ANALIZA/ “Aleanca e rikonfirmuar e Kryeministrit. Pse hashashi do jetë licenca më e kërkuar dhe aplikantët nuk do jenë mjekë e farmacistë, por…”

May 14, 2020 | 20:45
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ gjekmarkaj

Po, tani është momenti që në spektrin politik të rikonfirmohen aleancat. Shumë prej nesh i sugjerojmë nëpërmjet qëndrimeve publike opozitës që të rishohë koalicionet, të ndryshojë rregullat e brendshme të formacionit, të thërrasë të larguarit, të konvokojë elitat, të potencializojë programin etj. Po kaq, shefit të saj, Lulzim Bashës, i zukasim nga çdo frëngji për imazhin, frymëzimin, fabulën, ekipin, të etur në nevojën për të shpresuar se do të bëhemi relativisht normalë. Të lodhur nga zhgënjimet sesi pushteti i një maxhorance përfundon te një njeri i vetëm me shpurën, e cila lan e lyen nga pas me gjuhën që nuk thahet kurrë, sesi shteti transformohet në bunker tribal, qysh institucionet shkërmoqen, duke nxitur ikjen në masë, një në dy sipas sondazhit më të fundit, biem në vegime…

A jemi të ndershëm me veten, me opozitën, si dhe kryetarin e saj, kur insistojmë në këto tema, një pjesë e të cilave lëvizin ngadalë? Personalisht, besoj se kemi të drejtë të ushtrojmë presion pozitiv, që alternativa të përmbushë disa aspirata qytetare, të nxisim ndryshim dhe rrotacionin, ta mbështesim atë, por pa humbur ballafaqimin me realitetin. Mbase në diskursin e përditshëm duhet të shtojmë edhe disa ingredientë të tjerë. Në plot raste flasim duke menduar se në Shqipëri do të ketë betejë politike, sjellje të tillë, konkurrencë e plot segmente në mozaikun e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme megjithë dyshimin që na rri si gur në këpucë dhe na riaktivizon kujtesën. Një nga problemet më të mëdha që ka pasur Shqipëria, ka qenë projekti politik i kanabizimit të vendit, duke u shndërruar në qendër të shënjestruar për kultivimin e tij në kancelaritë dhe mediat kryesore të globit.

Një ministër i Brendshëm, nga presioni publik dhe opozitar, u detyrua të largohej për t’u bërë subjekt i drejtësisë, pikërisht me akuzën se ai dhe Policia e Shtetit ishin mecenat i mbjelljes dhe trafikut të hashashit në vend. Me gjasë, këto lidhje me politikën nuk mbeten hipotetike nëse mbajmë parasysh lidhjet e krimit me politikën, influencën e tij në proceset elektorale. Dëshmi e kësaj mishele mbeten dosjet e Shijakut dhe të Dibrës, tanimë me famë kontinentale nga publikimet e “Bild”. Nuk kanë munguar akuzat që ai projekt kriminal (kanabizimi) me spikamë të fortë ekonomike dhe mbrojtje shtetërore, të fusë një pjesë të fitimeve të veta në garën elektorale. U fol shumë për zgjedhjet e vitit 2017, të ketë pasur në to vërshim të parasë së pistë, po askush nuk hetoi, as drejtësia e pareformuar e as ajo e reformuara. Edi Rama, në disa dalje publike, qe distancuar nga kanabizimi, madje kur nuk e mbante më, lëshoi edhe Saimir Tahirin. Siç di, ai u zotua me fanfarë se do ta çrrënjoste këtë fenomen, paçka se gati sa nuk ia mbollën në saksi poshtë zyrës, se ishte rreptësisht kundër çdo mendimi që kërkonte legalizimin e tij.

Disa kohë nën psherëtimat e mosbesimit të përgjithshëm u fol për suksese në luftën antikanabis, më pas pati një si pauzë dhe pas saj lajme për mbjellje të mbara të tij, nën të njëjtën mbrojtje. Para shumë pak ditësh, me një kthesë, tek e cila nuk u vu re as skuqje, as zverdhje, as turp, as shqetësim për mohimin e vetvetes, Kryeministri dha lajmin se po punohet nga pikëpamja ligjore për lejimin e mbjelljes se hashashit për qëllime mjekësore. Përsërisim se e pat kundërshtuar me ndezulli këtë ide të hedhur nga ish-deputeti Koço Kokëdhima. Nëse kjo ndodh, do jetë licenca më e kërkuar. Se si bëhen kriteret këtu, kemi qartësi dhe asnjë dyshim, sesi mjeti justifikon qëllimin po kaq. Nuk na lejohet që të mos e imagjinojmë kush ka eksperiencë në këtë dhe kush do jenë aplikuesit dhe përfituesit.

Nuk do jenë shkencëtarë, as mjekë e farmacistë, as fermerë e blegtorë, por kultivuesit e tij tradicionalë. Pse përgatitet pikërisht tani, në pragun e vitit elektoral, ta bëjë Edi Rama këtë? Ngjan si një kushtëzim i ndërsjellë, si një marrëdhënie me fitim reciprok. Ky i ndihmon, ata ia kthejnë. Ky lëshim i frikshëm e komprometon për shumë gjatë aq sa imagjinata s’na bëhet aleat për ta parashikuar natyrën e shoqërisë sonë. Edi Rama, siç duket, nuk e ka kaq të gjatë valën e merakut. Atij i duhen zgjedhjet e radhës. Për ato nevojiten para, mbështetje dhe kërcënime. Kanabisi të gjitha ato i ofron me bujari. Kjo mund të jetë aleanca e rikonfirmuar e Kryeministrit. Ata që besojnë se kjo nuk është efikase, asgjë s’kanë kuptuar nga mënyra sesi ai qeveris në Tiranë dhe partneret e tij kudo në territor.

Në këtë këndvështrim, opozitës i duhen ofruar sugjerime të reja, krahas të vjetrave. Të na presë sa të shfletojmë manualet e rezistencës civile e qytetare nëse ajo ka vullnet e kurajë t’i përdorë. Një projekt të tillë mund ta ndërpresin vetëm shqiptarët nëse do të duan dhe jo ambasadat, sado mike t’i kemi!

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura