Aktoret që zbuloi Ilia Tërpini, si u përzgjodh Yllka Mujo në vend të vajzës së Enverit

Jul 24, 2018 | 14:28
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ

Një muaj më parë, duke kërkuar informacione rreth një personazhi të Teatrit Kombëtar, larguar nga jeta vitet e fundit, nëpër të dhëna rezultonte që kishte qenë mik i ngushtë i operatorit Ilia Tërpini. Për shkak se njëri kishte punuar me filmin e tjetri me teatrin, lidhja mes të dyve nuk bëhej shpejt, mirëpo e telefonova Ilian dhe pas shumë telefonatash të paarritshme, më në fund u përgjigj…

“Oh, Viktori ka qenë miku im më i mirë, do t’ju tregoj me kënaqësi histori për të, kam aq shumë për të folur, vetëm se tani jam në Francë, djali im është bërë me fëmijë dhe kemi ardhur bashkë me time shoqe të qëndrojmë pak kohë këtu. Kam frikë që nuk do të kthehem shpejt, por sapo të vij, do të të telefonoj. Viktori ka qenë i jashtëzakonshëm, i papërsëritshëm, por do të të flas gjatë për të”.

Operatori Ilia Tërpini
Operatori Ilia Tërpini

Që Ilia do të më fliste gjatë, siç përhumbej nëpër historitë e së shkuarës, nuk kisha asnjë dyshim, por nga Franca nuk u kthye kurrë, duke marrë me vete qindra histori, më të bukurat nga paskuintat e sa e sa filmave shqiptarë. Me të nisur njërën prej tyre s’mund ta dije asnjëherë ku do të shkoje, në ç’fshatra ku kishin xhiruar, vende “të fshehta” ku kishin pirë, të qeshura që kishin zbardhur mëngjeset.

Me zërin gjithnjë të ulët, sytë përherë të qeshur, edhe kur të thoshte diçka “nën zë” sikur personazhi të ishte duke përgjuar, Ilia fliste për të shkuarën sikur ta kishte përtej kamerës, në çdo kohë. Mbante përherë një aparat të vogël me film në dorë, për të shkrepur ende portrete që e tërhiqnin edhe rastësisht në rrugë, sado që koha kur fotografitë që do të printonte menjëherë, nuk kishte më kujt ia tregonte, siç bënte dikur në Kinostudio. Sot, po risjellim kujtimet e tij, ato që na ka treguar për disa nga aktoret më të bukura të ekranit shqiptar, nga Yllka Mujo, Matilda Makoçi e Raimonda Bulku, të gjitha të zbuluara falë atij aparati të vogël që e shkrepte ngado e kurdo.

VALLËZIMET E NDALUARA TE “DIMRI I FUNDIT”

Imagjinoni njerëzit-hije që shëtisnin rrugëve të Tiranës në 1975, duke ecur me kokën e kthyer pas… Institucionet që ishin të rrethuar nga vëzhgimet e Partisë, kujdesi i të gjithëve për t’i matur mirë fjalët që nxirrnin nga goja. Në gjithë këtë atmosferë ishte një fshat në Shqipëri, ku nuk kurseheshin për të ngritur volumin e magnetofonit deri në fund. Në Dardhë të Korçës po xhirohej filmi “Dimri i fundit”.

Darkave, të rrethuar e mbrojtur nga bora, rrethi i ngushtë i ekipit të xhirimit dhe aktorëve vallëzonin deri në mëngjes nën tingujt e muzikës që pëlqenin. Askush nuk i spiunonte, askush nuk vinte veshin pas derës, ishin të lirë të kërcenin siç thuhej se bënin korçarët diskove të Amerikës. Ilia Tërpini u është rikthyer edhe një herë kujtimeve të atyre ditëve të gjata të dimrit që, për shkak të borës që shkriu, u detyruan të qëndronin edhe më gjatë…

Rajmonda Bulku
Rajmonda Bulku

“Rajmonda Bulkun unë e kam xhiruar për herë të parë kur sapo e kishin gjetur për te ‘Dimri i fundit’. Ato ditë që ne po kërkonim aktoren e përshtatshme për rolin e saj, Rajmonda kishte ardhur për pushimet e janarit nga Cërriku në Tiranë. Ishte 17 vjeçe, në vitin e tretë në gjimnaz dhe njëri nga dy regjisorët e filmit, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, e kishte parë bashkë me dy vajza të tjera në rrugë dhe unë e fotografova menjëherë sapo ai e pa. Më pas e morëm për kinoprovë. Shkuam në Cërrik, takuam të atin që e kishte oficer për të kërkuar leje, sepse ishte ende e vogël. Krijuam menjëherë marrëdhënie të mirë bashkë dhe jemi miq ende sot.

U bëmë aq të afërt saqë kur erdhi koha që do të fejohej, djali me të cilin u martua siç ishte e zakonshme të ndodhte atëherë, erdhi më pyeti ç’mendim kisha për të. Sigurisht që i thashë fjalët më të mira dhe siç dihet më pas të dy u martuan. Te ‘Dimri i fundit’ kemi kaluar kohë shumë të bukura. Mund të them që është një nga rastet e rralla që kemi pasur kohë aq të bukura. Grupi i filmit ishte prej 70 vetash dhe për ne u hap enkas kampi i punëtorëve të Dardhës në Korçë. Drejtori i kampit ishte mjaft i pasionuar pas artit dhe na ka trajtuar në mënyrë të veçantë. Përveç tij, i gjithë fshati na ka mbajtur si jo më mirë sepse edhe ne morëm disa nga fshatarët për film. Për një rol të vogël paguanim 200 lekë në ditë, por mendoni që fshatarët duhet të punonin sa e sa ditë për 14 orë, që të merrnin kaq para. Një natë na merrte njëri, një natë tjetri.

