Prokuroria: Rrëfimi i vrasesit në videon e dytë me Doshin nën kërcënimin e armës. Toma e Frroku përdorën kapitalin financiar për të sajuar ngjarjen

Mar 23, 2015 | 13:04

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbuluar se deputeti i Shkodrës Tom Doshi dhe deputeti i PKD-së, Mark Frroku, kanë kanosur shtetasin Durim Bami, duke e detyruar të bëjë deklarime të rreme në një video të dytë.

Durim Bami

Në materialin e Prokurorisë për Kuvendin theksohet se shtetasi Durim Bami ka pohuar se është detyruar nga Doshi nën kërcënimin e armës të japë një tjetër dëshmi në një video të dytë të filmuar në ambientet e shtëpisë së deputetit të PS-së në qytetin e Durrësit.

Kjo video, e cila nuk është bërë publike dhe nuk është vënë në dispozicion të Prokurorisë nga Doshi, sipas organit të akuzës është një nga arsyet e kërkesës për të kontrolluar banesat private të deputetit Doshi. Mbi këtë dëshmi të Durim Bamit Prokuroria ka ngritur tri akuzat e dyshuara për konsumim të elementeve të veprës penale nga Tom Doshi.

“Këto veprime kualifikohen si elemente të anës objektive të veprës penale ‘kallëzim i rremë’, i parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, në formën e krijimit të provave të rreme, me qëllim që të bëhen ndjekje penale. Referuar shpjegimeve të Durim Bamit, ekziston dhe një regjistrim tjetër audio dhe video i bërë në rezidencën e shtetasit Tom Doshi në Durrës.

Në këtë regjistrim, Durim Bami është detyruar nën kërcënimin e armës nga ana e shtetasit Tom Doshi që të deklarojë në lidhje me fakte të pavërteta për organizimin e vrasjes ndaj tij dhe për personat që kanë organizuar këtë vrasje, emrat e të cilëve janë diktuar nga shtetasi Tom Doshi.

Ky filmim posedohet nga shtetasi Tom Doshi dhe nuk është vënë në dispozicion të hetimit”, thuhet në procesverbalin e Prokurorisë.

BASHKËPUNIMI
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të dy deputetët e Kuvendit, Doshi dhe Frroku kanë përdorur pozicionet e tyre publike dhe kapitalin financiar për të krijuar akuza të rreme, duke përdorur shtetasin Durim Bami.

“Nga të dhënat e hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme se deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në pozicionin e tyre publik dhe kapitalin financiar që disponojnë, dyshohet se kanë kanosur shtetasin Durim Bami për të bërë deklarim të rremë. Këtë deklarim, shtetasi Bami e ka dhënë në një regjistrim video, në një ambient privat. Fakti që deklarimi i bërë në regjistrimin video është i rremë pranohet nga shtetasi Durim Bami. Ky deklarim provohet edhe me rrethanat e tjera, të përfituara gjatë hetimit. Ndërsa personi nën hetim Durim Bami nuk mban përgjegjësi për deklarimet e dhëna për shkak të pozitës së tij procedurale, si i dyshuar, deputeti Mark Frroku duhet të hetohet për sa ka rezultuar nga ky hetim. Nga hetimi i kryer deri më tani, krijohet dyshimi se deputetët Mark Frroku dhe Tom Doshi, në bashkëpunim me shtetasin Durim Bami, kanë krijuar prova të rreme, me qëllim që të bëhet ndjekje penale”, thuhet në raportin që i është dorëzuar Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.

© Panorama.al

Te lidhura