Dardha e sjelljes së opozitës e ka bishtin mbrapa

Dec 20, 2017 | 18:22
SHPËRNDAJE

Në qoftë se do të arsye tojmë nga këndvështrimi partiak, Rama do të ketë jetuar pardje një ditë zbavitëse politike për shkak se përballë tij, në një shfaqje jo shumë të këndshme për sytë e faktorit ndërkombëtar, dy partitë që i kundërvihen atij në Kuvend, PD dhe LSI, iu kundërvunë një votimi, i cili kishte marrë edhe bekimin  e faktorit perëndimor. Shfaqja që iu rezervua publikut vendas dhe atij ndërkombëtar ishte një shfaqje e denjë për klasën tonë politike dhe në këtë kuptim, Rama ka fërkuar duart nga ajo që ndodhi.

mentor nazarko

Ai tregoi vetëpërmbajtje, nuk lëvizi nga vendi, ndonëse mund të ketë komanduar Gardën që të pengojë Berishën. Por, në qoftë se arsyetojmë nga këndvështrimi i interesit kombëtar, -konkretisht interesit për të marrë ftesën nga BE për të çelur negociatat, ajo që ndodhi tregoi se midis palëve ka diferenca të mëdha. Dhe shfaqja e së hënës nuk ishte një bonus i mirë për sjelljen politike të Shqipërisë. Por le të hyjmë më në thellësi për të kuptuar pasojat e asaj që ndodhi. U pagëzua një aks i ri politik PD-LSI.

Përse? Për të ndalur emërimin e një kryeprokurori të ri të përkohshëm. Është krejt e qartë që me veprimet e pardjeshme, siç edhe u duk nga reagimi dënues i faktorit ndërkombëtar, dy partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI, kanë gjetur emëruesin e përbashkët për të vepruar kundër PS-së tash e tutje. Çështja për të cilën ata vendosën të bashkëpunojnë ishte çështja e mbarimit të mandatit të zotit Llalla dhe fillimi i një mandati të përkohshëm i një prokuroreje që u votua me votat e shumicës. Mirëpo, kjo në sytë e faktorit ndërkombëtar konsiderohet si pengesë e reformës për drejtësi.

Sepse ky bashkëveprim u kurorëzua për një ngjarje, e cila ngjan larg shqetësimeve reale të qytetarëve. Papritmas, dy palët u morën vesh për të koordinuar aksionin e tyre politik, u takuan në selitë e njëra-tjetrës, për të bërë mbledhje të përbashkëta, për të shmangur veprimin e Prokurorisë tash e tutje të kontrolluar prej Ramës, kundër tyre, diçka që e tradhton atë që do të duhet të ishte qëllimi real strategjik mes tyre. Ka një element thelbësor që nuk e nxjerr në dritë të mirë këtë bashkëpunim.

LSI dhe PD janë duke bashkëpunuar jo thjesht për t’iu kundërvënë Edi Ramës që don të kontrollojë Prokurorinë, por për t’iu kundërvënë edhe faktorit perëndimor, i cili ka autorësinë mbi reformën në drejtësi, si shkrues i teksteve, por edhe si zbatues. Ky është momenti më problematik i këtij bashkëpunimi. Pra jo thjesht kundërvënia ndaj Ramës, por edhe faktorit perëndimor, i cili tregoi qartë që edhe me komentet e EURALIUS-it, OPDAT-it dhe deklaratat e ambasadorit amerikan, e konsideron normal atë hap që u bë: zgjedhjen e prokurores së përkohshme. Ja ku duket kjo.

Po, është e vërtetë, se në pikëpamjen kushtetuese veprimi më i drejtë duhet të ishte krijimi i KLP-së dhe pastaj zgjedhja e kryeprokurorit me mandat të plotë. Po ashtu, do të duhej që çështja e prokurorit të përkohshëm, nëse nuk do të ishte krijuar KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) duhet të ishte parashikuar në një dispozitë tranzitore në Kushtetutë. Ama, prapëseprapë, forma e zgjedhur e kundërvënies opozitare ndaj zgjedhjes së prokurores së përkohshme nuk ishte më elegantja: vendos opozitën të pagëzuar pardje me shfaqjen e së hënës në kundërvënie jo thjesht ndaj Ramës, por edhe ndaj faktorit perëndimor.

Nuk mundet që të kundërvihesh me një shfaqje si ajo e pardjeshmja edhe ndaj Kryeministrit, edhe ndaj faktorit perëndimor. Mund të ishte zgjedhur një rrugë tjetër, e cila mundet ta afronte sadopak opozitën e re, PD-LSI, me faktorin perëndimor dhe pastaj opozita t’i kundërvihej Ramës. Fati i Llallës dhe faktori kohë. Rrugët institucionale, alternativë e protestës me çizme Me veprimin e së hënës të PD-së dhe LSIsë, por dhe nga qëndrimet e saj të mëparshme për çështjen e prokurorit të përgjithshëm, u tregua se faktori kohë është një faktor kyç.

Këto dy parti kanë preferuar që Llalla të vazhdonte mandatin e tij. Ndonëse nuk mund të dilnin në mbrojtje të tij publikisht, çdo aksion politik dhe juridik, i cili do të ndalonte zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm, sillte zgjatjen e mandatit të Llallës. Kishte një rrugë tjetër institucionale, e cila mund të zgjaste mandatin e Llallës sipas parimit që prokurori paraardhës rri në detyrë deri në marrjen e mandatit nga pasardhësi: ishte ankimimi në Gjykatën Kushtetuese.

Nuk u zgjodh kjo rrugë. Ankimimi kushtetues mund të ndikonte në krijimin e një kohe shtesë që procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm të shtyhej, pavarësisht se raporti i forcave brenda kësaj Gjykate lë të parathotë vendimin e saj. Nuk u zgjodh kjo rrugë, e cila ishte institucionale, por u zgjodh rruga e protestës, e cila dihej mirë që nuk do të krijonte masë kritike protestuesish te qytetarët për të bllokuar një veprim rutinor të Kuvendit.

Duke zgjedhur të vepronte ashtu siç veproi, PD nuk shteroi mundësitë kushtetuese dhe ligjore për të korrigjuar procesin. Kishte edhe një rrugë tjetër. Ndonëse PD nuk ka marrë pjesë në votimin e ligjit të Prokurorisë, që ishte në zbatim të reformës në drejtësi (ligj që parashikon që nëse KLP nuk është krijuar akoma, zgjidhet një prokuror i përkohshëm), opozita kishte hapësirë që në emër të arritjes së konsensusit me Ramën që e ofroi atë, të kërkonte një modifikim të kompetencave, ndërhyrjen në ligjin për prokurorinë, që kompetencat e tij të ishin të kufizuara, me karakter ngushtësisht administrues.

Rama i ofroi konsensus për gjetjen e emrit, opozita të ofronte konsensus për modifikimin e kompetencave të kryeprokurorit të përkohshëm deri në momentin që të zgjidhej ai, sipas Kushtetutës. As këtë opozita nuk e bëri. Një aksion i tillë konstruktiv nuk do të kishte shansin të injorohej kaq lehtë nga PS. Në vend të kësaj, PD dhe LSI zgjodhën atë shfaqje, e cila e përafroi Shqipërinë me skenarin maqedonas dhe kosovar, diçka e cila e kapërceu qëllimin e dukshëm të zgjedhjes së kryeprokurorit, por shpërfaqi një qëllim tjetër – bllokimi i çeljes së negociatave me BE-në.

Nëpërmjet ndjekjes së skenarit kosovar dhe maqedonas, opozita e re që lindi pardje, tregoi jo vetëm mungesë fantazie. Duket se nëpërmjet kësaj lëvizjeje, opozita e re e drejtuar nga Basha nuk do që Shqipëria, përkatësisht Rama, të jetë ai që do të çelë negociatat me BE-në gjashtëmujorin e ardhshëm, duke e konsideruar këtë si bonus për qeverinë.