Ishim edhe mjaft të organizuar dhe bënim përnatë mbrëmje vallëzimi, por nga ato që në Tiranë nuk lejoheshin sepse i futeshe burgut vetë. Kërcenim e pinim si të donim. Jashtë ra dëborë e madhe dhe s’lëviznim dot prej andej, as deri në Korçë. Imagjinoni që Liza Laska, aktorja e Vlorës, ishte e sëmurë me zemër dhe Komiteti na caktoi një doktor enkas për të”.

SI E ZGJODHËM YLLKA MUJON NË VEND TË PRANVERA HOXHËS TEK “I TETI NË BRONZ”

Në fakt, me Yllkën ishte krejt rastësi. Kishte nisur kërkimi për një rol të vogël, atë të Almës, vajzës së doktorit te filmi “I teti në bronz”. Shëtita nëpër disa gjimnaze të Tiranës dhe fotografova rreth 60 vajza të reja për të përzgjedhur. Atë vit, në mos gaboj, 1963, organizohej edhe spartakiada e parë shqiptare në stadium.

Yllka Mujo
Yllka Mujo

Aty kishe mundësi t’i vlerësoje vajzat më mirë sepse ishin edhe të zhveshura. Ende pa gjetur Yllkën, një ndër vajzat që fotografova në spartakiadë ishte Pranvera Hoxha. Unë natyrisht që nuk e njihja dhe e pyes për emrin. Pasi ma thotë, e pyes sërish se e kujt ishte. Kur më thotë edhe për të atin, unë stepem, megjithatë i shpjegoj arsyet pse po bëheshin këto foto dhe i them se do ta njoftoja më vonë nëse do të përzgjidhej. Në fillim nuk e mendova kaq prerazi se nuk mund ta merrnim.

Lava fotografitë dhe ia tregova regjisorit, Viktor Gjikës. Njësoj si unë, edhe atij i ngelën sytë te Pranvera, por kur i thashë se si ishte puna, ishte ai që e preu pa e diskutuar fare. Deri atë kohë, as ai nuk dinte gjë, por hamendësoi se nëse e merrnim Pranverën për rolin, gjatë xhirimeve, që na duhej të rrinim për një kohë të gjatë në Korçë, ajo, edhe prej moshës së re, 17 vjeçe, mund të dashurohej me ndonjë atje. Nëse kjo ndodhte, burgu ishte masa më e lehtë që ne të gjithë parafytyruam. Kështu që, tha, as mos e zër në gojë këtë punë. E takoj sërish pak ditë më vonë dhe gjithë entuziazëm, e kishte me shumë qejf atëherë këtë përvojë.

Pranvera Hoxha

Pranvera Hoxha

Më thotë se kishte folur me babin dhe se ai i kishte dhënë leje. Priste vetëm përgjigjen tonë. Viktori as që e diskutonte. Leja ishte për t’i bërë qejfin së bijës, sepse ai e dinte që s’do të guxonte njeri ta përfshinte në këtë film. Pas saj gjetëm Yllkën. 3 ditë përpara se të nisnim xhirimet, shkova në një aktivitet në Teatrin e Operës dhe aty pashë Yllkën. Duhet të ketë qenë 15 vjeçe. I them sime shoqeje “kjo është Alma”, duke përmendur emrin e personazhit.

Afrohem, i shpjegoj rastin dhe e ftoj të vijë të nesërmen në Kinostudio. Viktori në fillim tha se tashmë ishte gjithçka gati e nuk mund të ktheheshim pas, por pasi e pa Yllkën, nuk bëri asnjë fjalë. Na u desh të ndryshonim edhe kostumin, ta qepnim sërish, sepse ishte vajzë e imët, ndryshe nga ajo që kishim përzgjedhur më parë. Kështu, me atë rol, Yllka Mujo nisi të bënte aktoren.

MATILDA MAKOÇI TE “SI GJITHË TË TJERËT”

Aktorja Matilda Makoçi e kishte kaluar provën e parë, kur operatori Ilia Tërpini e zgjodhi për filmin “Si gjithë të tjerët”, megjithatë, edhe pse ishte hera e dytë, përzgjedhja ishte e rastësishme dhe kinoprova duhet të bëhej, në çdo rast…

Rajmonda Bulku dhe Matilda Makoci
Rajmonda Bulku dhe Matilda Makoci

“Po përgatisnim filmin ‘Si gjithë të tjerët’ dhe po kërkonim nëpër shkolla për personazhin e Jetës. Matilda Makoçin e kam gjetur në Politeknikum. Ka pasur më parë një rol tjetër e më pas erdhi ky film. E morëm në Kinostudio, i bëmë kinoprovën dhe karriera e saj vazhdoi me filma të tjerë; u bë aktore shumë e mirë. Atëherë ishte gjimnaziste, ende e vogël dhe rolet e tjera më të mëdha të saj do të vinin më vonë. Ka qenë shumë e bukur, kishte portret shumë interesant”, kujton Tërpini.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura