Një tjetër program nga një tjetër Zhaku, nëse do i referoheshim titullit të një poezie të saj “Një tjetër vjershë, nga një tjetër Unë”. Kur prezantoi emisionin radifononik “Kopirajt”, ajo kishte ndryshuar stacion, ditë transmetimi, numër celulari dhe adresë e-mail. Tashmë nga Inida Gjata, Zhaku, ka ndryshuar frekuenca, ndërsa do të komunikojë me publikun jo vetëm me zë por edhe me figurë, sepse kur vjen fjala për komunikim të vërtetë, i pëlqen ai sy më sy. “Zhoushou” është një parodi mbi televizionet, shoqërinë dhe politikën shqiptare, që do të na duhet ta ndjekim, për të kuptuar nëse flitet për zhurmën, Zhakun apo për kotësinë. Por jo vetëm kaq. Zhaku ka realizuar edhe një album muzikor, pjesë e të cilit është kënga me titull “Mos voto”, ku së bashku me Kastro Zizon ajo bën thirrje për bojkot në zgjedhje. Tregon më shumë se kaq në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Pas pak ditësh do të shfaqesh në ekran me “Zhoushou”” në Digitalb në kanalin T. Çfarë është ky program i ri, si do të prezantojë Zhaku, a do të ketë të ftuar e për çfarë do të flisni?
Duke nisur nga data 28 prill, në orën 21.00 unë do të nis “Zhoshou”, që është një program satirik, tematik, problematik, kritik, unik dhe shumë dëfryes. Është një parodi mbi televizionet, shoqërinë dhe politikën shqiptare, ku nëpërmjet gjuhës artistike me të cilën do të trajtohen aspekte të ndryshme të së përditshmes në Shqipëri, synohet të nxitet reflektimi i qytetarëve përballë padrejtësish dhe absurditetesh që përbëjnë të zakonshmen tonë tashmë, duke shpresuar në një ndërgjegjësim masiv ku shqiptarët të ndiejnë fuqinë që kanë e të mos nënshtrohen heshtazi ndaj gjithçkaje që u imponohet pambarimisht. “Zhoushou” flet për një ekran të jashtëzakonshëm televiziv, ku ndodhen personazhe të ndryshëm që shfaqen duke bashkëbiseduar me teleshikuesit e tyre.
Pse e ke titulluar “Zhoushou”, ka ndonjë kuptim specifik ky titull?
Në fakt, mbi kuptimin e “Zhoushout” mendoj vetëm atëherë kur dikush më pyet dhe ende nuk e di nëse është diçka që flet për zhurmën, për Zhakun apo për kotësinë.
Ke pasur një eksperiencë të fundit në radio me “Kopirajt”. Nga radio në televizion çfarë ndryshon te Zhaku?
Kam pasur disa përvoja prej shumë vitesh në disa radio dhe televizione me programe të ndryshme, të ndjekura në mënyrë masive dhe të vazhdueshme, por nga të gjitha lidhjet e mundshme me njerëzit, preferoj ato sy më sy.
Shquhesh për ide të veçanta, por kësaj here cila është mënyra që ke menduar të bësh show në ekran?
Mënyra që kam menduar është duke mos bërë show, por duke bërë më të mirën e mundshme si një person që mban përgjegjësi mbi ushqimin që do të zgjedhin të hanë shikuesit.
Një komunikim special që ti krijon shpesh me publikun, është ai nëpërmjet muzikës. Të ka shkuar në mendje të realizosh një album me këngë?
Patjetër, unë në fakt jam duke realizuar një album muzikor krejtësisht të veçantë, që do të jetë i përbërë prej disa krijimeve krejt origjinale të realizuara së bashku me Kastro Zizon.
Jo më kot të pyes rreth muzikës, por nisur nga një “këngë surprizë” me titullin “Mos Voto” që keni publikuar këto ditë fushate zgjedhore. Pse vendosët të realizonit me Kastron një këngë ku bëni thirrje artistike për bojkot?
Teksa gjatë punës me Kastron qanim hallet e kombit, na erdhi befas në mendje nevoja për një thirrje për bojkot të këtyre zgjedhjeve, pasi jemi neveritur shumë nga çdo e kaluar e pandryshuar e nga çdo ndryshim i premtuar. Ne, në të gjitha këngët që po realizojmë, jemi kujdesur për përmbajtjen, po aq sa edhe për formën. Në të gjitha gjen një mesazh drejtuar shoqërisë, por ajo që paraqet më shumë rëndësi për ne, sidomos nëpërmjet këngës “Mos voto” është të nxisim reflektimin tek të gjithë ata që do duan të na dëgjojnë.
Je vërtet kundër politikanëve dhe politikës që ata bëjnë, ke votuar ndonjëherë?
Kam votuar disa herë, me bindje të thellë tek kjo e drejtë. Kam paguar taksa me bindje dhe devotshmëri. Por e vetmja gjë që kam marrë si shpërblim, ka qenë padrejtësia. Unë s’jam kundër njerëzve, por kundër këtij sistemi të padrejtë e nënshtrues. Ndaj dhe nuk dua të votoj, derisa sistemi të jetë administruar drejtësisht.
Zhaku në dilemë: “Kujt t’ia jap?”
Në vargjet e këngës “Mos Voto”, Zhaku që shquhet për lojën me fjalën dhe satirën, është në dilemën ”Kujt t’ia jap?”. Është fjala për veten, votën dhe politikanin. Dhe ajo ka vendosur të mos ia japë askujt në zgjedhjet lokale të 8 majit:
Unë, si Inida Zhaku Gjata, nuk ta jap votën ty politikan, sepse nuk dua të votoj askënd që më imponohet nga ndonjë parti dhe në vend që të dëgjosh qytetarët, flet vetë e premton hënën.
Unë, si shqiptare, nuk ta jap votën, sepse nuk jam anëtare e asnjë partie dhe kërkoj që qytetin tim ta drejtojë komuniteti dhe jo politika.
Unë, si femër, nuk ta jap votën, sepse ti si mashkull nuk je tipi që më pëlqen.
Unë, si person publik, nuk ta jap votën, sepse jeta kulturore dhe artistike në qytet, përveçse është e deformuar nga sistemi dhe e monopolizuar nga servilët, është edhe krejtësisht inekzistente në projektet e kandidatëve me një strategji të qartë e bindëse.
Unë, si njeri i lirë, nuk ta jap votën, sepse askush prej kandidatëve nuk është qytetar i lirë, por i partisë.
“Ja kujt mund t’ia jap…votën”
Unë, si Inida Zhaku Gjata, do ia jap votën time një
qytetari që ka folur me vepra dhe jo me demagogji e hipokrizi.
Unë, si shqiptare, ia jap votën një shqiptari.
Unë, si femër, ia jap votën një njeriu.
Unë, si person publik, ia jap votën një personi, të cilin e admiroj për punën dhe kontributin si qytetar.
Unë, si njeri i lirë, ia jap votën një njeriu të lirë.
KLOTILDA HARKA
© Panorama.al