KONTROLLI I RAMËS MBI PROKURORINË

Ka një moment tjetër që duhet t’i japim të drejtë opozitës. Është e vërtetë që kryeprokurori i përkohshëm, ndonëse quhet i tillë, ka kompetenca të fuqishme në drejtimin e Prokurorisë. Ka kompetenca që lidhen me përgjimet në bashkëpunim me SHISH-in, ka kompetenca që lidhen emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve. Për të gjitha këto arsye opozita ka të drejtë të ketë shqetësimin e saj se ky institucion, për mënyrën si u zgjodh kryeprokurorja, mund të orientohet në përndjekjen e njerëzve të saj dhe mbrojtjen e njerëzve të qeverisë.

Por një gjë është e sigurt ama: edhe nëse kryeprokurori do të zgjidhej nga KLP, gjasat që ai të ishte nën kontrollin e qeverisë ishin të njëjta. Nga opozita u kërkua hapësirë për kompromis që kryeprokurori i përkohshëm të zgjidhej në frymën e Kushtetutës, pra siç ishte parashikuar në Kushtetutë për prokurorin e përgjithshëm me mandat të plotë. Ajo që çfarë u ofrua nga PS ishte saktësisht në frymën e Kushtetutës: u tentua që të arrihej konsensusi dhe nëse nuk do të votohej me 3/5, do të fitonte ai kandidat që kishte shumicën më të madhe.

Shumicën më të madhe e kishte zonja Marku. Në këtë kuptim nuk kishte ndonjë tradhti të frymës së Kushtetutës. Rama u përpoq që të përçante edhe një herë opozitën, duke afruar edhe një herë PD-në, si diversion ndaj LSI-së, por këtu jemi në fushën e takticizmit partiak.

PËRPLASJA ME PERËNDIMIN, ËSHTË PROBLEMI I OPOZITËS

PD dhe LSI treguan edhe një herë se zgjodhën të përballen jo thjesht me Ramën dhe qeverinë, e cila mund t’i ketë kredencialet e rëna për shkak të çështjes “Tahiri”, por edhe me faktorin perëndimor, i cili e kontrollon reformën në drejtësi, edhe kryeprokurorin e përkohshëm, apo të përjetshëm. Jo pa shkak, për ta lënë të kuptuar këtë të vërtetë të re, ambasadori Lu në daljen e tij të parë pas zgjedhjes së prokurorit të përkohshëm tha se “reforma në drejtësi po funksionon.

Bashkë me zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm do të kemi fillimin nga puna të SPAK, vetingu po prodhon rezultate, etj., etj.’. Në këtë kuptim kompetencat e zonjës që u zgjodh dje do të jenë të kufizuara, do humbin dukshmëri pas krijimit të institucioneve të reja që janë nën kontrollin e faktorit ndërkombëtar. Pikërisht këtu gjendeshin hapësirat e reja për kompromis mes PD-së, LSI-së dhe PS-së, apo hapësira për pajtim e opozitës së re me faktorin perëndimor në vend.

Kjo hapësirë u shmang, dhe në vend të kësaj u zgjodh rruga e bllokimit të dhunshëm, ku PD mbeti nën hijen e gjesteve populiste të zonjës Kryemadhi. Për pasojë Rama dje kishte arsye që nga njëra anë të ishte i lumtur sepse alternativa e tij politike, ky çifti i ri politik, ofroi atë shfaqje jo shumë të këndshme që ia rrëzon kredencialet si alternativë bindëse për pushtet. Mjerisht, sipas dilemës oh sa mirë, oh sa keq, dardha ka bishtin mbrapa. Gjasat që Shqipëria të marrë ftesën për çeljen e negociatave në qershor bëhen gjithmonë e më të largëta.

Konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura