Besart Kadia i përgjigjet gazetarit: Bomba nuk është zgjidhja, zoti Hila

Mar 12, 2018 | 16:22
SHPËRNDAJE

Drejtori i Institutit Pashko replikon me gazetarin Dritan Hila, i cili pas eventit të Forumit të Tiranës për Liri Ekonomike mbi Derregullimin e Tregjeve, shprehej se “Instituti Pashko i Çilit (që Pashkoja vetë ishte nëna e plagjiaturës, imagjino instituti i Çilit), kishte ftuar Bashën që nuk di tabelën e shumëzimit, që t’iu tregonte një tufe profesorësh që rrinin dhe e dëgjonin, si bëhet ekonomia.

bes-kadia

Forumi i Tiranës për Liri Ekonomike është një ndër organizimet shtyllë të Institutit Europian Pashko mbi debatin publik në Shqipëri. Çdo fillim pranvere në traditën perëndimore për të trajtuar një temë me rëndësi ekonomike ky Institut organizon një forum me personalitete të fushës së ekonomisë, si dhe politikëbërës vendas. Vitin e shkuar e nderoi me pjesëmarrjen Dalibor Rohac, nga instituti me peshë në SHBA për politika ekonomike si American Enterprise Institute, dy vite më parë Roger Scruton, një ndër filozofët më të mëdhenj në Mbretërinë e Bashkuar, edicionin e parë dr. Barbara Kolm, një ndër personat më me influencë në Europë për reformat shtetërore…. Këtë vit menduam që zërin kryesor ta zinte Ministria e Financave duke qenë se premtimi i qeverisë ka qenë për derregullim e ndihmë ndaj biznesit. Dy javë e shtymë forumin me premtimin e zotin Arben Ahmetaj se do të marrë pjesë dhe vetëm një ditë para eventit e anuloi pjesëmarrjen. Për këtë arsye ftuam Zv.kryeministren, Znj. Mesi, e cila për shkak të zhvillimeve gjithashtu u detyrua të anulojë pjesëmarrjen një ditë para forumit. Ndaj në mungesë të zërit të qeverisë dhe në errësirë totale se çfarë nënkuptohet me derregullim, përveç disa komenteve politike të ministrave, e në mungesë të plotë të një dokumenti zyrtar për këtë reformë të rëndësishme me interes publik, ne menduam se për opinionin publik me interes do të ishte mendimi i opozitës për këtë çështje. Ndaj dhe jemi mirënjohës që zoti Basha pranoi ftesën e mori pjesë në këtë forum.

Instituti “PASHKO” nuk fsheh ideologjinë që ka e mbështetur mbi traditën e ideve libertariane të vendeve anglosaksone të mishëruara në ideologë të tillë, si Hayek, Von Mises dhe Milton Friedman. Këta koha i vërtetoi se parashikuan në kohë idetë e gabuara Kejnsianiste e komuniste që kishin zënë rrënjë në fund të viteve 1940 kudo në botë. Falë ideve të tyre në forume vjetore si Mont Pelerin Society u krijua një masë e nevojshme mendimtarësh kudo në botë për të bashkëpunuar e për të analizuar se çfarë duhej të ndryshohej në politikat ekonomike të kohës. Shumë më të vegjël në rëndësi, shumë me më pak kapacitet intelektual se këto figura botërore ne mundohemi të sjellim një format të përshtatshëm për realitetin shqiptar për të diskutuar pikërisht për këto fenomene.

Për ne idetë e shtetit të vogël, ideja e konkurrencës së lirë mes të gjitha enteve që shërbejnë si publike dhe private, ideja e respektimit të ligjeve në mënyrë të barabartë, ideja e taksimit proporcional e jo progresiv, ideja e respektimit të kontratave e liria e individit në kushtet e respektimit të ligjeve e të dinjitetit njerëzor janë shumë të rëndësishme për të garantuar mirëqenie ekonomike e ulje të varfërisë në vend. Këto janë idetë tona! Friedman, Hayek e Von Mises janë simbolet tona! Gramoz Pashko i njihte, i kishte lexuar e i donte për të orientuar debatin publik në Shqipërinë e shkatërruar nga komunizmi të vitit 1991. Ne mendojmë se idetë e tij me kohën do të rezultojnë të sakta. Idetë e lirisë së tregut e të individit janë idetë më përparimtare që kanë në qendër mirëqenien e njeriut e respektin për jetën dhe dinjitetin njerëzor.

Ndaj dhe përgjigja që kam për Zotin Hila është po ashtu në respekt të dinjitetit të tij dhe të lirisë së tij për t’u shprehur. Por nuk mund të rri kurrsesi pa një përgjigje kur Zoti Hila shtyn drejt dhunës miqtë e tij virtualë në Facebook për të “hedhur një bombë për të mbledhur mendjen ne bashkë me sharlatanët e këtij vendi”. Si mundet që një ish-zëvendësministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, të cilit publiku i dha besimin për mbrojtjen fizike të fëmijëve të tyre dhe të ardhmes së tyre, të jetë kaq i gatshëm të përjetojë bombardim të vendit njësoj si përjetoi Iraku nën regjimin e Sadam Huseinit? Si ka mundësi që një forum për ide të zhvillimit të vendit me pjesëmarrës të Dhomës Amerikane të Tregtisë, me përfaqësues të Dhomës së Tiranës së Tregtisë dhe Industrisë, me pjesëmarrës drejtues të fondacionit Konrad Adenaur të partisë së Angela Merkel që bashkëpunojnë për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe ndër të tjerë edhe me pjesëmarrjen e kryetarit të opozitës së Shqipërisë, të shtyjë një figurë publike të sugjerojë bombardimin e vendit vetëm pse ne mendojmë se Shqipëria ka nevojë për një alternativë tjetër të politikave ekonomike? Përse mosdakordësia për një ide, e ndryshme nga ç’beson Z. Hila, e shtyn atë të kërkojë eliminim fizik të individëve? Përse bomba dhe jo fjala zoti Hila? Nga buron kjo ndjenjë e zezë e cila është pëlqyer nga 254 persona në Facebook-un tuaj dhe ka marrë komente mbështetëse nga dhjetëra të tjerë? Përse media pranë qeverisë e bën menjëherë lajm me rëndësi publike këtë qëndrim të ish-zëvendësministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë?

Mendoj se “bomba” vjen si nevojë që ka qeveria për të hequr vëmendjen ndaj asaj çka po i ndodh ekonomisë së vendit çdo ditë. E zoti Hila e miqtë e tij menjëherë duan të devijojnë vëmendjen nga kjo çështje me interes publik. Ky qëndrim agresiv vjen patjetër se në forum u përmendën fakte jo inkurajuese për ekonominë vendase. Dhomat e Tregtisë thanë se qeveria nuk dëgjon më zërin e biznesit. Se në faqen e Këshillit Ekonomik Kombëtar nuk është përditësuar me informacion e vendime që në tetor të vitit 2016, që derregullimi i shumëpërmendur nuk ka akoma një dokument zyrtar i cili mund të aksesohet nga publiku, ku biznesi mendon se nuk është dëgjuar për rregullat shtesë që ministritë vendosin çdo ditë, ku përfaqësuesi i Konrad Adenaur foli për klientelizëm e mungesë konkurrence në tregjet shqiptare, ku Dhoma Amerikane e Tregtisë flet për sjellje gati mafioze në praktikat e të bërit biznes në vend, ku flitet për kontrata 1 miliard EURO por nuk ka akoma një dokument kosto-përfitim, ku kryetari i opozitës ekspozoi gjithë investimet e huaja që kanë ndodhur në vendet fqinje gjatë kësaj kohe por asnjë në Shqipëri, ku të dhënat tregojnë se jemi vendi i 125-të për sa i përket pagesës së taksave në botë e Kosova në vendin e 45-të, ku Shqipëria është e 120-ta në botë për sa i përket respektimit të kontratës e Kosova në vendin e 49-të, ku Shqipëria është në vend të 103-të për sa i përket regjistrimit të pronës private e Kosova në vend të 34-t, ku kemi zbritur nga vendi 54 në botë në 2014 në vendin e 65-të në 2018 për sa i përket Lirisë Ekonomike. Ku… e sa shumë shqetësime mundet të përmendim që kanë interes publik Zoti Hila. Por ju doni “fjalën bombë” se ajo bën zhurmë e ajo duket e asgjë tjetër nuk ekziston pas një bombe. E kjo është e plotë në traditën e qeverisë që Ju përfaqësonit, ku zhurma e dukja kanë rëndësi e kjo është hilja e Zotit Hila edhe e gjithë qeverisë Rama. Idetë? E kujt i duhen idetë në këtë periudhë “post-truth”./Mapo/

REAGIMI I HILES

Analisti Dritan Hila ka ironizuar pjesëmarrjen e liderit te PD, Lulzim Basha në konferencën “(De)Rregullimi i Tregjeve”, organizuar nga Instituti Pashko.

Përmes një statusi në Facebook, Hila shkruan se pozicioni i Bashës në këtë aktivitet ishte qesharak, teksa të ndjerin Gramoz Pashko dhe analistin Henri Çili i konsideron si “nëna” të plagjiaturës.

“Instituti Pashko i Çilit (qe Pashkoja vete ishte nena e plagjiatures, imagjino instituti Çilit), kishte ftuar Bashen qe nuk di tabelen e shumezimit, qe t’iu tregonte nje tufe profesoresh qe rrinin dhe e degjonin, si behet ekonomia!?

Po t’iu thuash amerikaneve: Ç’kishit me Sadamin?

Hajdeni more hidhni nje bombe ketu e te mbledhim mendjen ne bashke me sharlatanet e ketij vendi,” shkruan Hila.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura