Legata britanike e Romës. Duke vazhduar më tej këtë hipotezë të paprovuar, raporti i Sigurimit thotë se Bianka ishte njohur edhe me amerikanin Alan Rogers, i cili e “udhëzonte” se çfarë duhej të bënte. Po në këtë kohë shkon në Berlin. I gjithë aktiviteti i Biankës si gazetare nga Sigurimi vlerësohej vetëm si qëllim spiunazhi.
Sipas dosjeve të Sigurimit, Bianka në Romë ishte njohur me elbasanasin Adem Balliçi. Martesën e tyre, Sigurimi e quan “kombinacion” të anglo-amerikanëve me qëllime të tjera, ndryshe nga sa janë paraqitur. Banka akuzohet si agjente e Fultz-it. Për fatin e keq të Biankës, shtëpia e saj ishte afër Legatës amerikane në Tiranë dhe të gjitha vizitat që bëheshin në shtëpinë në fjalë, merreshin si takime agjenturore.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











