Zhvatën 50 milionë euro përmes Call Centerave mashtrues, lihet në burg Granit Pepnika dhe dy të tjerët

Jul 6, 2026 | 12:32

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Granit Pepnikën, dhe dy bashkëpunëtorët e tij Xhoni Hitaj e Redion Rexhmati, të cilët u arrestuan pak ditë më parë në kuadër të hetimeve për dosjen e bujshme të Call Centerave përmes të cilëve mashtronin qytetarët evropianë.

granit pepnika

Granit Pepnika dhe Xhoni Hitaj akuzohen për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, ndërsa Redion Rexhmati për “Përkrahja e autorit të krimit”.

Pepnika u arrestua nga strukturat e Policisë së Vlorës dhe Forca Operacionale më 3 korrik, teksa qëndronte në një vilë në zonën e Dhërmiut. Bashkë me të u vu në pranga edhe Xhoni Hitaj.

Sipas hetimeve të deritanishme, Pepnika dyshohet se ishte një nga organizatorët e rrjetit të call center-ave që mashtronte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, duke i bindur të investonin në platforma të rreme bursash. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga kjo skemë vlerësohet të jetë mbi 50 milionë euro.

Nga hetimet rezulton se Pepnika zotëronte 50 për qind të aksioneve të shoqërisë “Gama Media Communication”, e themeluar në korrik të vitit 2021 së bashku me Jurgen Melën.

Dosja lidhet me operacionin e zhvilluar në prill të këtij viti, kur Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet austriake, goditi tre rrjete call center-ash mashtrues që ushtronin aktivitet në 12 zyra në Tiranë.

Operacioni ishte rezultat i një hetimi dyvjeçar, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 900 mijë euro cash dhe u arrestuan 10 persona.

© Panorama.al

Te lidhura