Zjarri në tregun industrial të plazhit Durrës, Tedi Blushi: Qeveria ka dështuar në garantimin e pronës dhe jetës! Hetim të menjëhershëm, tregtarët e dëmtuar të dëmshpërblehen

Jun 29, 2025 | 19:33

Sekretari i PL-së, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me zjarrin që preku ditën e sotme tregun industrial në plazhin e Durrësit, ku u rrezikuan 20 dyqane.

tregu industrial durres

Blushi theksoi se kjo është një tjetër dëshmi tronditëse e braktisjes së qytetarëve, teksa shtoi se kemi të bëjmë me një dështim të qeverisë dhe institucioneve për garantimin e pronës dhe jetës.

Blushi bën thirrje të ketë një hetim të plotë dhe të menjëhershëm lidhur me këtë zjarr që preku shumë biznese dhe tregtarë.


Postimi i Blushit:

Pamjet dramatike nga zjarri që po shkrumbon tregun e Durrësit janë një tjetër dëshmi tronditëse e braktisjes së plotë të qytetarëve dhe dështimin e thellë të Qeverisë dhe institucioneve vendore në garantimin e sigurisë së pronës dhe të jetës.

Papërgjegjshmëria institucionale nuk mund të justifikohet më as me mungesë mjetesh për shuarjen e zjarrit dhe as me burokraci.

Kjo ngjarje është pasojë e një shteti që ekziston vetëm në letra dhe propagandë, por që në momentet e emergjencës zhduket dhe i lë qytetarët në mëshirë të fatit.

Hetim të plotë dhe të menjëhershëm për këtë ngjarje, vënien para përgjegjësisë të çdo zyrtari që ka dështuar në detyrë, si dhe kompensim të menjëhershëm për tregtarët e dëmtuar.

Shteti nuk mund të jetë spektator përballë fatkeqësisë së qytetarëve të vet!

© Panorama.al

Te lidhura