Zona e Currilave, mrekullia e kthyer në geto moderne

Dec 5, 2011 | 13:03

Zona e Currilave në Durrës, një ndër bregdetet më të bukur të “Adriatikut”, dita-ditës po shndërrohet në një geto moderne, ku objektet e shumta me apo pa leje po pushtojnë me vrull të gjithë sipërfaqen deri fare pranë vijës bregdetare. Kjo zonë, e cila nis nga Bërryli dhe përfundon rreth 3 km në veri, në vendin e quajtur “porti i gjermanit” nuk është ruajtur fare nga ndërtimet të ndryshme, që shtohen si kërpudhat pas shiut. Në një vijë prej 3 km vihet re me sy të lirë që fare afër bregut, madje në disa raste brenda në det, janë rreshtuar me dhjetëra lokale e bare, të cilat janë ndërtuar pa asnjë lloj kriteri. Vija bregdetare e Currilave ka qenë tokë shtetërorë, por disa vite më parë ajo është përdorur për kompensim. Meqenëse Bashkia nuk ka asnjë projekt për këtë vijë bregdetare, pronarët janë të frikësuar për të investuar në pronën e tyre. Gjatë fushatës elektorale vendore, kryebashkiaku Dako, asokohe kandidat për të marrë mandatin e dytë si qytetar i parë i Durrësit, është shprehur se do ta kthente këtë zonë në një nga zonat më të zhvilluara të qytetit. Projekti që Dako u premtoi qytetarëve durrsakë, parashikon një port funksional me destinacion kryesisht turizmin, me zona pushimi, me hapësira për aktivitete kulturore dhe zhvillimin e eventeve të ndryshme. Por përtej euforisë së optimizmit bosh dhe premtimeve elektorale të harruara nga pushteti vendor në Durrës, vija bregdetare e plazhit të Currilave po shndërrohet në një zonë të harruar. Ndërkohë, e vetmja gjë që është bërë, janë ndërtimet pa kriter që investohen nga privatët. Kjo situatë ka bërë që niveli i ndotjes në vijën bregdetare nga shëtitorja “Taulantia” deri në Currila të jetë mjaft i lartë e problematik. Agjencia e Mjedisit në Durrës gjatë inspektimeve të herëpashershme ka konstatuar ndotje të lartë për sa u përket mbeturinave të papërpunuara, derdhjes së ujërave të zeza në det, si dhe betonizimit e ndërtimit të moleve pa leje duke zvogëluar hapësirat e plazhit. Në një masë të madhe, lokalet pranë bregut të detit nuk kanë kanalizime, ndërsa rasti më flagrant i konstatuar gjatë inspektimit kanë qenë inertet e ndërtimit të derdhura në det për të cilat janë vënë gjoba, ndonëse ende nuk po punohet për pastrimin e bregdetit. Gjatë një vëzhgimi të shpejtë konstatohet fare lehtë që në Currila ka disa ishuj të ndërtuar në mënyrë artificiale nga hedhja e inerteve në det dhe që kanë ndikuar në ndotjen mjedisore. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Ramazan Kalia, këtë situatë ia ka faturuar Bashkisë së Durrësit, duke bërë të ditur se ndërtimi i moleve të tilla është përgjegjësi e pushtetit vendor dhe se strukturat e Bashkisë duhet të ndërhyjnë sa më parë për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme atë pjesë të dëmtuar e të ndotur. Madje, molet në zonën e Currilave në jo pak raste kanë përplasur këtë agjenci me Bashkinë e Durrësit. Sipas Kalias, Bashkia ka policinë e saj, Inspektoratin Urbanistik e Ndërtimor, zyrën mjedisore, fondet përkatëse dhe të gjitha këto mjaftojnë për të bllokuar, si dhe për të ndëshkuar çdo ndërhyrje me pasojë ndotjen mjedisore, ndaj është kjo e fundit që duhet të ndërhyjë. Por, ndonëse kontrolli dhe administrimi i territorit është një nga detyrimet e pushtetit vendor, përballë kësaj masakre të madhe Bashkia e Durrësit ka vendosur të heshtë. Durrësit si portë e Korridorit të Tetë i mungon një port turistik, ndaj ai sot më shumë se kurrë ka nevojë t’i rikthehet identiteti, në një qytet me destinacion turizmin.

Projekti “Vija e kaltër”
Para fushatës elektorale vendore të 2011-s, Bashkia prezantoi studimin mbi vijën bregdetare “Vija e kaltër”. Një projekt mjaft ambicioz, i cili me vënien në zbatim do ta kthente Durrësin në qendër të rëndësishme turistike. Gjithashtu do të rriste numrin e bizneseve të reja dhe vendeve të reja të punës, por edhe do të rriste vlerat e pronës duke respektuar në maksimum pronarët e ligjshëm. Duke promovuar kështu industrinë e turizmit të qëndrueshëm, kaq i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik lokal.
Durrësi, “Porta e Perëndimit” në Shqipëri. Me këtë mesazh kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, prezantoi para fushatës studimin mbi vijën bregdetare me emrin mjaft kuptimplotë “Vija e kaltër”. Rruga në të cilën do të shtrihet projekti “Vija e kaltër”, nis me portin turistik të qytetit, vazhdon me promenadën në shëtitoren “Taulantia”, Brrylin, plazhin e Currilave, duke pasur si segment fundor Kallmin, që është një zonë e paprekur natyrore. Projekti parashikon një port funksional me destinacion kryesisht turizmin, me zona pushimi, me hapësira për aktivitete kulturore dhe zhvillimin e eventeve të ndryshme.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura